KLSH në Kongresin e IX-të EUROSAI
21.06.2014
Në datat 16 deri më 19 Qershor 2014, në Hagë zhvilloi punimet Kongresi i IX-të i Organizatës Europiane të Institucioneve Supreme të Auditimit, EUROSAI, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga 50 Institucionet Supreme të Auditimit të Europës si dhe të tjerë të ftuar, ndër të cilët Gjykata Europiane e Llogarive, Organizata IDI dhe SIGMA..
Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua nga z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH, Sekretarja e Përgjithshme znj.Luljeta Nano, Drejtore Departamenti znj. Albana Agolli dhe Kryeaudituese znj. Evis Çela.
Inovacioni ishte tema qëndrore e këtij Kongresi, nën moton “Kur ka qenë hera e fundit që ke bërë diçka për herë të parë?” me synimin final për të kontribuar në përmirësimin e vazhdueshëm të auditimit publik.Në përmbushje të objektivave të tij, në këtë kongres diskutimet zyrtare u alternuan me paraqitje artistike dhe jo formale të njerëzve të suksesshëm nga bota e artit dhe biznesit. Kongresi ishte i konceptuar i ndarë në dy seanca plenare diskutimesh dhe prezantimesh, të cilat u zhvilluan në ditën e parë dhe të fundit si dhe nëworkshop-e të veçanta në dy ditët e tjera.
KLSH dha kontributin e tij në njërin nga këto workshop-e “Open mic” ku u prezantua bashkëpunimi i KLSH me Organizatat e Shoqërisë Civile, duke u fokusuar në rëndësinë dhe domosdoshmërinë e këtij bashkëpunimi si dhe në përfitimet që ai mbart. Ky prezantim ngjalli interes tek të pranishmit dhe u konsiderua një mënyrë inovative për të rritur llogaridhënien, transparencën dhe impaktin e SAI-t në publik. Gjithashtu, duke qenë se KLSH është pjesë e taskforcës së ngritur mbi integritetin dhe etikën, në bashkëpunim me SAI-n e Kroacisë, u krye moderimi i workshop-it mbi “Vlerën më të mirë të parasë nëpërmjet respektimit të etikës në procesin e prokurimit publik”. Ky workshop u fokusua në punën që SAI duhet të kryejë në këtë drejtim, duke identifikuar sjelljen jo etike në institucione.
Konkluzionet dhe rekomandimet e miratuara në Deklaratën përfundimtare të këtij Kongresi synojnë të japin orientime se si Institucionet Supreme të Auditimit në Europë do të punojnë në tre vitet e ardhshme, kryesisht në lidhje me inovacionin. Veprimet duhen ndërmarrë në tre fusha të ndryshme: kulturë dhe lidership, transmetimi i mesazhit dhe “open data”.
Në lidhje me kulturën dhe lidershipin u arrit në konkluzionin se:
•SAI duhet të jetë i hapur për risitë dhe të konsiderojë mundësitë për t’i bërë gjërat ndryshe
•Institucionet Supreme të Auditimit duhet të shpërndajnë eksperiencat brenda komunitetit EUROSAI
•Çdo SAI ka përgjegjësinë për të udhëhequr nëpërmjet shembullit.
Në këtë drejtim, EUROSAI do të kërkojë mënyra të reja nëpërmejt të cilave do të nxitet inovacioni në Institucione Supreme të Auditimit, do të inkurajojë auditimet e përbashkëta mbi çështje të caktuara dhe do të përforcojë qasje, teknika dhe produkte të reja auditimi.
Për sa i takon transmetimit të mesazhit u konkludua se:
•Institucionet Supreme të Auditimit duhet të janë vazhdimisht në një proces ndërveprimi me njëri-tjetrin, me qytetarët dhe qeverinë
•Një sipërmarrje e përbashkët do të ndihmonte SAI-t të ecinin përpara në drejtim të gjetjes së mënyrave inovative për të transmetuar mesazhin e tyre
Në këtë drejtim, EUROSAI do të marrë përsipër aktivitete që do të lehtësojnë ngritjen e kapaciteteve të SAI-eve, për të përcjellë mesazhet në mënyrë sa më efektive.
Në lidhje me“open data”, u ra dakort se:
•Ky proces ofron mundësi të reja për të vlerësuar performancën e qeverisë dhe rritur transparencën e përgjegjshmërinë.
•SAI-t duhet të rishqyrtojnë pozicionin, rëndësinë dhe rolin e tyre tradicional.
•“Open data” ndihmojnë lehëtësimin e punës së Institucioneve Supreme të Auditimit dhe për këtë arsye, ato duhet të nxisin implementimin e një sistemi të tillë transparent e të hapur për publikun.
Në këtë drejtim, EUROSAI do të nxisë diskutime të mëtejshme në komunitetin e Institucioneve Supreme të Auditimit, mbi mundësitë dhë përfitimet që vijnë nga aplikimi i “open data”.
Në ditën e parë të Kongresit, objekti i kristalit që përfaqëson EUROSAI-n iu dha në mënyrë simbolike presidentes të SAI-t të Hollandës, znj. Saskia J.Stuiveling nga z.Guilherme d’Oliveira Martins i Gjykatës së Llogarive të Portugalisë. Ky veprim shënoi edhe kalimin e presidencës së EUROSAI-t nga Portugalia në Hollandë për periudhën 2014-2017. Gjithashtu në Kongres u caktua edhe presidenca e rradhës e kësaj organizate, e cila do ti kalojë Turqisë së bashku me organizimin e Kongresit EUROSAI në vitin 2017.
