2,35 miliard lekë ose 16,9 milion euro rezultojnë shkeljet e ligjishmerisë.
31.05.2014
KLSH kallëzon në Prokurori ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës së bashku me 4 ish-drejtorë të drejtorive përkatëse në këtë autoritet, si dhe 4 nëpunës të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës
Kontrolli i Lartë i Shtetit përfundoi më datë 19.05.2014 auditimin e iniciuar në Autoritetin Portual Durrës dhe Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës me objekt “Për zbatimin e ligjshmërisë, rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare dhe vlerësues”. Ky auditim ka përfshirë periudhën e veprimtarisë ekonomike-financiare të Autoritetit Portual Durrës, nga data 01.09.2010 deri më datën 31.10.2013.
Referuar shkeljeve të konstatuara nga ky auditim dhe të trajtuara më hollësisht në raportin përfundimtar të auditimit, vlera e fondeve të menaxhuara në kundërshtim me dispozitat ligjore arrin në vlerën 2.35 miliard lekë ose 16,9 milion Euro.
Shkeljet kryesore të trajtuara në këtë raport auditimi kanë të bëjnë me shkeljen e ligjit në:
-zhvillimin e procedurave për dhënien me koncension të një pjese të aktivitetit të APD-së,
-zbatimin e kontratave me subjektet private që operojnë në Autoritetin Portual Durrës,
-procedurat e prokurimeve për investime (blerje mallrash dhe shërbimesh) si dhe zbatimin e kontratave respektive,
-administrimin e vlerave materiale financiare të APD-së,
-përfitimin e padrejtë nga ana e punonjësve të MPPT-së, si pasojë e pagesave të kryera ndaj tyre nga shoqërive të ndryshme koncensionare për hartimin e dokumentacionit të procedurave koncensionare, etj
Më konkretisht, nga auditimi i procedurave për dhënien me koncension të një pjese të aktivitetit të APD-së, u konstatua që procedura e përgatitjes së dokumentacionit të tenderimit, zhvillimi i procedurave të tenderimit, kualifikimi dhe shpallja fitues, lidhja e kontratave me shoqëritë konçensionre, si dhe zbatimi i tyre, nuk kanë qenë konform dispozitave përkatëse ligjore. Si pasojë e këtyre veprimeve, në lidhjen e kontratave koncensionare nuk janë mbrojtur interesat e shtetit përsa i përket shfrytëzimit të territorit të APD-së nga ana e shoqërive koncensionare si dhe përqindjes së ndarjes së të ardhurave nga tarifat operacionale portuale.
Gjithashtu, nga auditimi i procedurave koncensionare rezultoi që në kontratat e lidhura me shoqëritë koncensionare nuk janë mbajtur parasysh kostoja totale e investimeve të kryera paraprakisht nga shteti dhe për të cilat APD-ja vazhdon të paguajë këstet dhe interesat e kredive të marra para dhënies me koncension, siç është dhe rasti i investimit të kryer në terminalin e trageteve me vlerë 22,9 milion Euro.
Përsa i përket marrëveshjeve koncensionare, nga auditimi rezultoi se në disa prej tyre, nuk ishin zbatuar detyrimet përkatëse për kryerjen e investimeve dhe këto shoqëri koncensionare, në veprimtarinë e tyre, kanë dalë jashtë aktivitetit të përcaktuar në marrëveshjen koncensionare.
Nga auditimi i disa prej procedurave të prokurimeve për investime si dhe zbatimin e kontratave respektive të tyre, rezultoi që hartimi i dokumentacionit të tenderimit, zhvillimi i procedurave të tenderimit, kualifikimi dhe shpallja fitues, lidhja e kontratave me operatorët fitues, si dhe zbatimi i tyre, janë kryer në kundërshtim me ligjin.
Më konkretisht, nga auditimi rezultoi që studimi i vlerës së kontratës nuk ka qenë plotësisht i saktë, në hartimin e dokumentave të tenderit nuk janë dhënë argumentime mbi vendosjen e çdo kriteri të veçantë për kualifikim, specifikimet teknike nuk janë hartuar plotësisht në përputhje me nenin 23 të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, anulimi i procedurave të prokurimit nga autoriteti kontraktor është kryer pa analizuar dhe nxjerrë përgjegjësitë e kërkuara nga Ligji nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, duke rezultuar në disa raste edhe në shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera.
