Vizita studimore e delegacionit të KLSH-së pranë Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë
28.09.2015
Në datat 28-30 shtator, 2015 u zhvillua pranë Zyrës Shtetërore të auditimit të Kroacisë një vizitë studimore e audituesve të KLSH-së.
Kjo vizitë vijon traditën e suksesshme tashmë të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve supreme të auditimit pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në vitin 2012.
Nga KLSH morën pjesë zj.Albana Gjinopulli, Drejtore e Metodologjisë, z.Vullnet Karafilaj, krye/auditues, z.Gjovalin Preçi, krye/auditues, z.Alfonc Gabili, auditues i I, z.Skënder Muça, auditues i I, zj.Alma Shehu, audituese e I dhe zj.Dëshira Huqi, specialiste për marrëdhëniet me jashtë.
Nga institucioni homolog, grupi i punës përbëhej nga Drejtorët e Përgjithshëm, z.Bozo Antic, zj.Lidija Pernar, zj.Verica Akrap, zj.Neda Rogosic, si dhe audituesit zj.Silvija Dorotic dhe z.Igor Karlovic.
Në hapje të ditës së parë të vizitës studimore, u zhvillua një prezantim i ndërsjellë ndërmjet dy delegacioneve mbi mënyrat e funksionimit dhe organizimit të institucioneve respektive. Në vijim u paraqitën përmbledhje të auditimeve më të spikatura në fushën e performancës dhe auditimit financiar, si dhe raste studimore nga këto auditime. Rastet studimore trajtuan auditimet e performancës mbi “Menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Kroacisë” dhe mbi “Financimin e ndërtimeve dhe menaxhimin e qendrave sportive”. Ndërsa rasti studimor për auditimin financiar trajtoi “Raportimin në auditimet e shoqërive publike”. Gjithashtu, me mjaft interes ishte dhe procedura e kontrollit të cilësisë dhe hapave të ndjekur gjatë raportimit.
Raportimi në auditime ishte dhe fokusi kryesor gjatë ditëve të vizitës studimore. U trajtuan gjatë prezantimeve të gjitha fazat e procesit të raportimit, mënyra e të shkruarit të raporteve, publikimi i tyre dhe përcjellja e rekomandimeve.
Zyra Shtetërore e auditimit të Kroacisë, raporton në Parlament mbi zbatimin e buxhetit, raportet e auditimeve përkatëse dhe raporte të veçanta.
Në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar me Parlamentin e Kroacisë, përveç raportimit dy herë në vit si detyrim kushtetues, ky institucion raporton pranë Komisionit të Financave dhe Buxhetit pothuajse dy herë në muaj lidhur me raportet e auditimit të zhvilluara në periudhat respektive dhe gjithashtu, sa herë që SAO e shikon të arsyeshme të paraqesë raporte të auditimeve specifike.
Raportet ku janë të përfshira dhe të gjitha komentet e ardhura nga subjekti i audituar publikohen në faqen zyrtare të internetit të SAO-s, ashtu siç janë paraqitur në Parlament dhe 8 ditë pasi i janë paraqitur subjektit të audituar.
Në përfundim, u konkludua se këto sesione informuese ishin mjaft të vlefshme dhe shërbenin edhe në përmirësimin e punës audituese në përgjithësi dhe raportimit në veçanti. Gjithashtu, u shkëmbyen mjaft ide the eksperienca të ndërsjella lidhur me mënyrën e raportimit, numrin e auditimeve, vështirësitë që hasen gjatë kryerjes së tyre, në bazë dhe të vetë specifikave që bartin vendet tona.