Njoftime

Takim i Rrjetit të Koordinatorëve të SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së, Kandidate dhe Kandidate të mundshme për në BE

24.03.2015

Takim i Rrjetit të Koordinatorëve të SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së, Kandidate dhe Kandidate të mundshme për në BE, me pjesëmarrjen e ECA-s dhe SIGMA-s, si edhe bashkëpunimin e JWGAA (grupit të punës për aktivitetet e përbashkëta në auditim)
Në datat 19-20 mars 2015, u zhvillua në Lubjanë, takimi i radhës i rrjetit të koordinatorëve të SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së, Kandidate dhe Kandidate të mundshme për në BE, me pjesëmarrjen e ECA-s dhe SIGMA-s, si edhe bashkëpunimin e JWGAA (grupit të punës të përbashkët për aktivitetet në auditim). Takimi ishte i organizuar nga Gjykata e Auditimit e Sllovenisë. KLSH u përfaqësua nga zj.Irena Islami, Drejtore Drejtorie dhe zj.Dëshira Huqi, specialiste.

lubjana

19 Mars 2015
Takimi i koordinatorëve të rrjetit të SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së, u hap me fjalën e mirëseardhjes së Audituesit të Përgjithshëm të SAI-t slloven, z.Tomas Vesel. Në vijim u miratuan axhenda e punimeve dhe minutat e takimit të mbajtur në Kopenhagen në prill 2014, si dhe të takimit të Komitetit të Kontaktit zhvilluar në Luksemburg në tetor 2014, respektivisht nga përfaqësuesit e SAI’t danez dhe ECA’s.
Diskutimet në vijim u përqëndruan në bazë të axhendës mbi Temën I lidhur me çështjet kryesore, zhvillimet e fundit dhe aktivitetet kryesore për t’u marrë në konsideratë nga Komiteti i Kontaktit, që do të mblidhet në 18-19 Qershor 2015 në Riga, Letoni.

Seminari që do të zhvillohet gjatë takimit ka si temë kryesore « Fondin Europian dhe Investimet Strategjike », si dhe do të zhvillohen edhe dy sesione paralele ndër të cilët, i pari mbi « Parandalimin dhe luftën kundër parregullsive dhe mashtrimit, si dhe bashkëpunimi me institucionet e forcimit të ligjit » dhe i dyti mbi « 2014-2020 kuadri financiar shumëvjeçar ».
Lidhur me gjëndjen e aktiviteteve të bashkëpunimit të Komitetit të Kontaktit, përfaqësuesit e Grupeve të Punës dhe Task Forcave të Komitetit të Kontaktit prezantuan informacione rreth propozimeve për Rrjetin e Auditimeve për Politikat Fiskale, lidhur me zhvillimin e auditimeve të përbashkëta në 2016 lidhur me çështjet e politikave fiskale dhe auditimin e mbikqyrjes së bankave në EU, ku u diskutua mbi rezultatet paraprake të dhëna nga pyetësori identifikues mbi vendet e eurozonës dhe ato jashtë saj, si dhe mbi mundësinë e zhvillimit të auditimeve të përbashkëta dhe rezultatet e mundshme.

Në vijim të diskutimeve të vitit të kaluar, SAI i Portugalisë raportoi mbi propozimet lidhur me Rrjetin Europa 2020, auditimet e mundshme të përbashkëta/koordinuara dhe u propozuan tre tematika si më kryesoret : promovimi i punësimit, konkurrenca dhe mjedisi i qëndrueshëm. Gjatë seminarit që do të zhvillohet në Lisbonë  në qershor 2015 lidhur me këto tematika, objektivat janë shkëmbimi i eksperiencave dhe përgatitja për kryerjen e auditimeve paralele për t’u prezantuar në 2016. U vijua më tej me propozimet e SAI’t hungarez mbi një auditim të përbashkët për përdorimin sa më të mirë të eksperiencave të shkëmbyera lidhur me konkurrencën, si dhe të SAI’t gjerman mbi situatën aktuale të auditimit paralel të zhvilluar nga anëtarët e Grupit të Punës mbi Fondet strukturore.

