Njoftime

KLSH Kallëzon në Prokurori 3 ish-Regjistrues dhe 2 Specialistë të Zvrpp - Pogradec

08.04.2015

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1040/1, datë 05.11.2014 dhe nr. 1040/2, datë 26.12.2014, ka audituar Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Pogradec, për periudhën e veprimtarisë së këtij institucioni Janar 2012 - Shtator 2014. Në raportin përfundimtar të auditimit të KLSH-së, janë evidentuar dhe dokumentuar një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore në lidhje me regjistrimin e pasurive të paluajtshme, të cilat janë përfituar në kundërshtim me ligjin.
Më konkretisht, nga auditimi rezultoi kryerja e një sërë veprimesh të kundraligjshme, në regjistrimin e pasurive si më poshtë:
Në zonën urbane, Bashkia Pogradec
Në 9 raste, është kryer regjistrimi i pasurive të fituara me leje legalizimi, ku secila praktikë e legalizuar rezulton të jetë fituar nëpërmjet kontratës së shitjes me rezervë të pronës. Me kryerjen e këtij regjistrimi ZVRPP Pogradec ka regjistruar pasuri, për të cilat vetë akti i shitjes me rezervë të pronës përmban kufizime të tagrave dhe të drejtave të pronarit të pasurisë së paluajtshme.
Në 1 rast, në zonën urbane Bashkia Pogradec, është kryer regjistrimi “Banesë+shërbime 7 kat+çati e shfrytëzuar+1 kat bodrum”, ku praktika rezulton me mangësi të theksuara në dokumentacionin tekniko-ligjor përsa i përket certifikatës së pronësisë, hartës treguese të pasurisë dhe kontratës së sipërmarrjes, si dhe rezulton që si pasojë e disa vendimeve gjyqësore të kenë ndryshuar marrëdhëniet e bashkëpronësisë të pasurive të paluajtshme mbi të cilat është ngritur objekti i regjistruar.
Në zonën rurale, Komuna Udenisht
Në një rast në afërsi të bregut të liqenit të Pogradecit, është kryer regjistrimi i një trualli me sipërfaqe prej 600 m2  dhe ndërtesë 510 m2, ku titulli i pronësisë që ka shërbyer për regjistrim rezulton të jetë lista e trojeve në fshat, ndërsa në një rast tjetër është kryer regjistrimi i një trualli me sipërfaqe prej 2000 m2  dhe ndërtesë 450 m2, në një kohë kur Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) i jepte familjes bujqësore 1600 m2 të llojit arë dhe jo 2000 m2.
Si rrjedhojë ZVRPP Pogradec, ka tjetërsuar në mënyrë të kundraligjshme pronën shtetërore në favor të subjekteve private.
Në zonën rurale, Komuna Buçimas
Është kryer regjistrimi i 12 pasurive të llojit tokë arë për një sipërfaqe totale prej 22348 m2, ku titujt e pronësisë të cilët kanë shërbyer për regjistrim (AMTP) rezultonin të pakonfirmuara nga Komuna Buçimas si dhe praktikat përkatëse të subjekteve kishin mangësi në dokumentacionin tekniko-ligjor.
Në zonën rurale, Komuna Proptisht
Në 6 raste, është kryer regjistrimi i pasurive të llojit tokë arrë, kur titulli i pronësisë i cili ka shërbyer për regjistrim (AMTP) nuk kishte të përcaktuar kufitarët e pasurive të regjistruara (çka e bënte të pamundur identifikimin dhe pozicionimin e këtyre pronave) dhe asnjëra prej AMTP-ve nuk ishte konfirmuar përsa i përket pozicionit dhe kufitarëve nga Komisioni i Verifikimit dhe Vlerësimit të Titujve të Pronësisë, pranë Prefektit Korçë.
Në zonën urbane, fshatrat Udenisht, Gështenjas, Gurras, Pretushë, Slabinjë, Grabovicë, Lin
Në 17 raste, për sipërfaqen totale prej 127,207 m2 tokë bujqësore, është lejuar që të kryen veprime e transaksione mbi pasuritë, pa u kryer verifikimi i titujve të pronësisë të pasurive nga Komisioni i Verifikimit dhe Vlerësimit të Titujve të Pronësisë dhe gjithashtu janë lëshuar certifikata pronësie jo sipas dokumentit të AMTP por sipas gjendjes faktike në terren. Si rrjedhojë, ZVRPP Pogradec ka tjetërsuar në mënyrë të kundraligjshme pronën shtetërore në favor të subjekteve private, e cila aktualisht rezulton me gjendje juridike të tjetërsuar.
Veprimet e mësipërme të ZVRPP, Pogradec, në varësi të periudhës dhe rasteve të veçanta të praktikave të sipërcituara, janë kryer në kundërshtim të hapur me përcaktimet ligjore e nënligjore të bëra në Ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994 "Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme", i ndryshuar, Ligjin nr. 33/2012, datë 21.3.2012, "Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme", Ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa Leje”, VKM nr. 438, datë 28.6.2006 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim”, Ligjin nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, Ligjin nr. 9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, si dhe UKM nr. 2, datë 08.4.2009 dhe UKM nr. 3, datë 13.6.2013, “Për mënyrën e Procedimit të Organeve të Administratës Publike për Pasuritë e Paluajtshme të Fituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)”.
Për të gjitha shkeljet e konstatuara dhe evidentuara në raportin përfundimtar të auditimit, KLSH me shkresën nr. 1040/13, datë 07.04.2015 ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Pogradec, kallëzimin penal për ish-regjistruesit e ZVRPP, Pogradec, F.P, K.SH. dhe A.Z si dhe 2 specialistët e këtij institucioni, D.M me detyrë Jurist dhe SH.T me detyrë ish-hartograf /jurist, të cilët në mos përmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave përkatëse ligjore e nënligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Gjithashtu, referuar shkeljeve të tjera të evidentuar në raportin e auditimit, KLSH me shkresën nr. 1040/12, datë 07.04.2015, i ka kërkuar Kryeregjistruesit të ZQRPP, fillimin e procedurave administrative për dhënien e masës disiplinore edhe për një sërë punonjës të tjerë të ZVRPP, Pogradec.