Njoftime

KLSH kallëzon në Prokurori tre Kryeinspektore dhe tre specialiste te njesise se prokurimit të Bashkisë Pogradec.

12.07.2015

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1204/1, datë 05.01.2015, ndryshuar me shkresën nr. 1204/2, datë 20.02.2015, ka ushtruar auditim në Bashkinë Pogradec, në përfundim të të cilit KLSH me shkresën nr. 1204/0, datë 02.06.2015 i ka përcjellë Bashkisë Pogradec gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare të Vendimit nr. 67, datë 02.06.2015 të Kryetarit të KLSH-së.

Nga auditimi, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, ndër të cilat, më kryesoret janë:

1. Në tenderin me objekt: “Pastrimi, grumbullimi dhe largimi i mbeturinave publike në Qytetin e Pogradecit”, u konstatua se, nëpërmjet përcaktimit të kritereve të panevojshme për kualifikim në lidhje me: Paraqitjen nga ofertuesit të dokumentit/dëshmisë, kanë vepruar, në kundërshtim me nenin 46 kualifikimi i ofertueseve, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar,  dhe germa “c”, pika 3 Informacione të veçanta,  kreu III, të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar “Kriteret Specifike të Kualifikimit”, dokumentet standarde të tenderit.

Përcaktimi i kritereve të panevojshme dhe të padobishme për kualifikim sa sipër ka favorizuar me te padrejtë bashkimin e operatorëve ekonomikë, duke i shkaktuar buxhetit të Bashkisë Pogradec një dëm ekonomik në vlerën 4,796,530 lekë.

2. Ne zgjedhjen e procedurës së prokurimit me “negocim pa shpallje të njoftimit të kontratës”, në tenderat me objekt: “Blerje kuote ushqimore”, Blerje Karburanti” dhe Blerje lende djegëse (dru zjarri)”, u konstatua se këto procedura janë bërë në kundërshtim me nenin 33 “Procedura me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit” të  ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar  dhe pikën 5, të kreut IV, të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik’, për arsye se janë ndryshuar dokumentet e të tenderit, në procedurën me negocim pa shpallje të njoftimit të kontratës. Nga auditimi rezultoi se kontratat per tenderat e mesiperm janë hartuar dhe lidhur në kundërshtim me nenet 1 “Objekti dhe qëllimi”, 2 “Parimet e përzgjedhjes”, 4 “Fusha e zbatimit” dhe 29 “Procedurat standarde të prokurimit”, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik, për arsye se autoriteti kontraktor, në përcaktimin e fituesit, nuk ka zbatuar procedurat e parashikuara në këtë ligj, duke cenuar parimet e përzgjedhjes së fituesve të kontratave publike, mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë te ofertuesve dhe parimin e transparencës në procedurat e prokurimit, me pasojë favorizimin e një operatori ekonomik të caktuar, të zgjedhur nëpërmjet procedurës me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.

3. Punonjësit e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Vendor (IMTV) Pogradec, në mënyrë të qëllimshme  nuk kanë përcaktuar sipërfaqen dhe vlerën e  shtesës në objekt duke mos hartuar fare preventiv me koston mesatare të Entit Kombëtar të Banesave, duke shkelur kërkesat e detyrimt ligjor të  përcaktuar në ligjin nr. 10119, dt. 23.04.2009 “Për Planifikimin e Territorit”, i ndryshuar. Në këtë mënyrë, subjekti privat, megjithëse ka përfituar sipërfaqen shtesë për gjithë katin, ka shmangur detyrimet dhe pikërisht një gjobë  prej 3,184,815 lekë,  të parashikuar në ligj për përfitime të sipërfaqes shtesë.

Sa më sipër, KLSH ka përcjellë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, kallëzimin penal nr. 1204/13, datë 10.07.2015 për 6 persona, respektivisht për S.Ll, F.B e E.L, në cilësinë e Specialistëve në Njësisë së Prokurimit në Bashkinë Pogradec, me akuzën e “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, të cilët në shkelje flagrante të rregullave të përcaktuara në fushën e prokurimeve publike, kanë sjellë mospërdorimin me efektivitet, ekonomicitet dhe eficencë të fondeve publike në vlerën prej 4,796,530 lekë, veprime këto në kundërshtim me nenin 46 kualifikimi i ofertueseve, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar,  dhe germa “c”, pika 3 Informacione të veçanta,  kreu III, të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar “Kriteret Specifike të Kualifikimit”.

Gjithashtu kallëzim penal është bërë edhe për K.Gj, A.M dhe G Sh, respektivisht me detyrë Kryeinspektorë të Inspektoratit  Mbrojtjes Territorit Vendor Pogradec, për periudha të ndryshme, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, të cilët në shkelje flagrante në zbatim të ligjit nr. 10119, dt. 23.04.2009 “Për planifikimin e territorit”, i ndryshuar, kanë favorizuar duke shmangur pagesën e gjobës  prej 3,184,815 lekë, në mënyrë të qëllimshme dhe të kundraligjshme, ndaj një subjekti privat.

Në total, m Vendimin nr. 67, datë 02.06.2015 të Kryetarit të KLSH-së, është rekomanduar  dhënia e masës disiplinore ndaj 38 punonjësve të administratës së Bashkisë Pogradec, për shkak të parregullsive të shumta dhe shkeljeve në fushën e Urbanistikës, administrimit të taksave dhe tarifave vendore, menaxhimin e pronave, etj, duke kërkuar njëkohësisht edhe shpërblimin e dëmeve ekonomike të konstatuara në vlerën komplesive prej 22.892 mijë lekë.