KLSH merr pjesë në Konferencën e shtatë vjetore të ZAP Kosovë
11.07.2015
Në datat 9-10 Korrik 2015, në Prishtinë zhvilloi punimet Konferenca e Shtatë Vjetore e Zyrës së Audituesit të Përgjithshëm të Kosovës (ZAP). Delegacioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit në këtë Konferencë kryesohej nga z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së dhe kishte në përbërjen e tij Krye/auditues dhe auditues të departamenteve të ndryshme të auditimit të KLSH.
Të dy institucionet e auditimit të lartë publik (SAI-t) të Kosovës dhe Shqipërisë kanë një traditë të mirë bashkëpunimi e cila është intensifikuar pas nënshktimit në shkurt të vitit 2012 të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes dy SAI-ve në Tiranë.
Në Konferencën e Shtatë Vjetore të ZAP-t merrnin pjesë z. Ali Sadriu, Zv/ Kryetar i Komisionit për Mbikqyrje të Financave Publike në Kuvendin e Kosovës, z. Nikola Kovaçeviç, Anëtar i Senatit të SAI-t të Malit të Zi, z. Naim Ismajli, Kryetar i Shoqatës së Komunave të Kosovës, si dhe personalitete të tjera të jetës publike në Kosovë.
Në fjalën e hapjes Zv/Audituesi i Përgjithshëm i ZAP-t z. Artan Venhari, u shpreh se punimet e konferencës do të përqëndroheshin në rezultatet e arritura nga auditimi i jashtëm në raport me pritshmëritë e Kuvendit, qeverisë, palëve të interesit dhe publikut, si dhe format, mundësitë dhe tematikat e bashkëpunimit rajonal në fushën e auditimit. Gjithashtu z.Venhari u shpreh se sfidë për ZAP-n mbetej edhe dhënia e këshillave konstruktive lidhur me mënyrën e operimit të subjekteve të audituara dhe specifikat se çfarë mund të bëhet më mirë.
Kryetar i KLSH-s, Z.Leskaj, në fjalën e tij përshëndetëse, e vuri theksin në frytet dhe dobishmërinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh mes SAI-ve të rajonit, të mbështetur në filozofinë dhe moton e INTOSAI-t “Experentia Mutua Omnibus Prodest (nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë)” si dhe në Nenin 15 të Deklaratës së Limës. Z.Leskaj solli eksperiencën audituese të KLSH-së gjatë viteve të fundit dhe veçanërisht të periudhës janar 2014-korrik 2015, e bazuar kjo në ngritjen e kapaciteteve audituese, njohjen dhe zbatimin e standardeve të auditimit, shkëmbimin e eksperiencave dhe parimet e qeverisjes së mirë të institucionit duke theksuar rekomandimet dhe propozimet e institucionit suprem të auditimit publik në Shqipëri për krijimin e një Këshilli Fiskal, i cili do të monitorojë dhe vlerësojë në mënyrë të pavarur politikat fiskale të qeverisë, rekomandimin për përcaktimin e një tavani të Borxhit Shtetëror, si dhe gjetjet ekonomike në auditimet e zhvilluara, botimet e ndryshme të KLSH, etj.
Më tej, Kryetari i KLSH-së solli shembujt e bashkëpunimit të efektshëm të KLSH-së me institucionet homologe në rajon dhe në BE, në kuadrin e nismave për përmirësimin e Kodit të Etikës të INTOSAI-t, implementimit të instrumentit të vetëvlerësimit të integritetit IntoSAINT, të zbatimit të nismës së IDI-t “3i”, për përvetësimin e standardeve ISSAI, etj. Z.Leskaj vuri në dukje rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit dypalësh, të konkretizuar në aktivitete të përbashkëta e konkrete, sikurse kanë qenë deri tani përgatitja dhe publikimi në shqip i Standardeve të Auditimit Financiar, pjesëmarrja në Konferencat vjetore të të dy SAI-ve, në trajnime dhe seminare me trajnues të huaj me eksperiencë nga SAI-t e zhvilluara të Evropës, etj, si dhe theksoi domosdoshmërinë e zgjerimit të Auditimeve të Përbashkëta dhe paralele Shqipëri-Kosovë.
Gjatë zhvillimit të Konferencës, të 15 audituesit e KLSH-së morën pjesë aktive në grupet e punës me audituesit e ZAP-t të Kosovës, ku ndanë praktikat dhe eksperiencat e tyre në auditimet financiare, të përputhshmërisë dhe në ato të performancës. Me mjaft interes ishin propozimet për fushat dhe tematikat e përbashkëta të auditimit midis Shqipërisë dhe Kosovës, si ato në fushën e mjedisit për mbrojtjen e lumit Drin; përmirësimi i shërbimit shëndetësor; riciklimi i mbetjeve urbane; analiza e ecurisë së procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, auditimet në pushtetin vendor me tërësinë e tematikës së tij, por edhe të reformës së decentralizimit etj. Në ditën e dytë të punimeve të Konferencës, nga Krye/audituesi Gjovalin Preçi u prezantuan konkluzionet, rekomandimet dhe mesazhi paraprak i auditimit të performancës “Burimet alternative të energjisë në Shqipëri” dhe nga audituesja znj. Alkida Llakaj, u prezantua materiali mbi nevojën e shtrirjes së bashkëpunimit të auditimeve të performances, materiale që u ndoqën me mjaft interes nga të pranishmit dhe u vlerësuan nga drejtuesit e konferencës. Gjithashtu, në këto dy ditë u promovuan edhe 45 botimet e KLSH-së të publikuara gjatë viteve 2012-2015.
Në optikën e bashkëpunimit midis KLSH-ZAP, nisur edhe nga prezantimi i bërë në fjalën e mbajtur nga Kryetari i KLSH-së, si dhe nga pjesëmarrja aktive e audituesve të KLSH-së në punën në grupe të përbashkëta, me interes ishin dhe propozimet për mbështetje të KLSH-së ndaj ZAP-t në fushat si vijon:
1. Nevoja për trajnime në fushën e IT, ku audituesit e ZAP-t vlerësuan mjaft nivelin e kolegëve të KLSH;
2. Nevoja për kryerjen e auditimeve të përbashkëta, me pjesëmarrjen reciproke në grupe të përbashkëta auditimi të audituesve nga ZAP dhe KLSH, në fushat me interes dypalësh;
3. Nevoja për vënien në dispozicion të raporteve(specifike) të auditimit dhe të botimeve të KLSH për audituesit e ZAP.
Në përfundim, u konkludua se Konferenca i shërbeu krahasimit eficient të praktikave audituese të të dyja SAI-ve, duke sjellë shembujt pozitivë në auditimin e pasqyrave të konsoliduara financiare, ku SAI i Kosovës ka eksperiencë, por edhe shumë shembuj të tjerë që duhen ndjekur. Ajo evidentoi po ashtu me kurajo, mangësitë dhe të metat e punës njëvjeçare të audituesve.