Njoftime

Qasja këshillimore e një SAI.

06.02.2014

nga Dr. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së

Në kushtet e kufizimeve në rritje të burimeve ekonomike, e veçanërisht atyre publike, taksapaguesit në çdo vend shtrojnë me të drejtë pyetjen: Si mund të dizenjohet në mënyrë më eficiente dhe ekonomike menaxhimi i pasurive publike? Për punonjësit e institucioneve supreme të auditimit sot në botë, kjo pyetje është tashmë në rend në ditës, sepse auditimi i funksioneve publike është parakushti  për të përpunuar propozime e zgjidhje që synojnë rritjen e eficiencës dhe efektivitetit të menaxhimit qeverisës. Pikërisht me këto fjalë e nisi diskutimin në Simpoziumin e 22-të INTOSAI, mbajtur në Vjenë, sekretari i Përgjithshëm i kësaj Organizate, z. Josef Moser. Qasja moderne dhe efektive e Kontrollit të Lartë të Shtetit kah qeverisjes së mirë nuk kufizohet vetëm në funksionin auditues. Thjesht identifikimi i shkeljeve dhe mangësive nuk i mjafton më një institucioni suprem auditimi. Institucione të tilla mund ta realizojnë plotësisht potencialin e tyre vetëm nëse zhvillojnë një qasje këshillimore të mbështetur në punën e tyre audituese, duke u ofruar rekomandime specifike, të detajuara dhe shkencore menaxherëve qeveritarë, rekomandime praktike që mund dhe duhen implementuar në sferat përkatëse të ekonomisë publike. Në fakt, standardet INTOSAI e theksojnë në mënyrë eksplicite ofrimin e rekomandimeve për të përmirësuar funksionet publike, por pa ndërhyrë në formulimin e objektivave, strategjive dhe politikave. Duke adresuar tema audituese me impakt mbi të ardhmen e vendit, një institucion suprem auditimi duhet të mbulojë të gjitha sferat e rëndësishme ekonomike, përfshirë dobinë financiare të përdorimit të fondeve publike, sistemet arsimore, shëndetësore dhe pensionet, ruajtjen e mjedisit, reduktimin e varfërisë, zhvillimin e qëndrueshëm të vendit etj.
Është detyrë e KLSH-së të sigurojë transparencë dhe llogaridhënie përmes auditimeve të saj, sikurse të promovojë efektivitet dhe demokraci përmes rekomandimeve që jep. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, mbi një triliard dollarë në vit humbasin nga korrupsioni në mbarë botën. Në Shqipëri, kjo shifër për vitin 2012 i kaloi 90 milionë eurot, sipas statistikave të KLSH-së. Në gjykimin tim dhe të institucionit që unë drejtoj, kosto e korrupsionit nuk është thjesht vjedhja e fondeve publike; kosto e vërtetë është sabotimi i së ardhmes, që shprehet në më pak spitale, shkolla, ujë, rrugë, energji. Por jo vetëm kaq, aftësia e një vendi për të thithur investime të huaja, ndërtuar kapacitete njerëzore profesionale, lehtësuar tregtinë dhe shtuar pasurinë e mirëqenien varet në mënyrë kritike nga transparenca, eficienca dhe efektiviteti i institucioneve publike. Parametri kyç i qeverisjes së mirë prej këtyre institucioneve është pikërisht rritja e pjesëmarrjes qytetare në zhvillim dhe vendimmarrje. Tri shtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm janë rritja ekonomike, zhvillimi shoqëror dhe ruajtja e mjedisit. Nuk është e tepërt, madje e domosdoshme, që këtyre tri shtyllave t’u shtohet edhe një e katërt, ajo e qeverisjes së mirë. Kjo e fundit fuqizon lidhjen mes tri shtyllave të para dhe siguron se e ardhmja që duam mund të bëhet realitet. Pikërisht kësaj shtylle i përket Kontrolli i Lartë i Shtetit. Përmes tri llojeve të auditimit që kryhen, dy tradicionale dhe një i konsoliduar rishtas, KLSH garanton zbatimin e ligjit, drejtësinë dhe saktësinë e pasqyrave financiare dhe menaxhimin me ekonomicitet, eficiencë dhe efektivitet të fondeve publike. Në të ardhmen, axhendës së institucionit mund t’u bashkëngjiten edhe lloje të tjera auditimesh, siç mund të jetë ai i auditimit të sistemeve të informacionit.
Sigurimi i impaktit pozitiv përmes këshillimit
