Kontrolli i Lartë i Shtetit në Young EUROSAI
26.11.2013
Në datat 21-23 Nëntor 2013, u zhvillua në Hollandë Konferenca e parë - Young EUROSAI. Në këtë Konferencë morën pjesë auditues të rinj nga të gjithë vendet anëtare të INTOSAI-t, Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua nga Zj. Evis Çela Audituese e Lartë.
Fokusi i kësaj konference ishte procesi i inovacionit, domosdoshmëria dhe rëndësia e tij për Institucionet Supreme të Auditimit. Kjo konferencë paraprin Kongresin EUROSAI që do të zhvillohet në qershor 2014, i cili gjithashtu do të ketë si temë qëndrore inovacionin. Rezultatet e kësaj konference do të shërbejnë si pikënisje për këtë kongres. Për këtë arsye, një gjeneratë e tërë audituesish të rinj, duke punuar së bashku u përpoqën të ofrojnë inputet për kongresin e ardhshëm EUROSAI 2014.
Nëpërmjet diskutimeve të shumta në këtë konferencë si dhe përdorimit të metodës brainstorming, u identifikuan sfidat me të cilat përballen Institucionet Supreme të Auditimit si dhe mënyrat inovative nëpërmjet të cilave mund të tejkalohen vështirësitë që ato ndeshin. Ndër sfidat më të rëndësishme janë: përdorimi i metodave të reja të komunikimit nëpërmjet rrjeteve sociale interaktive, domosdoshmëria për të ndryshuar dhe për të sjellë risi në veprimtarinë e institucionit, nevoja për bashkëpunim me institucione homologe, hapja dhe transparenca ndaj qytetarëve, maksimizimi i outputit me burimet e kufizuara në dispozicion si dhe rritja e impaktit në publik.
Gjatë kësaj konference u organizuan gjithashtu edhe punë interaktive në grupe, me pjesëmarrjen e të gjithë audituesve të rinj. Një pjesë e tyre kishin në fokus auditimin e performancës, si një auditim me elementë të shumtë inovativë, i cili i shton vlerë Institucioneve Supreme të Auditimit. Gjithashtu një nga temat më interesante të diskutuara ishte edhe “auditimi nga pikëpamja e qytetarëve“, një qasje e re e cila synon ta drejtojë auditimin më pak drejt burokracive dhe më tepër drejt shqetësimeve të qytetarëve.
Një pjesë e rëndësishme e kësaj konference ishin edhe diskutimet në lidhje me metodat inovative të raportimit për të rritur impaktin në publik, duke sygjeruar raporte të shkurtër auditimi, më pak fjalë dhe më shumë ilustrime grafike.
Një vend i veçantë në diskutimet e konferencës u rezervua për transparencën e institucioneve publike nëpërmjet “open data“ si një nga pikat më të nxehta të diskutimeve në shumë vende. A duhet që institucionet publike të publikojnë online të gjithë transaksionet e tyre financiare për publikun? Dhe nëse po, a duhet të japin Institucionet Supreme të Auditimit shembullin e parë në këtë drejtim?