Simpoziumi Evropian për Teknologjinë e Informacionit dhe 300 vjet Gjykatë e Auditimit të Gjermanisë.
15.03.2014
Një delegacion i kryesuar nga z. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit(KLSH), nga datat 11-14 Mars 2014, mori pjesë në Potsdam të Gjermanisë në punimet e Takimit të 9-të të Grupit të Punës së Teknologjisë së Informacionit të EUROSAI dhe në Simpoziumin jubilar për Teknologjinë e Informacionit, organizuar nga Gjykata e Auditimit e Gjermanisë, me rastin e 300 vjetorit të themelimit të saj.
Gjatë dy ditëve të para 11 dhe 12 Mars, takimi i Grupit të Punës së T.I. evidentoi progresin e bërë gjatë një viti në auditimin e “E-Government”, në sistemet informatike të mbështetjes së procesit të auditimit, si dhe në modelimin e mbështetjes me T.I., si një kuadër për standardizimin e veprimtarisë audituese në T.I., sipas standardeve INTOSAI, si dhe në inovacionin në punën audituese.
Nën drejtimin e ekspertëve dhe menaxherëve të SAI-t të Zvicrës, Takimi i 9-të i Grupit të Punës së Teknologjisë së Informacionit të EUROSAI prezantoi procesin e vetëvlerësimit të gjendjes së SAI-ve të ndryshme në përdorimin e teknologjisë së informacionit. U mbajtën kumtesa mjaft të vlefshme për përmirësimin e komunikimit ndërmjet përdoruesve dhe T.I.(eksperienca e Gjykatës së Llogarive të Francës), për mësimet e nxjerra nga vetëvlerësimi i auditimit të T.I. në Turqi, për auditimet paralele në menaxhimin e borxhit publik(sistemet e informacionit), në prodhimin e pashaportave biometrike, në sistemin elektronik të trenave evropianë, si dhe u dhanë orientime konkrete për kryerjen e auditimeve të ardhshme paralele në T.I.
Progres raporti i Grupit të Punës së T.I. për vitet 2013-2014 do të paraqitet në Kongresin e EUROSAI-t, i cili do të mbahet në nëndor të këtij viti në Hagë.
Dita e tretë dhe e katërt ju kushtuan tërësisht Simpoziumit për Teknologjinë e Informacionit. Në këtë simpozium, krahas përkujtimit të jubileut të 300 vjetorit të themelimit të Gjykatës së Auditimit të Gjermanisë, një SAI i zhvilluar dhe me tradita, u trajtuan parimet themelore për auditimin e Deklaratave Financiare në përputhje me ISSAI-t, rasti i studimit Nr. 1 për Llogaritë Vjetore(eksperienca franceze), si dhe rasti i studimit Nr. 2 për mbështetjen e T.I. për auditimin e llogarive individuale (eksperienca gjermane). Pjesëmarrësit u ndanë në tre grupe, ku u diskutuan projekti i T.I “Team-mate”, programi software ACL për auditimin financiar dhe median shoqërore, sfidat dhe oportunitet e saj.
Dita e dytë e Simpoziumit solli prezantimin e mjaft temave dhe eksperiencave me vlerë, si “Tipet, rezultatet dhe tendencat e E-Government(Qeverisja Elektronike), si një auditim ITC mund të rrisë ndërgjegjësimin për sigurinë e T.I në sektorin publik, auditimi i E-Government në administrimin shtetëror, auditimi i sigurisë së T.I. në sistemin e kompjuterizuar të Rregjistrit Civil, etj.
Në të katër ditët, delegacioni i KLSH, i përbërë nga Kryetari Leskaj, nga z. Kozma Kondakçi, përgjegjës i Njësisë së Teknologjisë së Informacionit dhe z. Fatos Çoçoli, ekspert i jashtëm, mori pjesë aktive në diskutimet e grupeve të punës dhe në seancat plenare. Sidomos për pjesëmarrjen në mediat dhe sfidat me median sociale, KLSH dha eksperiencën e tij me editorialet dhe shkrimet e audituesve dhe drejtuesve të vet gjatë vitit 2013, eksperiencë e vlerësuar si mjaft interesante dhe pozitive, nga pjesëmarresit në takimin e grupit të tretë të Simpoziumit,.
Gjatë qëndrimit në Potsdam të Gjermanisë, Kryetari i KLSH Bujar Leskaj u takua me Presidentët e SAI-ve të Hungarisë, Kroacisë dhe Turqisë, me të cilët diskutoi rinovimin e mundshëm në të ardhmen të marrëveshjes së vititi 2007 me SAI-n hungarez, të ngelur jo operative, si dhe vazhdimësinë e bashkëpunimit dhe partneritetit të frytshëm me Institutin e Auditimit Shtetëror të Kroacisë dhe me Gjykatën e Llogarive të Turqisë.