KLSH merr pjesë në seminarin e Grupit të Punës mbi Auditimin Mjedisor të EUROSAI
27.04.2015
Me datën 23 dhe 24 prill 2015, Grupi i Punës mbi Auditimin Mjedisor i Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit-EUROSAI, organizoi në Tallin të Estonisë seminarin e sezonit pranveror mbi auditimin çështjeve të energjisë, i fokusuar në tre çështje kryesore: efiçiencën e energjisë, kursimin e energjisë si dhe energjitë e rinovueshme. Në këtë seminar morën pjesë përfaqësues prej më shumë se 20 institucioneve të auditimit të Evropës si: Franca, Polonia, Holanda, Sllovenia etj., si dhe Kryeaudituesit e KLSH-së z.Muhamet Kavaja dhe z.Gjovalin Preçi.
Punimet e këtij seminari u hapën me përshëndetjen e Audituesit të Përgjithshëm të Estonisë, njëkohësisht Kryetar i Grupit të Punës mbi Auditimin Mjedisor të EUROSAI-t, Dr. Alar Karis, duke theksuar se zhvillimi me sukses i mbledhjes dy ditore do t’ju shërbejë pjesëmarrësve për të promovuar bashkëpunimin, si dhe për nxitjen e shkëmbimit të ideve, përvojave dhe teknikave midis Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI) në çështje të energjisë. Nëpërmjet të tilla aktiviteteve synohet një komunikim i hapur e një përsosje e profesionalizmit.
Gjatë dy ditëve të punimeve të këtij seminari janë referuar 18 prezantime për çështje teorike dhe praktike të eficiencës së energjisë, kursimit të energjisë dhe burimeve të rinovueshme, si dhe përvojave të auditimit nga vende të ndryshme të fokusuara në performancën e temave të veçanta të këtyre fushave. Me interes të veçantë u ndoqën paraqitja e temës “Politikat e energjisë të BE-së dhe roli i qeverive kombëtare” referuar nga z. Niels Ladefoged, Zyrtar i Komisionit Evropian për Energjinë; “Matja e kursimeve të energjisë” nga zj. Janika Laht, përfaqësuese e shoqërisë konsulente “AF-Consulting AS”; “Energjitë e rinovueshme dhe skemat mbështetëse” nga z. Rene Tammist, përfaqësues i Shoqatës së Energjive të Rinovueshme të Estonisë etj.
Këto trajtime ishin të gërshetuara me eksperiencat e auditimeve të performancës të SAI-eve të ndryshme në objektiva specifik dhe/ose të kombinuar kryesisht në tri çështjet e energjisë: eficienca, kursimi dhe burimet e rinovueshme. Prezantimet “Eksperienca e NIK në auditimin e realizimit të politikave të energjisë në Poloni”, “Burimet e rinovueshme të energjisë dhe eficienca e energjisë në Maltë”, “Përdorimi i burimeve potenciale të energjive të rinovueshme në Lituani” etj., ishin shtjelluar sipas strukturës së auditimeve të peformancës me objektivat, pyetjet e auditimit, gjetjet, rekomandimet, mësimet që dalin nga këto auditime etj., duke tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve nga pyetje-përgjigjet e rastit.
Përfaqësuesit e KLSH morën pjesë aktive në dy ndarjet në grupe gjatë punimeve të këtij seminari, duke theksuar se ka përfunduar auditimi në çështje të infrastrukturës së energjisë duke cekur dhe çështje të politikave energjetike (Performanca e KESH Sha- Domosdoshmëria e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike), si dhe është në proces auditimi mbi burimet e rinovueshme (alternative) të energjisë elektrike, duke cilësuar ndihmesën e seminarit në rritjen cilësore të këtij auditimi.
Gjithashtu, përfaqësuesit e KLSH shprehën gatishmërinë e pjesëmarrjes në auditime të performancës mbi eficiencën e energjisë, në kuadër të bashkëpunimit dhe ndarjes së eksperiencave midis vendeve anëtare të këtij grupi pune.
Grupi i Punës mbi Auditimin Mjedisor i EUROSAI-t është krijuar në vitin 1999 dhe numëron mbi 40 SAI-e pjesëmarrëse, duke përfshirë dhe KLSH-në. Nga vendet anëtare të këtij grupi, në Evropë kryhen mbi 100 auditime në vit në fushën e ambientit duke përfshirë kryesisht çështjet që lidhen me shqyrtimin se si qeveritë zbatojnë legjislacionin mjedisor, duke evidentuar mungesat përkatëse; kontrollin se si shpenzimet ndikojnë në përmirësimin e mjedisit; shqyrtimin se si qeveritë menaxhojnë burimet natyrore në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, etj.