Gjithashtu, nga auditimi rezultoi që nga ish-drejtuesit e APD-së janë lidhur kontrata në kundërshtim me dokumentet standarte të tenderit (terma referencës). Në lidhjen e kontratave përkatëse me operatorët fitues, këtyre subjekteve u janë krijuar favore të ndryshme si paradhënie në vlera të konsiderueshme, shtyrje të afatit të fillimit të zbatimit të kontratave, etj.
Për të gjitha shkeljet e konstatuara më sipër dhe të trajtuara më hollësisht në raportin përfundimtar të auditimit, KLSH-ja ka rekomanduar në total, 42 masa organizative, 18 masa zhdëmtimi, 26 masa administrative, 12 masa disiplinore si dhe ka depozituar pranë organit përkatës të prokurorisë 2 kallëzime penale për ish-drejtorin e përgjithshëm të APD-së së bashku me 4 ish-drejtorë të drejtorive përkatëse në këtë autoritet, si dhe 4 nëpunës të MTI-së (ish MPPT).
Në lidhje me kallëzimet penale të hartuara nga KLSH-ja ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të sipërpërmendur, në to trajtohen shkeljet e konstatuara në drejtim të procedurave koncensionare me objekt “Menaxhimi, operimi, mirëmbajtja dhe përmirësimi teknik të terminalit të kontenereve në Portin e Durrësit” me një efekt financiar 2,2 miliard Lekë, si dhe në kryerjen e procedurave të prokurimit “Kryerje e remontit të përgjithshëm të dy elektrovincave 16 ton dhe 27.5 ton” dhe “Mirëmbajtja teknike e mjeteve, mekanizmave dhe pajisjeve industriale në zotërim të APD-së” me vlerë 22,8 milion Lekë.
Në kallëzimin e bërë nga KLSH-ja në lidhje me procedurat koncensionare me objekt “Menaxhimi, operimi, mirëmbajtja dhe përmirësimi teknik i terminalit të konteinereve në Portin e Durrësit”, trajtohen shkeljet e konstatuara në lidhje me:
-Mosvlerësimin me korrektësi të të gjitha detajeve të projektit të paraqitur, pasi vlera e investimeve prej 32,500,000 USD të propozuara për përmirësimet teknike të terminalit nga koncesionari, është në kundërshtim të plotë me marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet MPPT-së dhe shoqërisë koncensionare.
-Mungesën e transparencës me operatorët ekonomikë të interesuar për pjesëmarrje në koncesion si dhe zhvillimin e procedurave të tenderimit vetëm me njё operator ekonomik. Si pasojë e këtyre veprimeve është shmangur konkurrenca e nevojshme në zhvillimin e procedurave të tenderimit për koncesion, në kundërshtim me VKM nr. 27, datë 19.01.2007 “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve” i ndryshuar.
Në kallëzimin e bërë nga KLSH-ja, në lidhje me kryerjen e procedurave të prokurimit “Kryerje e remontit të përgjithshëm të dy elektrovincave 16 ton dhe 27.5 ton” dhe “Mirëmbajtja teknike e mjeteve, mekanizmave dhe pajisjeve industriale në zotërim të APD-së”, trajtohen shkeljet e konstatuara në lidhje me:
-Kryerjen e amendimeve të kontratës nr. 1771, datë 14.07.2011 duke shkelur barazinë në tender,
-Organizimin përveç tenderit “Kryerje e remontit të përgjithshëm të dy elekrovinçave 16ton dhe 27.5 ton” edhe të dy tenderave të tjerë për pjesë këmbimi eletrike, eletronike për vinça portal dhe shërbimin për transportin e pjesëve të eletrovinçave, nëpërmjet të cilave, në të vërtetë, synohej të realizoheshin detyrimet kotraktuale të operatorit ekonomik fitues të tenderit të parë,
-Kryerjen e transferimit të 2 elektrovinçave (16ton dhe 27 ton) për llogari të shoqërisë koncensionare, duke mospërfshirë në të vlerën prej 22,800 mijë Lekë të kryer nga APD-ja për remontin e këtyre elektrovinçave,
-Lidhjen e kontratës nr. 483 prot, datë 17.02.2009, me numër reference 65 PH 2008, ndërmjet APD-së dhe operatorit ekonomik, me objekt “Mirëmbajtja teknike e mjeteve mekanizmave dhe pajisjeve industriale në zotërim të APD-së”, në kundërshtim me dokumentat standarde të tenderit (terma referencës), dokument mbi bazën e të cilës është zhvilluar procedura e prokurimit.
Si rrjedhojë, operatori ekonomik, fitues i këtij tenderi, është favorizuar nëpërmjet dhënies paradhënie në vlerë të konsiderueshme si dhe shtyrje të afatit të fillimit të zbatimit të kontratës.
