Njoftime

Vizita zyrtare e z.Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së pranë Institucionit Suprem të Kontrollit të Polonisë.

16.05.2014

Në datat 12-14 maj 2014, me ftesë të Presidentit të Institucionit Suprem të Kontrollit të Polonisë, NIK z. Krzysztof Kwiatkowski, z.Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, zhvilloi një vizitë zyrtare pranë këtij institucioni.
Një prej zhvillimeve më të rëndësishme gjatë qëndrimit të z.Leskaj në Poloni, ishte prezenca në Këshillin e NIK-t polak. Në respekt dhe vlerësim të bashkëpunimit me KLSH-në, presidenti Kwiatkowski i shprehu z.Leskaj ftesën për të mbajtur fjalën e hapjes në sesionin e radhës së Këshillit të NIK.
Kryetari i KLSH-së është i ftuari i parë në të gjithë historinë e NIK-t polak, i cili merr pjesë dhe mban fjalën e hapjes në një nga sesionet e këtij Këshilli. Këshilli i NIK është një strukturë e pavarur, e cila në përbërje të saj ka përveç anëtarëve të NIK-t edhe figura të shquara të botës akademike polake në fushat e drejtësisë dhe ekonomisë.
Kryetari i KLSH-së, në fjalën e tij përshëndetëse, shprehu falenderimet për ftesën e bërë dhe theksoi privilegjin e kësaj mundësie, si dhe vlerësimin e lartë dhe respektin për NIK-n polak si një nga partnerët kryesorë të KLSH-së drejt rrugës së zhvillimit në përputhje të plotë me standartet e INTOSAI-t.
Ai u shpreh se audituesit shqipëtarë dhe KLSH, ishin krenarë për sukseset e NIK-t polak në arenën ndërkombëtare dhe ishin mirënjohës si dhe të inkurajuar nga të paturit një nga partnerët më të mirë të tyre, Institucionin Suprem të Auditimit  të Polonisë, i cili ka dhënë ndihmën e tij të pakushtëzuar për zhvillimin e qëndrueshëm dhe modernizimin e mëtejshëm të KLSH-së, gjatë vitit 2012 dhe në vijim.
Z.Leskaj theksoi se një nga faktorët e rëndësishëm në eksperiencën e NIK, ishte lufta ndaj mashtrimit në administratën publike dhe se KLSH ishte mjaft e interesuar për ta vazhduar dhe zgjeruar këtë ekperiencë të fituar nga NIK, në përsosjen e metodologjive të auditimit, zhvillimin e auditimeve të performances kombinuar me ato financiare, ashtu siç ishte mjaft e interesuar edhe në thellimin dhe vazhdimin e trajnimeve të audituesve shqipëtarë në Poloni dhe aktiviteteve të përbashkëta. Gjithashtu përshëndeti punën e bërë nga ish-Presidenti Jezierski në arritjen e këtij bashkëpunimi të suksesshëm dhe sa shumë KLSH dhe audituesit e saj, kishin mësuar prej aktiviteteve të ndërsjella të zhvilluara deri më tani
Z.Leskaj u shpreh ky ishte një vit i rëndësishëm për Poloninë, ku janë festuar 10 vjetori i anëtarësimit në BE dhe kanonizimi i një figure të shquar dhe vlerësuar në të gjithë botën si Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II, Papa i parë që vizitoi Shqipërinë dhe së shpejti do të përkujtohej 25 vjetori i Solidarnos, si edhe 15 vjetori i anëtarësimit në NATO.
Viti 2014 shënon edhe 54 vjetorin e anëtarësimit të NIK-t në INTOSAI. Z.Leskaj theksoi se NIK është dhe mbetet një nga SAI-t më aktivë duke zgjeruar njohuritë mbi standartet e auditimit dhe praktikat më të mira, ashtu si edhe duke shkëmbyer eksperiencat dhe arritjet e tij me shumë SAI të tjerë.
NIK bashkëpunon me partnerët e tij brenda kuadrit të EUROSAI-t si dhe mbështet audituesit e Gjykatës Europiane të Llogarive në misionet e tyre në Poloni. Në vitin 2012, NIK u emërua si auditues i jashtëm i Organizatës Europiane për Kërkimin Nuklear për vitet 2013-2015 si dhe auditues i jashtëm i Këshillit të Europës, ku KLSH dha mbështetjen maksimale për kandidaturën e NIK.
Me vlerësim të veçantë, z.Leskaj u shpreh edhe për kontributin që jep Ambasadori i Republikës së Polonisë në Tiranë, z.Marek Jeziorski jo vetëm në aktivitete dhe pjesëmarrje të ndryshme, por edhe duke qenë prezent në median e shkruar shqiptare, ku artikulli më i fundit me titull, “Cilat ishin tiparet kryesore të aderimit të Polonisë në BE”, është një mësim dhe shembull për të gjithë shqipëtarët.
Më tej, z.Leskaj vijoi me një ekspoze përmbledhëse lidhur me organizimin dhe funsksionimin e KLSH-së, duke e mbyllur fjalimin e tij me falenderimet e përzemërta për të gjithë mbështetjen e dhënë nga ish-presidenti Jezierski dhe presidenti aktual, z.Kwiatkowski dhe vazhdimësinë e bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet dy institucioneve.
Gjatë qëndrimit në Poloni, z.Leskaj i shoqëruar edhe nga z.Jezierski, zhvilloi një vizitë edhe pranë degës rajonale të NIK-t në qytetin e Gdanskut, ku u prit në një takim të veçantë nga drejtuesja e kësaj dege, zj.Alicja Szczepaniak dhe auditues të kësaj dege. Zj.Szczepaniak bëri një përshkrim të organizimit dhe zhvillimit të punës në këtë degë rajonale dhe foli për arrtitjet e deritanishme.
Pas një prezantimi të z.Jezierski për Kryetarin e KLSH-së, Z.Leskaj e filloi fjalën e tij përshëndetëse në shenjë respekti për miqtë polakë me një përmbledhje të simboleve polake, të cilat janë përkthyer në shqip, të disa prej figurave më të shquara të këtij kombi si Papa Gjon Pali i II, Shopeni, Koperniku, Lech Walesa, etj si dhe të disa aspekteve të përbashkëta të dy kulturave tona. Gjithashtu ai u shpreh se qyteti i Gdanskut ishte një simbol i demokracisë jo vetëm për Poloninë, por për të gjithë botën, vendi ku Lech Walesa dhe Solidarnos, drejtuan një protestë mbarëkombëtare drejt transformit paqësor në demokraci të të gjithë Europës lindore. Përmbledhja e Simboleve Polake si dhe botimet e KLSH-së, “Auditimi Publik” nr.6 dhe “Konferenca Shkencore e KLSH-së, II”,  u vlerësuan dhe mirëpritën mjaft nga pjesëmarrësit në takim.
Në përfundim, u zhvillua një sesion pyetje-përgjigje, ku audituesit polakë shfaqën interesin e tyre lidhur me organizimin dhe funksionimin e KLSH-së në pyetjet drejtuar z.Leskaj.

