Performacë e munguar në Institutin e Sigurimeve Shtetërore
04.10.2013
Në gusht 2013, KLSH përfundoi auditimin në Institutin e Sigurimeve Shoqërore me objekt: “Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë ekonomiko-financiare, për periudhën 1/1/2012 deri më 31/12/2012”. Në këtë auditim, krahas përpjekjeve për të rritur efektivitetin e skemës së sigurimeve u konstatuan një sërë mosrealizimesh të cilat kanë sjell deficencë të skemës aktuale. Parregullsitë dhe mungesat e një vizioni të qartë të kësaj administrate kanë ndikuar në përkeqësimin e rezultatit financiar të sistemit të sigurimeve shoqërore, i cili për vitin 2012 paraqitet me humbje në shumën 928.1 milion lekë dhe në veçanti ndikojnë direkt në thellimin e defiçitit të skemës së pensioneve. Deficiti faktik i vitit 2012 i skemës se pensioneve i cili mbulohet me subvencione buxhetor është 20,707 milionë lekë. Konstatohet se deficiti i skemës së pensioneve nga viti në vit është rritur me ritme të shpejta dhe vetëm për vitin 2012, krahasuar me Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) zë 1,49% të tij dhe krahasuar me vitin 2009, ky deficit është rritur me rreth 14.3 miliardë lekë, i cili në këtë vit zinte rreth 0.9 % të PBB
Në lidhje me mbledhjen e të ardhurave është konstatuar se;
1. Ka një mosrealizim në mbledhjen e të ardhurave të programuara nga shmangia e pagesës së kontributeve nga të punësuarit në subjektet privatë, si pasojë e një niveli mjaft të ulët të numrit të kontribuesve, kontribute që mblidhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Plani vjetor i të ardhurave është realizuar në vetëm 95.55 %, duke krijuar një defiçit prej 2,166 milionë leke ose rreth 16 milionë euro. Informaliteti financiar që ka ardhur nga mosrealizimi i numrit të programuar të kontribuesve të sektorit privat dhe nga diferenca midis pagës që derdhen kontributet, me pagën faktike mujore që marrin të punësuarit, ka shkaktuar krijimin e një defiçiti të konsiderueshëm në skemën e sigurimeve shoqërore.
2. Gjendja e detyrimeve të kontributeve të papaguara nga subjektet privatë në fund të vitin 2012 është 8,054 milionë lekë dhe vetëm në këtë vit janë shtuar këto detyrime me 320 milionë lekë. Këto detyrime zënë rreth 8.9 % të totalit të të ardhurave të planifikuara të vitit 2012 dhe vetëm detyrimet e krijuar në këtë vit zënë, rreth 34 % të deficitit të krijuar gjatë po këtij viti.
3. Të ardhurat nga të vetëpunësuari në bujqësi janë programuar 2,550 milionë lekë dhe janë realizuar 2,164 milionë lekë ose 84.9%, me një mosrealizim prej 386 milionë lekë. Është konstatuar një numër mjaft i lartë i personave që nuk përfshihen në skemën e Sigurimeve Shoqërore në fshat. Konkretisht, numri fizik i personave që nuk kanë paguar kontribute si persona të vetëpunësuar në bujqësi për vitin 2012 është rreth 111,709 persona. Nga mospagesa e këtyre kontributeve llogaritet një evazion në fushën e sigurimeve në shumën 2,319 milionë lekë ose mbi 17 milionë euro.
Në mbledhjen e kontributeve është konstatuar problem shqetësues edhe mosdorëzimi i listëpagesave nga subjektet e biznesit të vogël e të madh, sidomos të listëpagesave tremujore të biznesit të vogël. Në fund të vitit 2012, rezulton se mungojnë gjithsej 268,930 listëpagesa. Mungesa e tyre sjell vështirësi ne përcaktimin e masës së pensionit të pleqërisë, si dhe vështirëson evidentimin e borxhit të subjekteve për kontributet e papaguara ose të paguara pjesërisht.
Në lidhje me shpenzimet për përfitime kemi konstatuar se;
1. Rritja e pensioneve gjatë vitit 2012 nuk ka ardhur në raport të drejtë me rritjen e inflacionit të këtij viti, pasi shpenzimet për pensione u shtuan për 4,476 milionë lekë pra kanë reflektuar një rritje 5.4 %, ndërsa inflacioni i deklaruar nga INSTAT ka qënë në nivelet 3 deri në 4 %. Kjo rritje nuk është shoqëruar me rritjen e të ardhurave nga kontributet e drejtpërdrejta. Për pasojë, efektet e rritjes mbi nivelin e inflacionit janë mbuluar me subvencione buxhetore të cilat janë rritur nga viti në vit, çka ka ndikuar në thellimin e defiçitit të skemës së pensioneve.
