Njoftime

Takim i Kryetarit të KLSH-së me përfaqësues të DG-Enlargement dhe TAIEX

05.09.2013

Më datë 4 shtator 2013, Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj priti në një takim drejtuesit dhe organizatorët e workshopit “Vijimësia e Bashkëpunimit Rajonal për Auditimin e Performancës”, zotërinjtë Mose Apelblat, përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjerimit pranë Komisionit Europian dhe Dragos Budulac, bashkëdrejtues i Grupit të Përbashkët të Punës për Aktivitetet e Auditimit.
Ky takim, u mbajt në përfundim të punimeve të workshopit të organizuar nga TAIEX në Tiranë, më datë 3 shtator 2013, i cili u zhvillua me mbështetjen e plotë të z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së.
Gjatë bisedës me bashkëdrejtuesit e këtij eventi, z. Leskaj shprehu kënaqësinë e mbarëvajtjes së workshop-it dhe gatishmërinë e tij për të kontribuar edhe në të ardhmen si Kryetar i KLSH-së në aktivitete të tilla që u shërbejnë të gjitha SAI-ve pjesëmarrëse në rritjen e cilësisë së punës së tyre audituese. Të gjitha materialet e këtij workshopi, do të botohen nga KLSH në serinë e botimeve KLSH 2013, për të bërë të mundur që të gjithë audituesit të njihen me to. Z.Leskaj paraqiti një kuadër të përgjithshëm të arritjeve të institucionit përgjatë kësaj periudhe 2-vjeçare, si edhe e vuri theksin tek vëmendja që po iu kushtohet tashmë edhe në KLSH, auditimeve të performancës, krahas llojeve të tjera të tyre.
U theksua gjithashtu bashkëpunimi me institucionet dhe forumet e BE-së, si edhe ndihmesa që është dhënë në drejtim të ngritjes së kapaciteteve dhe përmirësimit të cilësisë së auditimeve, metodologjive, etj.
Bashkëpunimi dhe suporti i TAIEX, përbën gjithashtu një vlerë të shtuar dhe është i nevojshëm për modernizimin dhe rritjen e mëtejshme të profesionalizmit në KLSH.
Nga ana e zotërinjve Apelblat dhe Budulac u theksua se ndryshimi i situatës dhe përqasjes së re të institucionit ishte mëse i dukshëm, në të gjithë ritmin e zhvillimit të aktiviteteve, gjë që i jepte KLSH-së një pozicion unik në rajon, jo vetëm në bashkëpunimet institucionale, por edhe si një institucion potencial për të qenë koordinator i inisiativave të ardhshme në auditimet paralele të performancës, që mendohet të iniciohen së shpejti.
Ata u shprehën mjaft të kënaqur për bashkëpunimin e suksesshëm dhe e siguruan z. Leskaj për mbështetjen e vazhdueshme ndaj KLSH-së.
Fjalimi përshëndetës i z. Leskaj në hapjen e punimeve të workshop-it, do të paraqitet i plotë në faqen zyrtare të TAIEX, duke reflektuar kështu ndërkombëtarisht gatishmërinë dhe vullnetin e institucionit tonë për bashkëpunime të frytshme me vendet e rajonit dhe më gjerë.