Njoftime

KLSH depoziton në prokurori tre kallëzime penale pas auditimeve të ushtruara në Bashkinë Kuçovë, Komunën Perondi (Qarku Berat) dhe Komunën Armen (Qarku Vlorë)

24.07.2015

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programeve të auditimit, nr. 32/1, datë 16.01.2015, nr. 240/1, datë 06.03.2015 dhe nr. 239/1, datë 06.03.2015, ka përfunduar auditimet në Bashkinë Kuçovë, për periudhën Janar 2013 – 31.12.2014, Komunën Perondi (Qarku Berat), për periudhën Janar 2013 – 31.03.2015 dhe Komunën Armen (Qarku Vlorë), për periudhën Janar 2013 – 31.03.2015.
Nga auditimi, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore, mbi bazën e të cilave KLSH me shkresat nr. 32/12, datë 10.07.2015, nr. 240/8, datë 10.07.2015 dhe nr. 239/12, datë 10.07.2015, ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Berat dhe Prokurorisë së Rrethit Vlorë, tre kallëzime penale për 13 persona, Drejtues dhe Nëpunës të këtyre institucioneve, duke përfshirë këtu edhe funksionarë të lartë, si; Nën-Kryetar Bashkie, Kryetar Komune, Drejtor Juridik, Drejtor Urbanistike, Drejtor Finance, etj., me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, dhe më konkretisht:

Nga auditimi i ushtruar në Bashkinë Kuçovë, rezultoi që:
•Në prokurimin me objekt “Rikonstruksioni i Rrugës Naftëtari, Lagja nr. 1, Blloku Tafil Skëndo” Kuçovë, preventivi nuk ka qenë në përputhje me projektin, si dhe çmimet e zërave në preventiv, nuk janë vendosur sipas manualit të VKM nr. 568, datë 27.06.2013, duke shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 9,847,489 lekë pa tvsh .
•Nuk ishte përllogaritur saktë,  vlera e qirasë së disa objekteve të dhëna me qira, duke përdorur referencë të gabuar ligjore, me një vlerë totale prej 9.416.991 lekë.
•Nuk ishte përllogaritur saktë, në 3 raste, vlera e qirasë për 3 kontrata të dhënies me qira të objekteve/troje, me një vlerë totale prej, 3.687.378 lekë.
•Nga mosadministrimi i aseteve si troje apo ndërtesa, (objekte të pretenduar për pronësi nga të tretët, të zaptuara ose jashtë funksioni), si dhe nga moslidhja e kontratave të qirasë për vitet 2013 -2014, kanë shkaktuar të ardhura të   munguara, në shumën 7.684.626 lekë.
•Janë konstatuar shkelje e mangësi në proçedurat e prokurimit publik në 6 tendera, si; mosrespektimit të afateve ligjore, vlerësimit të ofertave në mënyrë jo objektive, si dhe kualifikimit të padrejtë të operatorëve ekonomik pjesëmarrës, të cilët nuk plotësonin kriteret kualifikuese dhe në 3 tendera, kriteret e vendosura për kualifikim kanë qenë diskriminuese, duke ndikuar kështu në shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera.
•Janë dhënë me qira 78 banesa dhe 4 troje/objekte, pa i regjistruar më parë ato në ZVRPP. Për rrjedhojë, kontratat e lidhura për dhënien me qira në bazë të nenit 678 të Kodit Civil, janë kontrata absolutisht të pavlefshme, pasi Bashkia Kuçovë nuk figuron të jetë pronare e objekteve të dhëna me qira.
•Ishte dhënë një subjekti privat me qira “Truall me sipërfaqe 1507 m2”, me një afat 5 vjeçar, (veprime këto të kryera përmes noteres), pa asnjë dokument pronësie, pronë kjo që nuk rezulton e regjistruar  në ZVRPP Kuçovë.
Në referencë të shkeljeve të mësipërme, KLSH me shkresën nr. 32/12, datë 10.07.2015 ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Berat, kallëzim penal për SH.N, me detyrë Nën/Kryetar i Bashkisë, F.M, ish-Drejtor juridik, GJ.C me detyrë Drejtor i Urbanistikes dhe J.L. e E.M me detyrë specialistë urbanistike, të cilët në mos përmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Nga auditimi i ushtruar në Komunën Perondi (Qarku Berat), rezultoi që:
•Ka patur të meta dhe mangësi në përcaktimin e vlerës së tenderuar për objektin:“Ndërtim i KUZ fshati Magjatë, Komuna Perondi”, ku nga llogaritja e gabuar në përcaktimin e vlerës së fondit limit (duke devijuar nga çmimet e manualit teknik dhe VKM Nr. 407, datë 27.06.2012), të rritur më tepër në vlerën +5,340,661 lekë, është shkaktuar një dëm ekonomik për buxhetin e komunës, në vlerën 3,527,775 lekë pa TVSH.
•Titullari i Autoritetit Kontraktor, ka hartuar amendim kontrate duke justifikuar operatorin për zbatimin e punimeve të ndërtimit të rrugës “Perondi-Lapardha” , duke shmangur ligjërisht penalizimin e operatorit ekonomik për përgjegjësinë e tij në realizimin e punimeve në afatin e parashikuar sipas kontratës, me një dëm ekonomik në vlerën  3,791,666.75 lekë.
•Nuk janë kryer verifikime dhe mbikëqyrje ndaj shërbimit të pastrimit të territorit tё komunës sipas Kontratës nr. 223, datë 15.04.2014, duke kryer pagesa fiktive dhe pa dokumentacionin e nevojshëm ligjor dhe ekonomik. Për rrjedhojë likuidimet janë bërë në kundërshtim më kriteret e pagesës për vlerën e kontratës dhe sipas faturave pёr vitin 2014 në shumën 6,975,360 lekë.
•Janë kryer pagesa të tepërta për dy subjekte në vlerën totale prej 5,348,206 lekë , pa u kryer punimet, përkatësisht: në objektin “Rikonstruksion i rrugës  Magjatë-Goraj-Velagosht, faza e I” dhe në objektin “ Ndërtim i KUZ fshati Magjatë”.
•Ka patur të meta e mangësi në tenderin e zhvilluar  për “Rikonstruksionin e rrugës Perondi-Lapardha”, faza e parë, pasi mungon projekti i plotë dhe pjesor origjinal, ose i noterizuar, në dosjen e DST, ndodhet një preventiv i përgatitur nga persona të pa licencuar, i cili nuk ka vlerë ligjore.
•Nuk janë zbatuar nga KRRT-ja e Komunës Perondi, kërkesat e Ligjit nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”, të ndryshuar, , me vendim nr. 2, datë 26.07.2007, ka miratuar leje shesh ndërtimi, për një subjekt ndërtues me objekt: “Sistemim shesh karburanti me sipërfaqe 500 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 96 m2”, pa patur pronësi mbi truallin me sipërfaqe 700 m2, si dhe një leje ndërtimit në truall publik, pa Plan Rregullues, pasi ishte kopetencë e Këshillit të Qarkut Berat.