Në ditën e parë të vizitës, takimi ndërmjet z.Kwiatkowski dhe z.Leskaj, në praninë edhe të ish-Presidentit të NIK-t polak, z.Jacek Jezierski si edhe të zv.Presidentit, z.Wojchiec Kutyla, u zhvillua në një atmosferë mjaft miqësore dhe të ngrohtë. Z.Kwiatkowski i uroi mirëseardhjen z.Leskaj dhe delegacionit dhe shprehu kënaqësinë e tij të veçantë për marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy institucioneve si dhe ecurinë mjaft të suksesshme të saj.

Presidenti i NIK-t shprehu gatishmërinë e tij të plotë dhe theksoi se ky bashkëpunim i konsoliduar tashmë, do të vazhdonte edhe në të ardhmen me të njëjtin intensitet. Gjithashtu ai u shpreh se NIK-u polak, ishte i gatshëm të jepte të gjithë kontributin e tij në zhvillimin dhe modernizimin e mëtejshëm të KLSH-së, nëpërmjet vazhdimësisë së trajnimeve, aktiviteteve të përbashkëta, etj në mbështetje të KLSH-së.

Kryetari i KLSH-së, z.Leskaj e falenderoi homologun polak për të gjithë mbështetjen e dhënë, si dhe për ri-theksimin e vazhdimësisë së këtij bashkëpunimin shumë domethënës dhe të rëndësishëm për KLSH-në, duke marrë në konsideratë traditën e gjatë të punës dhe përparimet e NIK-t si një ndër institucionet më moderne dhe të zhvilluara brenda komunitetit EUROSAI dhe INTOSAI.

Në një takim pune të veçantë, z.Leskaj dhe zv.presidenti i NIK, z.Kutyla, diskutuan dhe përcaktuan më në detaje aktivitetet në vijim dhe koordinimin e punës për aktivitetet që do të zhvillohen në vazhdim.

4 5

Z.Leskaj në ditën e fundit të qëndrimit në Poloni, zhvilloi dhe një takim pune me z.Roman Maguta, Kryetar i Dhomës së Llogarive të Ukrainës, i cili ndodhej në Poloni me rastin e zhvillimit të punimeve të Task Forcës së EUROSAI-t për auditimet në rastet e katastrofave. Gjatë takimit, z.Maguta shprehu kënaqësinë e tij për takimin, si dhe e ftoi KLSH-në t’i bashkohej kësaj Task Force. Task Forca e EUROSAI-t për auditimin në rastet e katastrofave e kryesuar nga SAI i Ukrainës, përbëhet nga 16 SAI europiane dhe është krijuar me një rezolutë të miratur në Kongresin e VII të EUROSAI-t në Krakovë në 2008. Misioni i saj është të koordinojë dhe konsolidojë përpjekjet e SAI-ve europiane drejt rritjes së ndërgjegjësimit mbi fatkeqësitë dhe katastrofat si dhe të ndihmojë qeveritë të zhvillojnë instrumente efektive dhe eficiente në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të tyre.  Gjatë Kongresit të ardhshëm të EUROSAI-t në Hagë, kjo Task Forcë do të miratohet si një Grup Pune.

Në këtë vizitë, z.Leskaj, Kryetar i KLSH-së, shoqërohej nga zj.Dëshira Huqi, përgjegjëse sektori për marrëdhëniet me jashtë dhe zj.Valentina Golemi, audituese.