2. Në vitin 2012, shuma e shpenzimeve për komisione të pagesave paguar Postës Shqiptare për shërbimin e pagesave te pensioneve është 499.3 milionë lekë, ose 70% më tepër, krahasuar me vitin 2006. Ndërsa numri i personave dhe pensionisteve që u kryhet shërbimi që nga viti 2006 deri në vitin 2012 është rritur vetëm me 10%. Ka një rritje të padrejtë të këtyre shpenzimeve, duke thelluar në mënyrë të panatyrshme defiçitin e skemës së pensioneve.
3. Për vitin 2012, numri i personave të mbuluar me kontribute të buxhetit të shtetit për kategori të veçanta pensionesh është 33,394 persona dhe rreth 50 % të këtij numri e përbëjnë, ushtarakët dhe ish punonjës të nëntokës. Këto kategori trajtohen me përfitim duke filluar nga mosha 42 vjeç deri në moshën 60-65 vjeç. Shuma e të gjitha përfitimeve që financohen nga buxheti i shtetit për këto kategori sjellin një efekt financiar të trefishtë apo të katërfishtë për buxhetin e shtetit, çka ndikon në defiçitin e skemës së pensioneve si dhe krijon disbalancime të theksuara në masën e përfitimit të pensionit midis kategorive të tjera.
4. Janë konstatuar probleme në vendimmarrjet e Komisioneve të Vlerësimit të Invaliditetit (MCAP) rajonale dhe qendrore, të cilat kanë sjellë raste të shumta të informalitetit në dhënien e pensioneve të invaliditetit, me pasojë shtimin e padrejtë të shpenzimeve të kësaj kategorie, duke thelluar kështu defiçitin e skemës së pensioneve.
5. Në disa raste është konstatuar se sigurimi i barrëlindjeve bëhet pas lindjes, me qëllimin e përfitimit të raportit mjekësor. Ky veprim ka shtuar në mënyre të padrejtë shpenzimet për ketë kategori e për pasojë kjo shtesë ka ndikuar në thellimin e defiçitit të skemës së pensioneve.
Nisur nga problematikat e konstatuara, të cilat kanë ndikuar në krijimin e një defiçiti mjaft të lartë në degën e pensioneve, por dhe nga tendenca në rritje e tij, KLSH ka kërkuar ndërmarrjen e një reforme të plotë ligjore për të gjithë sistemin e sigurimeve shoqërore kryesisht në lidhje me:
1. Nivelin i personave të siguruar; pasi shkalla e mbulimit të popullsisë me elementët e sigurimit shoqëror është shumë e ulët, me një pjesëmarrje në kontribute të vetëm 65 % të forcave aktuale të punës.
2. Formulën aktuale të pensionit; gjykohet lehtësisht se formula aktuale nuk ofron nxitje të mjaftueshme për pjesëmarrje, për arsyen se pensioni maksimal është i kufizuar sa dy herë masa e pensionit minimal, ndërsa paga më e lartë është pesë herë më e madhe se paga më e ulët.
3. Evazionin fiskal; pasi evazioni është shumë i lartë si pasoje e informalitetit dhe e deklarimit të të ardhurat më të vogla se sa janë në realitet, çka sjell pakësimin e bazës kontributive si dhe nuk nxit apo motivon punonjësit me të ardhura mesatare apo të larta për të deklaruar e paguar kontribute sipas të ardhurave faktike që marrin.
4. Me mënyrën dhe rregullat e indeksimit të pensioneve, pasi shkalla e zëvendësimit të pagës me pensionin në momentin kur punonjësit dalin në pension pleqërie është e ulët për punonjësit me paga mesatare dhe paga të larta. Kjo, ngaqë rritja e pensioneve dhe e pagave nga rritja e inflacionit në vlerë absolute nuk vjen në raport të drejtë, për pasojë përfitimet për pensione rriten më pak dhe kontributet nga pagat rriten më shumë.
5. Trajtimet e favorshme për banorët ruralë, pasi konstatohen, trajtim mjaft i favorshëm si në sistemin e kontributeve ashtu edhe të pensioneve (përfitimeve) për banorët ruralë, ku buxheti i shtetit financon rreth 55 % e kontributeve për këta banorë.
6. Skemat shtetërore të veçanta dhe suplementare, pasi konstatohen, mbulime me subvencione buxhetore edhe për skemat shtetërore të veçanta dhe suplementare, shpenzimet për përfitimet e të cilave vazhdojnë të rriten nga viti në vit.
7. Sistemin e pensioneve, pasi skema e pensioneve është me defiçit, i cili ka kaluar mbi 1% të PBB, edhe pse 55 % e kontributeve rurale financohen nga buxheti i shtetit.