Në referencë të shkeljeve të mësipërme, KLSH me shkresën nr. 240/1, datë 06.03.2015 ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Berat, kallëzim penal për 7 Drejtues dhe ish drejtues të Komunës Perondi, R.O, me detyrë ish-Kryetar Komune, R.H, me detyrë Kryetar Komune, E.S, ish-Drejtor Urbanistike, F.P me me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Financës, B.H, me detyrë Drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve, E.P, me detyrë jurist, dhe DH.(B).M, me detyrë specialist urbanistike, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Nga auditimi i ushtruar në Komunën Armen (Qarku Vlorë), rezultoi që:
•Janë lejuar dhe miratuar pagesa të kundraligjshme në vlerën 6,176,600 lekë pa TVSH, për volume pune të pakryera në objekt, duke kryer  vetëm me një shtresë çaklli, apo zhavorri, me trashësi 20 cm dhe jo me dy shtresa 2 x 20 cm dhe rezulton të mos jetë realizuar shtresa me stabilizant me trashësi 10 cm,etj.
Gjithashtu, nuk ishte përgatitur dhe mungonte dokumentacioni i nevojshëm, si procesverbali i punimeve të maskuara për rrafshimin me buldozer; provat dhe certifikatat e cilësisë së materialeve të përdorura (çakëll, zhavorr, hekur, beton etj); libri i kantierit; pasqyra e realizimit të punimeve sipas formatit tip; dokumentacioni fotografik i zbatimit të punimeve;
Si përfundim, janë përfituar nga sipërmarrësit për punime të pakryera, 6,176,600 lekë pa TVSH, të konsideruara si dëm ekonomik.
Për këto shkelje, KLSH me shkresën nr. 239/12, datë 10.07.2015, ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, kallëzimin penal ndaj F.G në cilësinë e mbikëqyrëses së punimeve, e cila ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.