Bashkëpunimi i KLSH me NJPH.
18.02.2015
Më datën 09.02.2015, Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga OPDAT-i Tiranë, me pjesëmarrjen e Kryetarëve të NJPH, përfaqësues nga Prokuroria e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Koordinatorët e NJPH nga dikasteret nënshkruese të Memorandumit të Bashkëpunimit të datës 6 Maj 2009.
Në këtë tryezë, nga Prokurorë Federal dhe përfaqësues nga Shërbimi i Brendshëm i Taksave (IRS) të SHBA-së, u zhvillua tema “Hetimi i pastrimit të parave dhe gjurmimi i parave”, në të cilën u trajtuan aspekte të hetimit në fushën e pastrimit të parave nga organizata kriminale që merren me trafikun e drogës, transaksionet e pa ligjshme që kryhen nëpërmjet sistemit bankar, kontrolli i pasurive të trafikantë dhe i të afërmve të tyre, etj, si dhe teknikat moderne që përdoren për hetimin në këto raste, duke i ilustruar me shembuj praktik.
Drejtoria e Hetimit të Krimit Ekonomik, Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Prokurorinë e Përgjithshme, prezantoi rezultatet e punës të NJPH për vitin 2014,duke u përqendruar kryesisht në punën e bërë nga këto njësi dhe nga institucionet e tjera nënshkruese të memorandumit,në drejtim të pastrimit të parave, korrupsionit dhe krimit ekonomik. Në diskutimin e tij përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme përmendi si shembull pozitiv KLSH për punën që ka bërë ky institucion, duke referuar në Prokurori një numër të lartë kallëzimesh penale, çka nuk ndodh me disa nga institucione të tjera.
Koordinatori i Kontrollit të Lartë të Shtetit për NJPH z. Pjetër Beleshi, prezantoi rezultatet e arritura gjatë vitit 2014, veçanërisht në drejtim të luftës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit. Në këtë diskutim u theksua se, gjatë vitit 2014 nga auditimet e ushtruara në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, për përdorimin me efektivitet, efiçencë dhe ekonomicitet të fondeve publike, pronës publike dhe asaj shtetërore, janë konstatuar mjaft parregullsi e shkelje të dispozitave ligjore duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëme ekonomike të konsiderueshme. Duke e konsideruar si kontribut në luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, nga KLSH gjatë vitit 2014, janë referuar në Prokurori 41 kallëzime penale për 149 persona me një vlerë dëmi ekonomik mbi 5 miliard lekë. Për disa prej tyre Prokuroria ka nisur dhe vazhdon hetimet. Krahasuar me vitin 2013, si numër janë bërë 4 kallëzime më tepër,si dhe janë paraqitur përpara organeve të drejtësisë më tepër 56 persona, çka tregon se KLSH është i motivuar të paraqesë përpara organeve të drejtësisë, të gjitha rastet që gjykon se përbëjnë vepër penale.
Në përfundim të tryezës Këshilltar Ligjor rezident për Anti-korrupsionin në OPDAT bëri konkluzionet e takimit dhe falënderoi pjesëmarrësit për diskutimet e tyre.