KLSH dërgon për kallzim penal Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Zbatimit të Legjislacionit dhe ish-Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Urbanistikës në Bashkinë Fier
26.07.2013
Dëmi ekonomik i konstatuar 63,630,534 lekë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar auditim në Bashkinë Fier për periudhën 01.01. 2011 deri 31.12.2012. KLSH ka konstatuar, krahas punës pozitive, shkelje ligjore në lidhje me prokurimet me fondet publike kryesisht në zbatimin e kontratave, dhënien e lejeve të ndërtimit dhe llogaritjen e arkëtimin e pagesave për taksën e ndikimit në infrastrukture dhe taksën 1 përqind të urbanistikës, që duhet të paguajnë subjektet e ndryshme të ndërtimit që kanë ndërtuar objekte në territorin e kësaj bashkie, me një dëm ekonomik në vlerën 63,630,534 lekë. Ndër shkeljet më kryesore, përmendim:
1) Bashkia nuk ka parashikuar në vendimin për taksat dhe tarifat vendore për vitin 2011, pagesën e 1% të vlerës së preventivit, si taksë e ndikimit në infrastrukturë e cila shkon për financimin e studimeve urbanistike të pushtetit vendor, sipas nenit 51 të ligjit nr. 8405, date 17.09.1998 “Për Urbanistikën”, i ndryshuar, por vetëm taksën e përcaktuar sipas ligjit me vendim të këshillit bashkiak. Në total, vlera e taksës së 1% arrin në 61.050.251 lekë, e cila është e pa llogaritur në formularin e përllogaritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë sipas ligjit.
2) Në 8 raste, Bashkia ka pajisur me leje ndërtimi, pa shlyer më parë taksën e ndikimit në infrastrukturë, në vlerën 38.146.594 lekë, si rrjedhojë e një kontrate të pa mbështetur në ligj, nënshkruar midis Bashkisë Fier dhe subjekteve private të ndërtimit për pagesën me këste të kësaj takse, me pasojë dëm ekonomik ndaj Shtetit.
3) Nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë janë marrë 33 vendime pezullimi për ndërtimet pa leje, ndërkohë ndaj personave kundërvajtës nuk janë vendosur masa administrative me gjobë në shumën 2 000 000 deri 5 000 000 lekë, siç përcaktohej në nenin 81 të ligjit nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën”, i ndryshuar, pra me një efekt negativ financiar me vlerë 66,000,000 lekë, si dhe nuk janë shoqëruar me vendime prishje objekti, në kundërshtim me VKM nr. 862, datë 5.12.2007 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga Inspektorati ndërtimor e urbanistik kombëtar e ai vendor”.
4) Mos-zbatimin e planit te përgjithshëm rregullues në dhenjen e lejeve të ndërtimit, lidhur me numrin e kateve të miratuara në vendimet përkatëse. Është vepruar në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr.8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën”, i ndryshuar, duke i kthyer hapësirat sportive në sheshe ndërtimi.
5) Pagesa të kundërligjshme për paga të personelit në vlerën 1,780,000 lekë, duke miratuar në strukturën e këtij institucioni 7 Drejtorë të Përgjithshëm, në vend të “Drejtorë Drejtorie”, veprim ky në kundërshtim me VKM nr. 555, datë 11.08.2011, i ndryshuar, nga e cila kanë përfituar padrejtësisht pagesën 9 drejtues.
6) Gjendja e larte debitore për 204 subjekte në vlerën 7,801,471 lekë, nga të cilat 129 subjekte të biznesit te vogël në vlerën 1,982,891 lekë dhe 63 subjekte të biznesit te madh në vlerën 5,818,580 lekë.
7) Nga Drejtoria Juridike e Bashkisë, nuk janë zbatuar e ndjekur hapat ligjorë për kërkimin e arkëtimit të detyrimeve në vlerën 52,793,346 lekë, duke mos zbatuar shumicën e rekomandimeve për shpërblim demi, të dërguara nga KLSH me shkresën nr. 585/9, date 26/09/2011 dhe te verifikuara me akt-verifikimin e datës 13/01/2012.
Për shkeljet dhe mangësitë e konstatuara, KLSH ka rekomanduar 47 masa organizative, 8 masa shpërblim dëmi ne vlerën 63,630,534 leke dhe 29 masa disiplinore për personat shkaktarë-përgjegjës.
Ndër te tjera, KLSH ka rekomanduar bërjen e ndryshimeve ne kontratën e shërbimit te parkimit me pagese nr. 1357/2, date 27/12/2011, mes Bashkisë Fier dhe subjektit sipërmarrës, lidhur me afatin e kohëzgjatjes se kontratës nga 20 vjet ne 5 vjet, ne përputhje me udhëzimin e Ministrisë se Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, nr.7, date 10/06/2008.
Gjithashtu, KLSH ka rekomanduar qe te kryhet testimi i realizimit te te ardhurave te këtij shërbimi për secilën rruge dhe pas kryerjes se tij, te shqyrtohet mundësia e ndryshimit te nenit III, pika 3 ”Marredhenjet Financiare mes palëve” te kësaj kontrate, si dhe dokumentimi ligjor i këtij aktiviteti.
Gjithashtu, për të gjitha shkeljet e konstatuara, KLSH ka bërë kallzim penal në prokurorinë e rrethit Gjyqësor Fier për:
-M. G., në cilësinë e ish- Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Urbanistikës dhe të ish-Sekretarit të KRRT-së të Bashkisë Fier, për mos-llogaritjen e për pasojë mos-arkëtimin për vitin 2011 të taksës 1% të vlerës së preventivit, përcaktuar në nenin 51 të ligjit nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën”, që arrin në shumën prej 61.050.251 lekë dhe që përbën dëm ekonomik dhe për shkelje të tjera.
-L.Ç, Drejtor i Drejtorisë Përgjithshme të Zbatimit Legjislacionit për hartimin e Akt-marrëveshjes me nr. 2178/1 datë 04.01.2012 “Për shtyrjen e afatit të pagesës së ndikimit në infrastrukturë” të pa bazuar në ligjet në fuqi, duke sjellë të ardhura të munguara për bashkinë Fier në një vlerë prej 38.146.594 lekë.