Njoftime

KLSH merr pjesë në Kongresin e XXI të INTOSAI-t

22.10.2013

Më datat 22 deri 26 Tetor 2013, Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në punimet e Kongresit të 21-të të INTOSAI, organizatës ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit(SAI).
INCOSAI 21 i zhvilloi punimet e veta në Pekin, Kinë me pjesëmarrjen e 192 institucioneve supreme të auditimit, përfaqësuar nga më shumë se 600 delegatë nga të gjithë SAI-t anëtare të INTOSAI-t, te drejtuar nga Kryetaret e SAI-ve. Delegacioni shqiptar përbëhej nga z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH, nga Drejtori i Përgjithshëm z. Kristaq Gjyli, Drejtore Departamenti Znj. Albana Agolli dhe Drejtore Drejtorie Znj. Edlira Sako.
Fjala e hapjes në Ceremoni u mbajt nga Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAI-t, Dr. Josef Moser, President i Gjykatës Austriake të Auditimit, i cili bëri një ekspozë të plotë të aktiviteteve dhe veprimtarisë së INTOSAI, të projekteve dhe lidhjeve të bashkëpunimit midis INTOSAI dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare si OKB dhe Banka Botërore dhe fryma dhe mesazhet që ky institucion ka përçuar tek gjithë SAI-t e tjera përgjatë tre viteve.
Zv/Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, z. Wu Hongbo përcolli mesazhin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. Ban Ki Moon dhe siguroi në vazhdimësinë e mbështetjes së projekteve të rëndësishme të INTOSAI-t nga ana e Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës, z. Li Keqiang, përçoi mesazhin e rëndësisë së ndikimit të SAI-ve në rritjen e cilësisë së mirëqeverisjes, sidomos në këto ditë të vështira ku kriza ekonomike financiare është më e pranishme se kurrë.
Kongresit prezantoi dy tema kryesore, “Auditimi Kombëtar dhe Qeverisja Kombëtare”, si dhe “Roli i SAI-ve në Ruajtjen e Qëndrueshmërisë së Politikave Financiare”.

Në seancën e parë plenare, u paraqitën raportet e grupeve të punës, komisioneve dhe Task Forcës së INTOSAI-t në lidhje me arritjet e tyre. Ndër këto raportime spikatën raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të INTOSAI-t, Dr. Moser, Raporti i Komisionit të Administrimit dhe Financës; i Task Force të INTOSAI-t për Mbikëqyrjen Financiare; Raporti mbi Veprimtaritë me Bashkëpunimin e Donatorëve të INTOSAI-t, etj.
Gjatë diskutimeve për temën e dytë të Kongresit “Roli i SAI-ve në Ruajtjen e Qëndrueshmërisë të Politikave Financiare”, spikati fjala e mbajtur nga Ambasadori Martin Sajdik, Zv/President i Këshillit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara, i cili vuri theksin në forcimin e kontributeve kombëtare dhe ndërkombëtare të INTOSAI-t dhe SAI-ve të vendeve të ndryshme për promovimin e qëndrueshmërisë së financave publike. Qëndrueshmëria e financave publike ka qenë në axhendën e INTOSAI-t  duke filluar nga viti 1991, kur filloi punimet Komisioni i INTOSAI-t mbi Borxhin Publik, i cili u transformua në Grup Pune në vitin 2007. Fokusi i INTOSAI-t mbi këtë temë u thellua edhe më tepër si pasojë e krizës financiare: arsye për të cilën u krijua në vitin 2008 Task Force mbi Krizën Globale Financiare, i cili u përfshi në vitin 2012 në Grupin e Punës mbi Modernizimin Financiar dhe Reformën Rregullatore. Menaxhimi i shëndoshë i financave publike dhe politikat financiare të përshtatshme japin pa dyshim një kontribut të rëndësishëm në krijimin e zhvillimeve ekonomike me inflacion të ulët dhe klimë financiare të favorshme, që me kalimin e kohës ndihmojnë në hartimin e planifikimeve afatgjata dhe të investimeve. Për këto arsye, INTOSAI inkurajon anëtarët e tij të përdorin influencën e tyre, për të promovuar një harmonizim të kornizave të raportimit financiar në sektorin publik, duke dhënë kështu më tepër transparencë në lidhje me veprimtaritë e qeverisë, në veçanti për sa i përket borxhit qeveritar.
Diskutimet e mëtejshme në lidhje me temat e Kongresit u zhvilluan në tre seanca plenare të anëtarëve të INTOSAI-t, në fund të të cilave u procedua me votimin dhe aprovimin e përfundimeve të të dyja këtyre temave, që i janë aneksuar Deklaratës së Pekinit.
Deklarata e Pekinit përmbledh arritjet historike dhe përvojën themelore të 60 viteve të fundit, si dhe rezultatet e dy temave teknike. Aty shtjellohen rezultatet e punës, misionit, vlerave themelore, dhe vizionit të SAI-ve, si dhe zbulohen mënyrat, përmes të cilave INTOSAI po synon të bëhet një organizatë ndërkombëtare model për promovimin e qeverisjes globale. Për më tepër, aty riafirmohet rëndësia e adoptimit dhe zbatimit të planifikimit strategjik të konfirmuar edhe në vizionin e INTOSAI-t, si dhe vlerat thelbësore në këtë epokë të re të zhvillimit historik; aty vihet në dukje rëndësia e shkëmbimit të përvojës, rritja e kapaciteteve, si dhe bashkëpunimi me donatorët; dhe paraqiten rezultatet e Grupit të Punës të INTOSAI-t  mbi vlerat dhe dobitë e SAI-ve, së bashku me rezultatet e tjera.
Si dokumenti përmbledhës dhe përfundimtar i Kongresit të 21 të INTOSAI, Deklarata thekson se situata globale me të cilën institucionet supreme të auditimit përballen i çon ata drejt përmirësimit të qeverisjes kombëtare, duke intensifikuar mbikëqyrjen, rritjen e transparencës dhe të paanësisë, promovimin e performancës dhe intensifikimin e luftës kundër korrupsionit. Gjithashtu qëndrueshmëria afatgjatë e politikave financiare të shteteve është një element përbërës dhe parakusht për një mirëqeverisje efektive. Kjo qëndrueshmëri mund të arrihet nëpërmjet auditmit profesional dhe të pavarur, i cili është elementi kryesor i zinxhirit të auditimit të performancës së financave publike. Kjo Deklaratë, së bashku me dokumentet e tjera të miratuara nga kongreset e mëparshme (si Deklarata e Limës dhe e Meksikës) do të sigurojë udhëzime për zhvillimin e ardhshëm të INTOSAI-t dhe SAI-ve anëtare. SAI-t do të vazhdojnë të shërbejnë shoqërinë dhe publikun duke promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e mirëqeverisjes kombëtare, forcimin e demokracisë, përmirësimin e shtetit ligjor, duke luftuar korrupsionin, ruajtur sigurinë kombëtare dhe duke nxitur reforma. Falë kësaj deklarate, SAI-t duhet të orientohen drejt adoptimit të mjeteve dhe metodologjive audituese krijuese, duke  marrë masa efektive për të rritur aftësitë e tyre, dhe për të kapërcyer sfidat e botës moderne.

