Njoftime

Kryetari i KLSH Viziton Gjykatën e Llogarive të Turqisë

11.02.2014

Nga datat 11-13 shkurt 2014, z. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit te Lartë të Shtetit zhvilloi një vizitë pune në Gjykatën e Llogarive të Turqisë, në Ankara. Gjatë vizitës, z. Leskaj u takua me Presidentin e Gjykatës së Llogarive të Turqisë, Prof. Dr. Recai Akyel. Z. Akyel vlerësoi progresin e arritur nga KLSH gjatë dy viteve të fundit dhe bashkëpunimin e frytshëm mes të dy institucioneve supreme të auditimit (SAI), të kulmuar me disa sesione trajnimi për dhjetra auditues dhe specialiste të KLSH, të zhvilluara gjatë viteve 2012-2013.

tca klsh

Presidenti i Gjykatës Turke u tregua i gatshëm të vazhdonte bashkëpunimin e deritanishëm me sesione të reja trajnimi.

Nga ana e tij, z. Leskaj  falenderoi Presidentin Akyel për ndihmën bujare të ofruar nga Gjykata e Llogarive e Turqisë ndaj KLSH dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer, nga i cili kanë përfituar mbi 60 auditues të institucionit shqiptar.

Të dy drejtuesit e SAI-ve të Turqisë dhe Shqipërisë diskutuan për bashkëpunimet e ardhshme, sidomos ato në kuadër të zbatimit të një sistemi modern të menaxhimit të auditimit, duke përdorur gjerësisht dhe patur si bazë teknologjinë e informacionit. Gjykata Turke e Llogarive është në hapat e parë të shtrirjes së këtij sistemi dhe ofroi ekspertizën e saj për të ndihmuar KLSH. Gjithashtu, Presidenti i Gjykatës Turke konfirmoi se trajnimet e audituesve shqiptare pranë kësaj gjykate do të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2014 dhe shumë shpejt, brenda muajve mars dhe prill, dy-tre grupe audituesish nga KLSH do të trajnohen për auditimin financiar, të përputhshmërisë dhe të performancës.

Me kërkesë të Kryetarit të KLSH, Gjykata Turke u tregua e gatshme të ndihmojë me ekspertizën e saj për thellimin dhe rritjen e efikasitetit te marrëdhënieve që një SAI duhet të ketë me botën akademike dhe atë universitare.

Me 13 shkurt, Gjykata e Llogarive e Turqisë inauguroi në ambientet e saj Bibliotekën e institucionit. I ftuar i nderit ishte Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj. Në përshëndetjen e tij drejtuar anëtareve të Gjykatës Turke të Llogarive, ai theksoi se hapja e një biblioteke të një institucioni kushtetues përbën një ngjarje me rëndësi jo vetëm për punonjësit e atij institucioni. Gjykatësit dhe audituesit turq, me themelimin e kësaj strukture, do të kenë në duart e tyre një burim të pashtershëm, të mirorientuar dhe të qartë informacioni për veprimtarinë e tyre audituese dhe vendim-marrëse.

tca biblioteka tca bibl

Z. Leskaj theksoi edhe njëherë rolin e padiskutueshëm që Presidenti Akyel ka luajtur dhe luan në progresin dhe modernizimin e mëtejshëm të Gjykatës së Llogarive të Turqisë, shembull i të cilit është edhe hapja e një biblioteke shumë të pasur, me materiale për auditimin të mbledhura nga libra, manuale, studime e vrojtime nga qindra autore turq dhe të huaj, të gjitha vendet e botës.

Duke theksuar klimën shume miqësore dhe partneritetin e lartë të arritur mes Gjykatës së Llogarive të Turqisë dhe KLSH, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit ju drejtua gjykatësve dhe audituesve turq me shprehjen :”Presidenti Akyel është miku më i mirë i KLSH (ALSAI) në komunitetin INTOSAI. Presidenti Akyel nuk është vetëm i juaji, por edhe i yni”.

Gjatë qëndrimit në Turqi, z. Leskaj zhvilloi bisedime dhe nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me Dr. Serdar Çam, President i TIKA, Agjensisë Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Delegacioni i KLSH, në përbërje të të cilit ishin edhe z. Fatos Çoçoli, këshilltar i jashtëm i KLSH dhe z. Alfons Gabili, Auditues i Parë, vizitoi dhe Mauzoleumin e Babait te Kombit Turk, Mustafa Qemal Ataturk dhe Muzeun Etnografik Kombëtar të Turqisë.