SAI i Italisë vijoi me propozimin e ngritjes së një Rrjeti Ekspertësh, i cili të ketë për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet SAI’ve lidhur me vlerësimin e pavarur në raportet që i paraqiten parlamenteve kombëtare, si dhe ngritjen e një Grupi Pune, i cili të ketë për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet SAI’ve lidhur me parandalimin dhe luftën kundër parregullsive dhe mashtrimit me qëllim mbrojtjen e të ardhurave në BE.
ECA dhe SAI i Letonisë prezantuan në vijim rezultatet e një anketimi të bërë tek SAI’t anëtare të Komitetit të Kontaktit mbi mundësinë e krijimit të një Task Force lidhur me rritjen e bashkëpunimit ndërmjet SAI’ve anëtare të Komitetit të Kontaktit, ku rezultoi se 11 SAI ishin të interesuar të merrnin pjesë, 14 SAI nuk ishin të interesuar dhe 4 SAI ende nuk kishin vendosur. Task Forca do të kryesohet nga ECA.
Tematika II në axhendën e punimeve përfshinte Organizimin dhe Qeverisjen e Komitetit të Kontaktit. Në këtë pikë u diskutua kryesisht mbi përmirësimin dhe rritjen e shkëmbimit të informacionit lidhur me auditimet e SAI’ve të BE-së ku SAI spanjoll informoi mbi ngritjen e një data baze të dhënash në faqen zyrtare të internetit të EUROSAI-t ku janë të renditura të gjitha auditimet e kryera nga SAI’t europiane sipas fushave përkatëse.

SAI i Polonisë më tej informoi mbi publikimin e dokumenteve në faqen zyrtare të internetit të Komitetit të Kontaktit dhe posterave të raporteve të Komitetit të Kontaktit mbi punën e SAI’ve për çështjet brenda BE-së.
ECA së fundi, informoi mbi vënien në praktikë të mekanizmit të paralajmërimit të Komitetit të Kontaktit për një veprimtari sa më eficiente dhe efektive në shërbim të SAI-ve anëtare për tematikat e lartpërmendura, si politikat fiskale, EPSAS (European Public sector Accounting Standards) etj.
Tematika e III në axhendë u përqendrua në diskutimet mbi aktivitetet e grupeve të tjera të punës të Komitetit të Kontaktit, Rrjeteve dhe Task Forcave, respektivisht mbi zhvillimet lidhur me EPSAS. SAI gjerman informoi se në fund të vitit 2015 pritej të hynte në fuqi kuadri rregullator për EPSAS dhe për periudhën 2015-2018 do të përgatitej përcaktimi i standarteve, për t’u aplikuar më pas në 2020 në të gjithë llogaritë individuale të BE-së.

Tematika IV në axhendë vijoi me prezantimin nga z.Dragos Budulac, drejtues i Grupit të punës për aktivitetet e përbashkëta në auditim, të aktiviteteve të Rrjetit të SAI’ve të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për në BE, si dhe strukturën e ardhshme të raporteve vjetore të grupit të punës për t’iu paraqitur Komitetit të Kontaktit.
Tematika V që përmbylli dhe axhendën kishte të bënte me informacionin që ECA dha mbi misionet e saj të auditimit dhe procedurat e shpejta të kontrollit në vendet anëtare të BE-së.

20 Mars 2015
U zhvillua takimi i rrjetit të koordinatorëve të SAI-ve të vendeve Kandidate dhe Kandidate të mundshme për në BE, me pjesëmarrjen e ECA-s dhe SIGMA-s, si edhe bashkëpunimin e JWGAA. Takimi këtë radhë drejtohej nga përfaqësueset e KLSH-së, zj.Irena Islami dhe zj.Dëshira Huqi në bashkëpunim me z.Dragos Budulac, përfaqësues i SAI-t të Rumanisë dhe njëkohësisht drejtues i JWGAA.
Pas miratimit të axhendës së punimeve, u vijua me prezantimin nga përfaqësuesja e SAI-t të Serbisë, të minutave të takimit të Kopenhagenit. 

Në vijim të axhendës, përfaqësuesja e SIGMA’s, zj.Bianca Breteche, shprehu edhe një herë gatishmërinë e këtij institucioni për të mbështetur këtë rrjet SAI’sh me gjithë kufizimet financiare. Mbështetja e SIGMA’s do të vijojë me ekspertë dhe me mbështetje ndaj stafit për grupet parapërgatitore të takimeve të miratuara në Planin e Punës të Presidentëve.
Axhenda vijoi me diskutimet lidhur me aktivitetet për të ardhmen të këtij Rrjeti në bazë të Planit të Punës të miratuar në takimin e Budva-s. Kështu, takimet e miratuara janë:
-Workshopi mbi materialitetin dhe metodat e kampionimit, për t’u zhvilluar në Shqipëri;
-Konferenca mbi rolin e SAI-ve në luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit, për t’u zhvilluar në Bosnje dhe Hercegovinë;
-Konferenca mbi kuadrin analitik, për t’u zhvilluar në Turqi;
-Tryeza e rrumbullakët mbi raportet dhe opinionet e auditimit, për t’u zhvilluar në Serbi. Z.Dragos Budulac, në cilësinë e drejtuesit të JWGAA, u shpreh se për zhvillimin e këtyre aktiviteteve do të përcillej edhe eksperienca e fituar nga zhvillimet e workshopeve të projektit të I mbi Auditimet paralele të përformancës, PPA zhvilluar në bashkëpunim me SNAO-n.

