Njoftime

KLSH merr pjesë në seminarin për “Pavarësinë e Institucioneve Supreme te Auditimit”

03.04.2014

seminar hungari

Gjykata Franceze e Llogarive dhe Zyra Shtetërore e Auditimit të Hungarisë organizuan në datën 28 mars në Budapest, seminarin me temë : “Ndërmarrja e hapave aktivë për forcimin dhe mbështetjen e pavarësisë së Institucioneve Supreme të Auditimit”.
Në seminar morën pjesë 25 Institucione Supreme të Auditimit (SAI) mes të cilëve SAI i Francës dhe Hungarisë (vendet organizatore), Belgjikës, Italisë, Suedisë, Holandës, Republikës Çeke, Polonisë, Rumanisë dhe vende të rajonit si Kroacia, Maqedonia, Bosnje Hercegovina, etj.
KLSH u përfaqësua në këtë aktivitet nga zj. Irena Islami, Përgjegjëse sektori dhe zj.Amantja Patozi, specialiste në Departamentin e Kërkimit Shkencor.
Qëllimi i këtij seminari ishte të theksonte dhe nënvizonte rëndësinë e një prej objektivave kryesorë të Planit të Zhvillimit Strategjik të EUROSAI-it 2011-2017 :  forcimin  e pavarësisë së SAI-ve.
Seminari u kombinua me  sesione  plenare dhe  me diskutime në tavolina të rrumbullakta në lidhje me tematikën kryesore.
Në seancat plenare, diskutimet u mbajtën nga përfaqësuesit e dy SAI-ve organizatore Franca dhe Hungaria dhe u prekën çështje të kuadrit ligjor si : Deklaratat e Limës, Meksikos dhe rëndësia e tyre; Rezoluta e Kombeve të Bashkuara A/66/209 mbi pavarësinë e SAI-ve. Me shumë interes u ndoq nga pjesëmarrësit diskutimi i z. Jean Raphael Alventosa, Drejtor i Marrëdhënieve me Jashtë në Gjykatën Franceze të Llogarive në lidhje me boshllëkun që ekziston midis pavarësisë formale dhe reale të SAI-ve dhe mundësitë e reduktimit të këtij hendeku.
Në seminar u evidentua fakti qe SAI-et mund të përmbushin detyrat e tyre në mënyrë efikase, nëse zgjedhin në mënyrë krejtësisht të lirë subjektet e auditimit, çështjet që do të auditohen, metodat e auditimit dhe nëse janë të lirë në pikëpamje të organizimit dhe menaxhimit të institucionit të tyre. Gjithashtu, audituesit duhet të jenë të lirë  të kenë akses të pakushtëzuar dhe në kohen e kërkuar prej tyre në të gjitha dokumentet dhe informacionet për të cilat ata kane nevojë për përmbushjen e përgjegjësive të tyre.
Në seancat e pasdites së seminarit u organizuan diskutime në lidhje me disa çështje të rëndësishme që lidhen me pavarësinë e SAI-ve si :
Pavarësia organizative :
•Nga buron mandati i SAI-it?
•Ku raporton SAI për veprimtarinë e tij dhe nga kush varet ?
•Cila është forma e organizimit të SAI-t dhe a ndikon kjo në pavarësinë e tij?
•Si zgjidhet Kryetari/Presidenti i SAI-t dhe sa është kohëzgjatja e mandatit të tij ?
•Cilat janë rregullat në fuqi që luftojnë/evitojnë konfliktin e interesit ?, etj
Pavarësia ligjore :
•Si përcaktohet plani vjetor i Auditimit të një SAI ?
•Çfarë subjektesh ka të drejtë të auditojë SAI ?
•A kanë të drejtë subjektet e audituara të japin mendimin e tyre për gjetjet e konstatuara nga SAI, përpara publikimit të raportit final?
•A vendos SAI në mënyrë krejtësisht të lirë për përmbajtjen e raporteve finale të auditimeve të tyre ?
•Si auditohen llogaritë dhe performanca e SAI-t dhe nga kush?
Ne fund pjesëmarrësit diskutuan për të ardhmen e  Pavarësisë së SAI-ve dhe për rrugën që duhet ndjekur për ta ruajtur dhe forcuar këtë pavarësi, duke ju përshtatur kushteve të reja.