Takim i Kryetarit të KLSH-së,me delegacionin e Komisionit për Mbikqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës.
25.02.2014
Kryetari i KLSH-së, z.Leskaj priti në një takim të veçantë, delegacionin e Komisionit për Mbikqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Kryetari, z.Ali Sadriu.
Kryetari i KLSH-së, pasi i uroi mirëseardhjen delegacionit, i njohu të pranishmit me një përmbledhje të shkurtër të funksionimit të institucionit si dhe të zhvillimeve më të fundit. Z.Leskaj më tej, u ndal në marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit që ekzistojnë ndërmjet dy institucioneve të auditimit të Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar faktin se Marrëveshja e parë e Bashkëpunimit është nënshkruar me Audituesin e Përgjithshëm të ZAP-t të Kosovës. Thellimi i këtij bashkëpunimi, përveç trajnimeve dhe shkëmbimit të vizitave të ndërsjella, do të materializohet së shpejti edhe në zhvillimin e një auditimi paralel në fushën e sigurisë rrugore.
Kryetari i Komisionit për Mbikqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës, z. Sadriu, duke e marrë fjalën, e falenderoi z.Leskaj për pritjen rezervuar këtij delegacioni dhe paraqiti një ekspoze të funksionimit dhe të ecurisë së punës së këtij Komsioni, duke evidentuar edhe marrëdhëniet me Zyrën e Audituesit të Përgjithshëm të Kosovës.
Në vazhdim, gjatë diskutimeve të përbashkëta, fokusi ishte marrëdhënia e institucioneve supreme të auditimit me Parlamentet respektive, si dhe u theksua jo vetëm rëndësia e bashkëpunimit dhe partneritetit ndër-institucional, por edhe mbështetja që u duhet dhënë isnstitucioneve të tjera.
Me qëllim intensifikimin e marrëdhënieve dy palëshe, z.Sadriu i përcolli Kryetarit të KLSH-së, ftesën për të zhvilluar një vizitë pranë zyrave të këtij Komisioni, në Kuvendin e Kosovës.