Përfaqësuesit e të gjithë SAI’ve të pranishëm shprehën interesin e tyre për pjesëmarrjen në këto aktivitete, ndër të cilët si më i rëndësishmi u konsiderua workshopi mbi materialitetin. U diskutua mbi çështjet specifike që mund të trajtoheshin dhe ku pjesëmarrësit të shkëmbenin ide dhe eksperienca si risku statistikor, vlerësimi i riskut, etj.

Në përmbyllje u ra dakort nga të gjithë pjesëmarrësit se në vijim, z.Budulac do të përcjellë tek të gjithë të itneresuarit një pyetësor ku do të përcaktohen të gjitha detajat e mundshme të organizimit dhe zhvillimit të aktivitietit, audienca, (workshopi do të zhvillohet në gjuhën angleze), kohëzgjatja (2 ditë deri në dy 2 ditë e gjysëm), struktura, si dhe datat e mundshme që më pas të jetë më i lehtë përcaktimi nga SAI organizator.

ECA, SIGMA dhe SNAO do të mbështesin me ekspertë dhe punë parapërgatitore lidhur me përgatitjen e axhendës, etj. Në përgjithësi, kjo do të jeta forma e organizimit për të gjitha aktivitetet e tjera të përcaktuara në Planin e Punës, ku më të afërtat janë pikërisht workshopi mbi materialitetin dhe tryeza e rrumbullakët mbi raportet dhe opinionet e auditimit për t’u zhvilluar në Serbi, brenda 2015.
Dy aktivitetet e tjera mbeten ende të hapura për t’u zhvilluar gjatë vitit 2016 për shkak të specifikimeve të mëtejshme dhe çështjeve organizative të brendshme, respektivisht në SAI’n e Bosnje dhe Hercegovinës.

Në vijim, z.Budulac dhe përfaqësuesi i SNAO’s, raportuan mbi fazën përfundimtare të PPA I. Ata u shprehën mjaft të kënaqur me punën e deritanishme të zhvilluar nga pjesëmarrësit. Pas përfundimit të 4 workshopeve të para të zhvilluara në Tiranë, Sarajevë, Beograd dhe Shkup, workshopi i 5 përmbyllës do të zhvillohet në Luksemburg në datat 19-21 maj, 2015. Të gjithë grupet e auditimit pjesëmarrëse të SAI’ve të Shqipërisë, Bosnjes dhe Kosovës duhet të dorëzojnë projekt raportet e tyre në fillim të muajit maj në mënyrë që ekspertët e SNAO’s dhe të ECA’s të mund të bëjnë në kohën e duhur komentet ose sugjerimet përkatëse.
SNAO dhe JWGAA, po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e zhvillimit të një projekti të II mbi PPA. Në këtë kontekst, është e nevojshme të identifikohet një tematikë e përbashkët dhe të shprehet interesi nga SAI’t e vendeve të rajonit me qëllimi vijueshmërinë.

Tematika e përzgjedhur për auditimin duhet të përfshihet në planin vjetor të auditimit të institucionit.
Në rast të mos rakordimit mbi një tematikë të veçantë, si dhe në rast se interesi për të zhvilluar këtë projekt të dytë do të jetë i madh, SAI-t respektive mund të përzgjedhin edhe një auditim të përcaktuar në planin e tyre vjetor, por të gjithë SAI’t duhet të zhvillojnë të njëjtat teknika të përbashkëta dhe duhet të jenë në të njëjtën linjë fillimi, zhvillimi dhe përfundimit të auditimit, në mënyrë që fazat e zhvillimit të aktiviteteve të PPA II të jenë të njëjtat. Në bazë të interesit, ky projekt mund të fillojë në vjeshtë, ose fillimin e vitit të ardhshëm.

Në përfundim të axhendës, në vijim të kërkesës së ECA-s, të gjithë të pranishmit shprehën interesin për pjesëmarrjen në kurset e trajnimit të organizuara nga ky institucion dhe se për më tej, ECA do të bëjë të mundur informacionin sistematik mbi kalendarin e zhvillimit të këtyre trajnimeve në fusha të ndryshme, në kohën e duhur.
Mbi aktivitetet e këtij rrjeti, do të vazhdohet të raportohet rregullisht pranë Komitetit të Kontaktit, por në formën e një raporti të shkruar që do të shpërndahet tek pjesëmarrësit.