KLSH merr pjesë në takimin e Komitetit të Kontaktit të SAI-ve të vendeve të Bashkimit Europian
23.06.2015
Në datat 18 – 19 qershor u zhvillua në Riga të Letonisë, vend i cili ka presidencën e radhës të BE-së, takimi i Komitetit të Kontaktit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve të BE-së. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Gjykatës Evropiane të Audituesve, përfaqësues të 28 SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së dhe të SAI-ve të vendeve kandidate dhe para kandidate, si edhe përfaqësues të SIGMA-s.
Takimi u organizua nga Zyra Shtetërore e Auditimit të Republikës së Letonisë dhe u drejtua nga zj.Elita Krūmiņa, Audituese e Përgjithshme e SAI-t të Letonisë. Takimin e përshëndeti edhe Kryetarja e Parlamentit të Letonisë, Znj Inara Mūrniece, e cila theksoi gjatë fjalës së saj rëndësinë e takimit dhe vlerësoi shumë bashkëpunimin e suksesshëm mes anëtarëve të Komitetit të Kontaktit sepse në këtë mënyrë rritet besimi i publikut në institucionet Supreme të Auditimit.
Temat kryesore që ishin në qendër të diskutimeve të Komitetit të Kontaktit ishin: Fondet Evropiane për investimet strategjike; parandalimi dhe lufta kundër shkeljeve dhe mashtrimit në bashkëpunim me organet e zbatimit të ligjit dhe kuadri financiar shumëvjeçar në kuadër të diskutimit paraprak lidhur me Unionin bankar në BE. Gjatë takimit pjesëmarrësit e Komitetit të Kontaktit diskutuan edhe për çështje më konkrete në lidhje me performancën e auditimit të jashtëm, duke marrë në konsideratë mjetet e mundshme për lehtësimin e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe shkëmbimin e njohurive profesionale dhe përvojës, referuar specifikisht auditimit të fondeve të BE-së dhe çështjeve të tjera lidhur me BE. U theksua gjithashtu rëndësia që ka shkëmbimi i informacionit, duke u dhënë mundësinë anëtarëve të iniciojnë dhe koordinojnë auditime të përbashkëta dhe aktivitete të tjera me qëllim përmirësimin e cilësisë së auditimeve. Institucionet Supreme të Auditimit kanë bashkëndarë eksperiencat e tyre të praktikave më të mira në mënyrë që korrupsioni në përdorimin e burimeve financiare në sektorin publik të reduktohet në mënyrën më efektive të mundshme.
Në vazhdim të Takimit të Komitetit të Kontaktit iu kushtua vëmendje e veçantë bashkëpunimit të SAI-ve me Gjykatën Europiane të Audituesve dhe me Parlamentin Europian.
Takimi i radhës i Komitetit të kontaktit të vendeve të BE-së do te zhvillohet në Sllovaki dhe drejtimi i këtij Komiteti i kalon SAI-t sllovak.
Në këtë takim morën pjesë edhe delegacione të SAI-ve të vendeve kandidate dhe para kandidate për në BE si Turqia, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje Hercegovina.
Kontrolli i Lartë i Shtetit merr pjesë për herë të dytë në këtë takim si SAI i një vendi kandidat të Bashkimit Europian dhe u përfaqësua nga një delegacion prej tre anëtarësh, zj. Albana Agolli, Drejtore e Departamentit të Auditimit të të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit, Zj.Irena Islami, Drejtore e Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë dhe zj. Amantja Patozi, audituese.