Për të gjitha shkeljet e mësipërme të kryera nga ish drejtuesit e APD-së dhe nëpunësit e MTI-së (ish MPPT), KLSH-ja ka depozituar pranë organit përkatës të prokurorisë kallëzimet përkatëse penale për konsumimin e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 248 dhe nga neni 258 i Kodit Penal.
Nga auditimi i investimeve të kryera nga APD-ja, rezultoi që investimi për sistemin e integruar të peshimit elektronik, me vlerë 47 milion Lekë, i cili do të përshpejtonte procedurat e brendshme të operimit në APD, rritjen e sigurisë së veprimeve, miradministrimin e të ardhurave të APD-së, si dhe rritjen e cilësisë dhe shpejtësisë së shërbimit përkundrejt operatorëve, aktualisht vazhdon të mos përdoret nga ana e APD-së pa asnjë arsye të justifikueshme.
Gjithashtu, bazuar në gjetjet e këtij auditimi, KLSH i ka kërkuar APD-së, që të kërkojë në rrugë administrative dhe gjyqësore arkëtimin e vlerës totale prej rreth 62 milion lekë nga operatori ekonomik “L 1”, të cilat përbëjnë përqindjen e të ardhurave që i kalon APD-së nga aktiviteti i operatorit dhe shumën e sigurimit të kontratës për moslikuidimin në afat të detyrimeve.
Ndër të tjera, KLSH ka rekomanduar një sërë masash për përmirësimin e punës në Autoritetin Portual Durrës, ndër të cilat:
-Analizimin nga Këshilli Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD-së, të shkaqeve, faktorëve dhe përgjegjësive për mosrealizimin e investimeve, të cilat janë realizuar përkatësisht vetëm në masën 46% për vitin 2011, në masën 71% për vitin 2012 dhe në masën 64% për vitin 2013.
-Për të gjitha kontratat e qirave të lidhura nga APD, për dhënien me qira të pasurisë, të mbahen nga strukturat e monitorimit të kontratave akt rakordime me subjektet përkatëse qiramarrëse, për respektimin e kushteve të kontratës, sipas përcaktimeve në VKM nr. 529, datë 08.06.2011 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”.
-Të rinegociohet kontrata e koncesionit e datës 22.06.2011, në lidhje me nivelin e investimit të operatorit sipas marrëveshjes së nënshkruar nga MPPT më datë 31.08.2009, pika “ii”, faqe 4, ku përcaktohet se: “...ngritja e terminalit të kryhet në maksimumin 5 faza, ku punimet për fazën e parë, të jenë jo më pak se 40 milion euro që të shërbejnë kapaciteteve prej 150,000 TEU/vit dhe të përfundojë brenda 3 (tre) viteve nga nënshkrimi i kontratës koncesionare”.
-Ministria e Transportit dhe e Infrastrukturës të rinegociojë kontratën e koncesionit datë 22.08.2013, me objekt: “Menaxhimi, operimi, mirëmbajtja dhe përmirësimi teknik, të Terminalit të Trageteve, në Portin e Durrësit”, në lidhje nivelin e investimit privat dhe përqindjen (royalty) fikse për Autoritetin Portual Durrës, sipas parashikimeve të VKM-së nr. 546, datë 28.05.2009 “Për miratimin e master planit për zhvillimin e Portin e Durrësit”, meqenëse terminali është rinovuar tërësisht, në një vlerë prej 22.9 milion Euro, investim i përfunduar nga APD, në fund të vitit 2012.
-Nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv në bashkëpunim dhe me Degën e Doganës Durrës, të merren masa që të vihet në përdorim peshorja elektronike e blerë me kontratën me numër reference 53PH 2012, me vlerë 47 milion Lekë, e cila nga auditimi rezultoi e pa vënë punë.
-Këshilli Drejtues i APD-së, të marrë masa që mbledhjet vjetore të zhvillohen të hapura për publikun, në zbatim të Ligjit nr. 9130, datë 08.09.2003 “Për Autoritetin Portual”, neni 25 dhe VKM nr. 596, datë 10.09.2004 “Për miratimin e statutit të Autoritetit Portual Durrës dhe për riorganizimin e tij”, neni 11 pika 3, neni 14, pika 8.
Një kopje e raportit përfundimtar të auditimit dhe materialeve të tjera shoqëruese do t’i dërgohet ILDKPKI-së, për të verifikuar ekzistencën e konflikteve të mundshme të interesit për ish-drejtuesit e APD-së në raport me subjektet koncensionare që operojnë në këtë autoritet.