Fjala e hapjes në ditën e parëtë Kongresit u mbajt ngapresidentja e SAI-t të Hollandës, znj. Saskia J.Stuiveling, e cila uroi mirëseardhjen për 220 delegatët pjesëmarrës dhe ftoi z. Guilherme d’Oliveira Martins të paraqiste eksperiencën e tij në lidhje me presidencën e EUROSAI-t për vitet 2011-2014. Më pas Sekretari i Përgjithshëm i EUROSAI-t, z. Ramon Alvarez de Miranda paraqiti në seancën e parë plenare një përmbledhje të aktiviteteve të tre viteve të fundit, duke përmendur publikimet e shumta dhe aktivitetin e të gjithë grupeve të punës dhe taskforcave të ngritura gjatë kësaj periudhe.
Më pas Kongresi vijoi me prezantimin e z.Ben Verëaayen, një nga njerëzit më të suksesshëm të biznesit në Europë, CEO i mëparshëm i British Telecom. Ai theksoi se audienca e këtij Kongresi përbëhej nga njerëz me pushtet në një fushë të caktuar dhe kjo i shtyn ata të ruajnë status-quon e tyre. Por, përkufizimi i tij për një lidership të suksesshëm është“nxitja e ndryshimit, edhe pse ky ndryshim mund të mos jetë në interesin tuaj personal”.
Më tej aitheksoi se në ditët e sotme të gjithë kanë akses ndaj informacionit, në çdo kohë dhe kudo. Ky fenomen ndikon gjithashtu në sistemin e auditimit, pasi me zhvillimin e “open data”, interneti ofron tashmë edhe informacione financiare që më parë nuk ishin publike.
Dita e dytë e Kongresit filloi ndryshe nga të tjerat, me shfaqjen e dy aktorëve që kanë themeluar njëlëvizje mjaft të njohur“Yes-but” të cilët nëprmjet një qasje mjaft optimiste, pretendojnë se nuk ekzistojnë probleme por vetëm fakte. Ata theksojnë diferencën ndërmjet qasjes destruktive “Yes-but” dhe asaj konstruktive “Yes-and” si dy mënyra të dryshme të menduari. Qasja e parë fokusohet në atë se çfarë mungon dhe krijon vazhdimisht probleme, ndërsa qasja e dytë fokusohet në atë se çfarëështë aty realisht dhe si mund të arrijmë në një zgjidhje. Kjo aftësi quhet “flip thinking”: si të transformojmë problemin në një shans/mundësi.
Më pas dita e dytë vijoi me workshope dhe seminare që trajtonin çështje nga më tëndryshmet dhe ku mund të merrnin pjesë të gjithë delegatët, duke përzgjedhur temat që paraqisnin më tepër interes për ta.
Seanca plenare në ditën e tretë u hap nga organizatorët e Konferencës Young EUROSAI të cilët theksuan se SAI duhet të punojë me zgjuarsi në disa drejtime në mënyrë që të jetë efektiv në një botë që ndryshon me ritme të shpejta. Konkretisht, SAI duhet të vendosë prioritete në punën e tij, duhet të gjejë mënyra të reja komunikimi si dhe duhet të shpërndajë, të njohë e të aplikojë praktikat më të mira.
Kongresi vijoi më tej me prezantimin e Frederik Ruys, ekspert i çështjeve grafike, i cili theksoi tendencën e ditëve të sotme për të vizualizuar dhe dizenjuar informacionin, në mënyrë që mesazhi i transmetuar të jetë më interesant dhe i thjeshtë për ata të cilëve u drejtohet. Në ditën e tretë u zhvillua edhe pjesa tjetër e workshop-eve të organizuar nga vetë vendet anëtare të EUROSAI-t pjesëmarrëse në Kongres.
Në ditën e katërt të Kongresit u mbajt seanca plenare e fundit e tij, ku pas prezantimeve e diskutimeve të shumta, u paraqitën dhe u miratuan konkluzionet dhe rekomandimet e këtij Kongresi.
Gjatë pjesëmarrjes në këtë Kongres, Kryetari i KLSH z.Bujar Leskaj zhvilloi biseda pune me z. Recai Akyel, President i Gjykatës Turke të Llogarive, me z. Jacek Jezierski, ish-President i NIK, ku u shkëmbyen idetë lidhur me ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe me procesin “peer review” (konsultim mes partneresh) që KLSH do të kërkojë në të ardhmen e afërt.
Z. Leskaj u takua dhe me homologë të tjerë të KLSH, si z. Ivan Klesic, Auditues i Përgjithshëm i SAI-t të Kroacisë, z. Lars Lage Olofsson, Auditues i Përgjithshëm i Kosovës, z. Radoslav Sretenoviç, President i Institucionit Shtetëror të Auditimit të Serbisë,z. Milan Dabovic, President i SAI-t të Malit të Zi, përfaqësues të Gjykatës Greke të Llogarive dhe z. Naser Ademi, zv/Auditues i Përgjithshëm i SAI-t të Maqedonisë.
Në këto biseda u diskutua rëndësia e ndërveprimit ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit si dhe u theksua bashkëpunimi aktual i suksesshëm që KLSH ka me disa prej tyre në fushat e trajnimit dhe shkëmbimit të informacionit.