Njoftime

KLSH merr pjesë në takimin e gjashtë për Auditimin e Etikës, organizuar nga grupi Task Force (EUROSAI) për Auditimin e Etikës

27.04.2015

Në datat 20-21 prill 2015, u zhvillua në Romë, takimi i VI-të i grupit Task Force të EUROSAI-it për “Auditimin dhe Etikën” (TFA&E). Në cilësinë e anëtarit të këtij grupi dhe të interesit në rritje te institucionit për këtë çështje, KLSH mori pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm të EUROSAI-t, i cili trajtoi një prej çështjeve më aktuale për administratën publike, Etikën, e cila është e lidhur direkt me parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Trajtimi i kësaj teme është me rëndësi prioritare për institucionet supreme të Auditimit, të ngarkuara me mbikëqyrjen e menaxhimit të shëndoshë të financave publike.
Në takim morën pjesë përfaqësuesit e 19 SAI-ve : Gjykata Portugeze e Llogarive që kryeson Task Forcën, Shqipëria, Republika Çeke, Gjykata Evropiane e Audituesve, Kroacia, Maqedonia, Izraeli, Italia, Malta, Mali i Zi, Holanda, Polonia, Mbretëria e Bashkuar, Rumania, Rusia, Serbia, Spanja, Turqia dhe Hungaria. KLSH u përfaqësua në këtë aktivitet nga Drejtoresha e Drejtorisë së Komunikimit, Botimeve dhe Marrëdhënieve me Jashtë, zj.Irena Islami dhe zj.Amantja Patozi, audituese.

Gjykata Italiane e Llogarive ishte SAI mikpritës dhe fjala përshëndetëse u mbajt nga z.Raffaele Squitieri, President i kësaj Gjykate.
Punimet e këtij takimi u hapën ditën e parë me një prezantim të dy audituesve të SAI-t italian "Etika dhe korrupsionit: dy anë të së njëjtës medalje”, të cilët theksuan rëndësinë e identifikimit të sjelljeve etike dhe veçanërisht të sjelljeve jo –etike, në mënyrë që këto të fundit të luftohen në mënyrën e duhur. Referuesit u përqendruan në diskutimin e tyre tek sjellja etike, e cila ngjall besim tek grupet e interesit dhe nga ana tjetër tek mungesa e etikës, e cila favorizon korrupsionin dhe sjell mungesë të theksuar besimi tek komuniteti.
Çështje të tjera të rëndësishme që u diskutuan ditën e parë të takimit ishin :
•Rritja e ndërgjegjësimit të SAI-ve për rëndësinë e etikës brenda SAI-ve (SAI holandez dhe portugez);
•Monitorimi i kuadrit ligjor dhe praktikave të sjelljes etike brenda SAI-ve (SAI portugez);
•Rishikimi i shpërndarjes së informacionit ne WEB-in e TFA&Ethics;
•Problemet etike / dyshimet / dilemat kryesore me të cilat audituesit përballen në punën e tyre të përditshme (ECA, SAI i Italisë, Maqedonisë, Polonisë, etj);
•Konflikti i interesit dhe krijimi i kushteve për funksionimin e “Bilbil-fryrësit” brenda SAI-ve (SAI i Izraelit dhe Mbretërisë se Bashkuar);
Gjatë punimeve të ditës së parë morën pjesë edhe auditues nga Gjykata Italiane e Llogarive, të cilët i shtuan diskutimeve edhe eksperiencën konkrete të Gjykatës Italiane për këto çështje.
Në ditën e dytë të takimit u diskutua rreth realizimit te objektivave të Planit të Veprimit të TFA&Ethics dhe këtu vlen të theksohet kontributi konkret i KLSH ne objektivin e 2-të “Forcimi i monitorimit dhe kontrollit të sistemeve të etikës 'në SAI”.

KLSH solli eksperiencen konkrete duke theksuar arritjet e saj në këtë drejtim, duke u përqendruar në bazën ligjore dhe rregullatore : vendosja e një sistemi efektiv të etikës dhe integritetit ka qenë në fokusin e strategjisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ligji i Ri i KLSH-së, rregullore të brendshme, urdhra apo udhëzime, përkthime të standardeve, publikime dhe mbi të gjitha përditësimi i Kodit të Etikës së Institucionit në përputhje me  ndryshimet e ndodhura.

