KLSH kallëzon në prokurori ish-kryetarin e Bashkisë Memaliaj
12.07.2015
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 111/5 prot., datë 01.06.2015 ka ushtruar auditim në Bashkinë Memaliaj, në përfundim të të cilit, me shkresën nr. 111/8, datë 30.06.2015 i ka përcjellë Bashkisë Memaliaj gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare të Vendimit nr. 69, datë 30.06.2015 të Kryetarit të KLSH-së.
Nga auditimi dhe riauditimi “në të nxehtë”(ky i fundit i kryer pas një ankese nga një grup qytetarësh), u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore.
Në tenderin me objekt: Rikonstruksioni i rrugës “Rrapo Çela”, i rrugës hyrëse qytet “Selam Musai”, “Memo Nexhipi”, “Tahir Gashi”, “Raship Brahimi”, Autoriteti Kontraktor(Bashkia), nga 2 operatorë pjesëmarrës në konkurrim, ka skualifikuar njërin nga operatorëve ekonomikë i cili ka paraqitur ofertën ekonomike më të ulët në vlerë se operatori i kualifikuar dhe i shpallur fitues, me diferencë vlerën 4,196,242 lekë, pa TVSH.
Nga auditimi mbi ligjshmërinë e arsyeve të skualifikimit, u konstatua se Autoriteti Kontraktor nuk ka kërkuar sqarime, në mënyrë që pas marrjes së tyre të gjykonte për vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e kësaj oferte. Rezultoi se kërkesat për skualifikim janë të pa argumentuara dhe të pa mbështetura ligjërisht, sepse kontrata që prokurohet nuk është kontratë shërbimi, por është kontratë e mirëfilltë pune. Pra, kriteret e vendosura në zbatim të Kreut III, pika 3, germa “c”, të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 i ndryshuar, Del qartë se vendosja e këtyre kritereve është diskriminuese, sepse ato nuk sigurojnë barazi ndërmjet operatorëve ekonomikë në procedurën e prokurimit, por shmangin konkurrencën duke favorizuar operatorë ekonomikë të caktuar. Ky veprim, përveç se është në shkelje të bazës ligjore te sipërcituar, është në kundërshtim edhe me nenin 46, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar,
Në këto rrethana, vendosja e kërkesave të veçanta kualifikuese nga Autoriteti Kontraktor është në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke u bërë shkak që Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, gjatë shqyrtimit dhe vlerësimit të ofertave të skualifikojë operatorin ekonomik me vlerë më të ulët, prej me diferencë 4,196,242 lekë, pa TVSH. Si pasojë e kësaj shkelje nuk është përmbushur qëllimi i ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” në lidhje me mirë përdorimin e fondeve buxhetore, pasi nuk janë kursyer fonde buxhetore, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit dëm ekonomik në vlerën 5,035,490 lekë me TVSH.
Sa më sipër, KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, kallëzimin penal nr. 111/9, datë 30.06.2015 për 2 persona, respektivisht për L.M, ish-Kryetar i Bashkisë Memaliaj, dhe punonjësi L.N, për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, nëpërmjet shkeljeve flagrante të rregullave të përcaktuara në fushën e prokurimeve publike, të cilat kanë sjellë dëm ekonomik të fondeve publike në vlerën prej 5.1 milion lekë(në një kontratë me vlerë vetëm 3.8 milionë lekë), veprime këto në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar,
Në total, me Vendimin nr. 69, datë 30.06.2015 të Kryetarit të KLSH-së, është rekomanduar dhënia e masës disiplinore ndaj 6 punonjësve të administratës së Bashkisë Memaliaj për shkak të parregullsive të shumta dhe shkeljeve në fushën e procedurave të prokurimit etj, duke kërkuar njëkohësisht edhe shpërblimin e dëmeve ekonomike të konstatuara në vlerën kompleksive prej 5.115 mijë lekë.