Nocioni që dua të parashtroj në këtë paragraf është sigurimi i impaktit, sepse besoj se qëllimi i ekzistencës së një institucioni suprem auditimi, madje do të thosha i çdo institucioni publik, është sigurimi i impaktit pozitiv në funksionimin e qeverisjes në përgjithësi, dhe i shërbimeve publike në veçanti. Kjo është një sfidë po aq sa edhe një mundësi e madhe. Risku potencial që ndeshet në raste të tilla është ai i një institucioni suprem auditimi që gjeneron rekomandime brilante, por që nuk dëgjohet nga askush. KLSH ruan distancën, synon të jetë objektive, nuk dëshiron të bëhet pjesë e implementimit apo dizenjimit të politikave… dhe e gjitha kjo sepse duam të jemi sa më të besueshëm dhe të paanshëm që të jetë e mundur. Por përsëri, si mund ta realizojmë impaktin? Pikësëpari duke mbajtur parasysh se institucionet supreme të auditimit, duke mos qenë vendimmarrëse në politikë, mbeten ende “pronare” të llogaridhënies. Për të qenë më të saktë, “bashkëpronar”, së bashku me autoritetet e tjera publike. Problemi që ndeshin institucione të tilla jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë botën, është se nuk dëgjohen mjaftueshëm. Në KLSH bëhen auditime të mira, nxirren konkluzione të përshtatshme dhe jepen rekomandime me vlera praktike. E megjithatë, impakti nuk është në nivelet e synuara. Mendoj se është koha të reformojmë mënyrën e komunikimit me palët e interesit. Aktualisht në KLSH ekzistojnë dy kanale të jashtme komunikimi: i pari është ai me subjektet e audituara, administratën publike, i cili është më proceduaral dhe formal, i dyti është ai me publikun dhe Parlamentin. Në të dyja këto kanale, KLSH ndjek një model tradicional, që nënkupton shkëmbimin e letrave dhe raporteve të gjata me subjektet e audituara, publikimin e raporteve në faqen e Internetit, organizimin e konferencave për shtyp dhe prezantimin e raportit tonë vjetor në Parlament. E megjithatë, duhet të mbajmë parasysh se komunikimi është një “rrugë me dy sense lëvizjeje”. Nuk mjafton vetëm të informojmë, por duhet edhe të sigurojmë feedback-un e bashkëpunëtorëve tanë. Jetojmë në epokën e informacionit dhe komunikimi është me rëndësi jetike për një SAI që synon të informojë pareshtur qytetarët e vet mbi gjendjen e shërbimeve publike. Komunikimi midis institucioneve publike dhe shoqërisë është një nga shtyllat e demokracisë. Qytetarët që bashkëqeverisin me qeverinë e tyre duhet të jenë të informuar për të marrë vendimet e duhura. Në një shoqëri demokratike janë qytetarët që qeverisin përmes zyrtarëve të vet. Informacioni nga rezultatet audituese dhe funksionimi i KLSH-së është një paketë të dhënash që i nevojitet shoqërisë për vendimmarrje të suksesshme. Ne duhet të përpiqemi të kemi impakt në një shoqëri demokratike, duke i bërë subjektet e audituara bashkëpunëtore në punën tonë audituese. Nëse ia arrijmë që përmes punës sonë t’i bëjmë grupet e interesit të njehsohen me rezultatet e auditimeve tona, atëherë ato do të jenë më të gatshme për t’i brendësuar rekomandimet që ne japim në punën e tyre të përditshme. Parimi është i thjeshtë: Njerëzit përfshihen me të vërtetë atëherë kur ndiejnë se po ndihmohen dhe jo vetëm penalizohen në punën e tyre. Si një ilustrim nga realiteti shqiptar le të sjellim auditimin më të fundit të kryer nga Departamenti i Auditimit të Performancës mbi shërbimin e ofruar nga Hekurudha Shqiptare. Gjetjet e këtij auditimi tregojnë qartë se pritshmëria e përdoruesve të këtij lloj transporti është në kah të kundërt me shërbimin dhe politikat e zhvillimit të sistemit hekurudhor ofruar sot nga strukturat menaxhuese të tij. Burimet e akorduara për mirëmbajtjen e infrastrukturës hekurudhore janë të pamjaftueshme dhe po çojnë në degradimin e mëtejshëm të rrjetit. Mirëmbajtja e infrastrukturës hekurudhore kërkon më shumë fonde, asnjë masë nuk është ndërmarrë për rehabilitimin e rrjetit hekurudhor, sektori i transportit hekurudhor është i pazhvilluar dhe pa investime thelbësore për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës. Në formën e saj aktuale, hekurudha nuk mund të ketë një të ardhme ku të ardhurat e gjeneruara nuk mund të mbulojnë koston e nevojshme për të vënë në funksionim hekurudhën. Në përballje me një rast si ky, KLSH ofroi rekomandime këshillimore, të cilat synojnë të përmirësojnë shërbimin e ofruar nga ky lloj transporti. Në dhënien e rekomandimeve, KLSH gjeti mirëkuptimin e drejtuesve të Hekurudhës. Këshillimi i ofruar prej nesh do të kontribuojë në tërheqjen e vëmendjes dhe stimulimin e një sektori të lënë pothuajse në harresë nga vendimmarrja aktuale.

Për më shumë EUROSAI-19