Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj, merr pjesë në Konferencën e 8-të të përbashkët EUROSAI/OLACEFS
04.07.2015
Në datat 24-26 qershor, 2015 u zhvillua në Quito, Ekuador, Konferenca e 8-të e përbashkët EUROSAI/OLACEFS (Organizata Europiane e Institucioneve Supreme të Auditimit/Organizata e Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve).
Kjo konferencë u zhvillua për herë të parë në vitin 2000, në Madrid, Spanjë.
Prej asaj kohe, SAI’t e vendeve të të dy kontinenteve janë mbledhur në mënyrë periodike për të shkëmbyer eksperienca dhe këndvështrime mbi forcimin e punës së tyre audituese dhe mbikqyrëse.
Në këtë event morën pjesë më shumë se 100 përfaqësues delegacionesh nga Europa, Amerika Latine dhe Karaibet, si edhe bashkëpunëtorë të tjerë të jashtëm nga institucione multilaterale.
Kontrolli i Lartë i Shtetit i Shqipërisë, në këtë aktivitet u përfaqësua me një delegacion të nivelit të lartë të kryesuar nga Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj, z. Xhafer Xhoxhaj, Drejtor Departamenti dhe z.Vullnet Karafilaj, Krye/auditues.
Diskutimet dhe kontributet e SAI’ve gjatë ditëve të punimeve të Konferencës u fokusuan në dy temat kryesore: “Auditimet e koordinuara” dhe “Kontributet e SAI’ve në Mirë-Qeverisje”.
Këto dy tematika lidheshin me fusha të ndryshme të auditimit, si ngritja e kapaciteteve, etika, inovacioni, qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, transparenca, “Open Data”, ku formati i përcaktuar është ai i mini konferencave apo organizimit në grupe pune ku do të diskutohen më gjerësisht dhe do të sillen eksperiencat respektive të SAI’ve mbi tematikat e lartpërmendura.
Gjithashtu, formati inovativ i Konferencës përfshiu ndërhyrjen para fillimit të sesioneve të punës, të ekspertëve të jashtëm të ftuar në fusha si arsimi dhe e-learning, ngritja e kapaciteteve dhe “Open Government”.
Në përfundim të punimeve te Konferencës , dhanë përshtypjet e tyre përfaqësues të Sekretariatit të Përgjithshëm të INTOSAI’t, përfaqësues të GAO’s mbi revistën Auditimi i Jashtëm Publik i INTOSAI’t, si dhe përfaqësues të Sekretariateve të Përgjithshme të EUROSAI’t dhe OLACEFS.
Kryetarët e Institucioneve Supreme të Auditimit, pjesëmarrës në këtë konferencë i nderoi Kryetari i Bashkisë z. Mauricio Rodas Espinel dhe Komisioni i Këshillit Metropolitan të Quitos me titullin “Të ftuar Nderi të Quitos”
Mauricio Rodas Espinel, Kryetar i Bashkisë duke konsideruar: Më 24 deri më 26 Qershor 2015, Kuito do të jetë selia e Konferencës së VII-të EUROSAI – OLACEFS, e zgjedhur nga organizatat ndërkombëtare të kontrollit qeveritar, duke patur si pritës Kontrollin e Përgjithshëm të Shtetit të Ekuadorit; Për këtë arsye, z. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, na nderon me prezencën e tij në Distriktin Metropolitan të Kuitos, Pasuri Kulturore e Njerëzimit; dhe Bashkia e Distriktit Metropolitan të Kuitos dhe autoritetet e tij, kanë dëshirë t’u japin mirënjohje publike për vizitën titullarëve të kontrolleve shtetërore duke iu uruar atyre një qëndrim të këndshëm: Kanë vendosur të shpallin: Të Ftuar Nderi të Kuitos z. BUJAR LESKAJ |