Gjatë punimeve të Kongresit të 21-të të INCOSAI-t, z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH zhvilloi një takim pune me z. Josef Moser, President i Gjykatës Austriake e Auditimit, njëkohësisht edhe Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAI-t.  Kryetari i KLSH u takua dhe me z. Gene Dodaro, Auditues i Përgjithshëm i Zyrës së Llogaridhënies Qeveritare(GAO) të SHBA, me të cilin diskutoi mundësitë e bashkëpunimit mes KLSH dhe GAO-s amerikane.  Një takim i veçantë pune u realizua me z. Liu Jiayi, Kryetar i SAI-t të Kinës, njëkohësisht edhe Presidenti i ri i INTOSAI-t.
Gjatë pjesëmarrjes në Kongres, Kryetari i KLSH  zhvilloi biseda të gjata pune me z. Recai Akyel, President i Gjykatës Turke të Llogarive, me z. Krzysztof Kwiatkowski, President i Zyrës Kombëtare të Auditimit (NIK)- të Polonisë, me z. Jacek Jezierski, ish-President i NIK, si dhe me z. Magnus Lindell, zv/Auditues i Përgjithshëm i SAI-t të Suedisë, ku u shkëmbyen ide dhe informacione lidhur me ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe përcaktimin e përparësive të bashkëpunimit të mëtejshëm.
Z. Leskaj u takua dhe me homologë të tjerë partnerë të KLSH, me të cilët KLSH ka  nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, si z. Ivan Klesic, Auditues i Përgjithshëm i SAI-t të Kroacisë, z. Milenko Sego, Auditues i Përgjithshëm i SAI-t të Bosnje dhe Hercegovinës, z. Milan Dabovic, President i SAI-t të Malit të Zi, zj.Tanja Tanevska, Audituese e Përgjithshme e SAI-t të Maqedonisë dhe z. Naser Ademi, zv/Auditues i Përgjithshëm i SAI-t të Maqedonisë.

Me z. Ioannis Karavokiris, President i SAI-t të Greqisë, u ra dakord nënshkrimi i marreveshjes së bashkëpunimit mes KLSH dhe SAI-t grek në dhjetor 2013, ndërsa me SAI-n e Serbisë, pas takimit me Presidentin e Institucionit Shtetëror të Auditimit, z. Radoslav Sretenoviç, u ra dakord nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në fillim të vitit 2014.   

Gjatë bisedave me homologët, u theksua bashkëpunimi i suksesshëm i deritanishëm në fushat e trajnimit dhe shkëmbimit të informacionit, si dhe u shpreh vullneti i përgjithshëm për t’i konkretizuar edhe më tej në të ardhmen e afërt këto marrëdhënie, duke u drejtuar edhe në fusha të tjera, si auditime të përbashkëta, paralele, etj.