Njoftime

Takimi i Rrjetit të Koordinatorëve të SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së, Kandidate dhe Kandidate të mundshme për në BE

11.04.2014

Takimi i Rrjetit të Koordinatorëve të SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së, Kandidate dhe Kandidate të mundshme për në BE, me pjesëmarrjen e ECA-s dhe SIGMA-s, si edhe bashkëpunimin e JWGAA (grupit të punës për aktivitetet e përbashkëta në auditim)
Në datat 9-11 prill 2014, u zhvillua në Kopenhagen, takimi i radhës i rrjetit të koordinatorëve të SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së, Kandidate dhe Kandidate të mundshme për në BE, me pjesëmarrjen e ECA-s dhe SIGMA-s, si edhe bashkëpunimin e JWGAA (grupit të punës të përbashkët për aktivitetet në auditim). Takimi ishte i organizuar nga Zyra e Auditimit të Danimarkës (Rigsrevisionen) dhe u zhvillua në mjediset e këtij institucioni.

group photo

9 Prill 2014
U zhvillua takimi i rrjetit të koordinatorëve të SAI-ve të vendeve Kandidate dhe Kandidate të mundshme për në BE, me pjesëmarrjen e ECA-s dhe SIGMA-s, si edhe bashkëpunimin e JWGAA. Takimi drejtohej nga zj.Iva Vasilic, përfaqësuese e SAI-t të Serbisë në bashkëpunim me Martin Kolman, përfaqësues i SAI-t të Republikës Çeke dhe njëkohësisht bashkëdrejtues i JWGAA. Nga KLSH morën pjesë, zj.Dëshira Huqi, përgjegjëse për Marrëdhëniet me jashtë dhe zj.Erjola Meçaj, asistent audituese.
Pas miratimit të axhendës së punimeve, u vijua me prezantimin nga përfaqësuesja e SAI-t të Malit të Zi, të përmbledhjeve të dy takimeve të zhvilluara në Budva në nëntor 2013, Konferenca mbi «Rëndësinë e rritjes së marrëdhënieve konstruktive ndërmjet SAI-ve dhe Parlamentit», si dhe takimi i Presidentëve të SAI-ve të vendeve Kandidate dhe Kandidate të mundshme. Nga pjesëmarrësit u theksua rëndësia e zhvillimit për herë të parë të kësaj Konference dhe fillimi si një praktikë e mirë për t’u ndjekur dhe në të ardhmen. Gjithashtu, u vlerësua mjaft miratimin gjatë punimeve të Konferencës i një seti elementësh (toolkit) referuar marrëdhënieve ndërmjet SAI-ve dhe Parlamenteve.
Diskutimet vijuan lidhur me aktivitetet për të ardhmen e këtij Rrjeti, në bazë të Planit të Punës të miratuar në takimin e Budva-s. Kështu, takimet e miratuara janë:
- Workshopi mbi materialitetin dhe metodat e kampionimit, për t’u zhvilluar në Shqipëri;
- Konferenca mbi rolin e SAI-ve në luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit, për t’u zhvilluar në Bosnje dhe Hercegovinë;
- Konferenca mbi kuadrin analitik, për t’u zhvilluar në Turqi;
- Tryeza e rrumbullakët mbi raportet dhe opinionet e auditimit, për t’u zhvilluar në Serbi.
Z.Dragos Budulac, bashkëdrejtues i JWGAA, grup i cili kryen edhe koordinimin e aktiviteteve për projektin e Auditimeve paralele të Performancës mbi Eficiencën Energjitike, prezantoi përgatitjet lidhur me zbatimin e këtyre aktiviteteve. Në diskutime morën pjesë edhe zj.Christina Sand dhe z.Isak Reichel, përfaqësues të Zyrës Suedeze të Auditimit, të cilët janë të ngarkuarit e kësaj zyre për të zhvilluar trajnimet në kuadër të këtij projekti. Aktualisht, SAI suedez ka zhvilluar në bazë rajonale dhe e ka mbështetur procesin e auditimit, ndërmjet ZAP-t të Kosovës dhe KLSH-së. Pjesëmarrës në projekt janë SAI-t e Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnje - Hercegovinës, ndërsa vëzhgues janë SAI-t e Turqisë, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Përfaqësuesit e SAI-t suedez u shprehën se qëllimi kryesor është zhvillimi i katër workshopeve për periudhën 2014/2015, duke filluar nga Maji 2014 me buxhetin e SAI-t suedez. KLSH do të presë workshopin e parë 3-ditor mbi «Përzgjedhjen e çështjeve për auditimin paralel dhe formulimin e problematikave».
Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit i uruan mirëseardhjen për herë të parë në këtë Rrjet, përfaqësueses së ZAP-it të Kosovës.