Aktivizimi dhe rritja e rolit të çdo audituesi në çështjet e Etikës. Një fakt interesant që tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve ishte iniciativa e Kryetarit të KLSH-se për të komunikuar drejtpërsëdrejti me çdo auditues që dëshiron të bisedojë dhe të diskutojë me Kryetarin për çështje qe ata i gjykojnë të rëndësishme.
Ky komunikim u dha mundësinë audituesve të shkëmbenin opinione dhe të jepnin sugjerime për përmirësimin e punës në KLSH. Kjo u vlerësua si risi interesante dhe gjithëpërfshirëse, e cila u jep të gjithëve besimin që zëri i tyre mund të dëgjohet dhe që çdo njeri prej audituesve, nëse angazhohet dhe merr iniciativën të shprehet, mund të ndikojë në vendimmarrjen e institucionit.
U evidentua gjithashtu fakti që në Kontrollin e Lartë të Shtetit një kujdes i veçantë i është kushtuar trajnimit të stafit të rekrutuar rishtazi. Si pjesë e Programit dhe politikës së trajnimit në KLSH, të gjithë punonjësit menjëherë pas rekrutimit i nënshtrohen një sesioni specifik trajnimesh “Prezantim me KLSH dhe profesionin e audituesit publik”, i cili zgjat 2 javë. Gjate kësaj periudhe, ata njihen me kuadrin e përgjithshëm ndërkombëtar dhe kombëtar të auditimit publik, Standardet dhe Ligjin për KLSH, ashtu dhe me çështje të veçanta teknike të profesionit të audituesit publik. Ndër temat e trajtuara, 20% e tyre lidhen me çështjet e Etikës.
Ngritja e strukturave adekuate të Etikës në KLSH. Në strukturën organizave të KLSH-së bën pjesë edhe Sektori i Etikës, në të cilin kryen funksionin “Inspektori i etikës”. Me shumë interes u ndoq nga pjesëmarrësit e takimit mënyra sesi është ngritur në KLSH “Komisioni i etikës “, në përbërje të të cilit janë tre anëtarë :
-Inspektori i etikës dhe integritetit i cili ka statusin e nëpunësit civil.
- Një auditues, me eksperience 26 vjeçare në KLSH dhe që është aktualisht në pension por që në kurrikulën e tij profesionale ka demonstruar profil të lartë të etikës dhe integritetit gjatë  ushtrimit të detyrave të tij.
-Një auditues i KLSH-së, i cili është votuar nga stafi i institucionit.
Promovimi i transparencës dhe rritja e komunikimit të SAI-ve me grupet e interesit, ishte  një nga çështjet ku KLSH solli eksperiencën  e saj te pasur  në drejtim të :
Realizimit të projekte konkrete të bashkëpunimi me disa prej OJF-ve dhe organizatave të profesionistëve të fushës në Shqipëri në këto drejtime :
-“Realizimi i transparencës dhe komunikimit të KLSH-së me publikun dhe qytetarët” nga Lëvizja Evropiane, Shqipëri;
-“Analiza e impaktit të shkrimeve të Audituesve të KLSH-se ne shtypin e shkruar “, nga botuesi i Gazetës “Ekonomia”;
-“Kontrolli i Cilësisë në të ftohtë” nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit; dhe
-“Kontrolli i Procesit të Rekrutimit të stafit të KLSH-se”, nga Instituti “G&G Group”
Të gjitha këto projekte janë parë si Mini Peer Review dhe kanë nxjerrë produkte konkrete, ku janë evidentuar përveç arritjeve dhe mangësitë e dobësitë. Të gjitha rekomandimet e dhëna nga këto organizata do të shikohen me prioritet nga KLSH me qëllim përmirësimin e punës në të ardhmen.
Transparenca e veprimtarisë së KLSH-së po rritet nga viti në vit dhe KLSH është  gjithnjë e më e hapur dhe bashkëpunuese me median. Nga përfaqësueset e KLSH në këtë takim u theksua fakti që në fund të vitit 2014, KLSH ka gjashtëfishuar praninë e tij me informacion dhe mesazhe në median e shkruar dhe ka katërfishuar prezencën e tij në median audiovizive, krahasuar me vitin 2010.
Një risi e padiskutueshme që u përshëndet nga pjesëmarrësit është edhe prezenca e audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit në shtypin e shkruar.
Gjate ditës së dytë, në takim u trajtuan edhe çështje të tjera si :

-Identifikimi i udhëzuesve ekzistues të Etikës dhe përditësimi i tyre;
-Planifikimi i seminareve mbi metodologjinë e auditimit të çështjeve të Etikes, etj

Në fund të takimit u vendos që takimi i ardhshëm i TFA&E të zhvillohet në Spanjë dhe që ky grup do të jete prezent me diskutime konkrete në Young EUROSAI në Izrael dhe në Konferencën e Tetë të Përbashkët EUROSAI-OLACEFS që do të zhvillohet në Ekuador në qershor të këtij viti.