10-11 Prill 2014
Takimi i koordinatorëve të rrjetit të SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së, u hap me fjalën e mirëseardhjes së Auditueses së Përgjithshme të SAI-t danez, zj.Lone Strom. Në vijim u miratuan axhenda e punimeve dhe minutat e takimit të mbajtur në Budapest në maj 2013.
Diskutimet në vijim u përqëndruan në prezantimin e çështjeve kryesore dhe zhvillimeve për t’u marrë në konsideratë nga Komiteti i Kontaktit, që do të mblidhet në tetor 2014, në Luksemburg.
Lidhur me gjëndjen e aktiviteteve të bashkëpunimit të Komitetit të Kontaktit për 2013-2014, përfaqësuesit e Grupeve të Punës dhe Task Forcave të Komitetit të Kontaktit prezantuan një informacion rreth takimeve të zhvilluara mbi forcimin e qeverisjes fiskale dhe ekonomike, Unionin bankar - Mekanizmin e mbikqyrjes, rolet dhe detyrat e auditimit të jashtëm publik në kuadër të zhvillimeve të fundit në qeverisjen ekonomike të BE-së, auditimin e politikave fiskale, zhvillimet në qeverisjen ekonomike të BE-së si dhe mbi negociatat në vazhdim të BE-së lidhur me EPSAS (European Public sector Accounting Standards).
SAI i Polonisë, prezantoi rezultatet e anketës të kryer mbi bashkëpunimin e SAI-ve me institucionet respektive të statistikave lidhur me të dhënat statistikore për tregues ekonomikë në vendet e BE-së si dhe përditësimin mbi Udhëzuesin Procedural të Komitetit të Kontaktit ku u propozua që Komitetit të Kontaktit, t’i paraqiteshin për miratim disa ndryshime lidhur me procedurën e shkruar, mbledhjet e Komitetit të Kontaktit në rastet e rëndësisë së veçantë, si dhe kërkesat mbi takime të jashtëzakonshme duke specifikuar detajet.
U diskutua gjerësisht edhe lidhur me funksionimin e grupeve të punës së ngritura dhe lënien në fuqi ta atyre grupeve, të cilat ishin aktive dhe që funksiononin rregullisht. Në këtë kontekst, SAI i Rumanisë informoi lidhur me aktivitetet e Grupit të Punës për VAT dhe SAI i Hollandës mbi aktivitetet e Rrjetit për Raportet kombëtare të SAI –ve të vendeve anëtare të BE-së mbi Menaxhimin financiar.
SAI-t e Danimarkës, Suedisë dhe Polonisë, informuan lidhur me disa aktivitete të zhvilluara në kuadrin e trendeve më të fundit në BE në fushën e auditimit, si «Auditimi i autoriteteve daneze mbi absorbimin e fondeve të BE-së», «Programi i zhvillimit rural të BE-së», nga SAI suedez dhe auditimi mbi «zbatimin e Politikës Strukturale 2014-2020» nga SAI polak.
Në përfundim, u miratuan nga koordinatorët për t’iu paraqitur Komitetit të Kontaktit, rezoluta mbi përcaktimin e Mekanizmit të paralajmërimit të Komitetit të Kontaktit për një veprimtari sa më eficiente dhe efektive në shërbim të SAI-ve anëtare si dhe rezoluta mbi EPSAS (European Public sector Accounting Standards).
U përcaktua gjithashtu që tema kryesore e takimit të ardhshëm të Komitetit të Kontaktit të jetë «Rritja e bashkëpunimit ndërmjet SAI-ve anëtare të Komitetit të Kontaktit; mundësitë dhe risqet në përmbushjen e sfidave të dala nga raporti i Parlamentit Europian lidhur me rolin e ECA-s në të ardhmen.