Kryetari i KLSH-së takon Presidentin e NIK-ut Polak
21.10.2015
24.10.2015
Më 21 Tetor 2015, Kryetari i KLSH-së, Z. Bujar Leskaj, sëbashku me një grup përfaqësimi të KLSH-së, u mirëprit në Varshavë nga Presidenti i NIK-ut Polak, Z. Krzysztof Kwiatkowski.
Në këtë takim, morën pjesë edhe dy personalitetet e shquara dhe miq të vjetër të KLSH-së, Z. Wojciech Kutyla, Zv. President i NIK-ut Polak dhe Z. Jacek Jezierski, ish-President i këtij institucioni.
Në takimin e zhvilluar në ambientet e zyrave qëndrore të NIK-ut në Varshavë, Z. Kwiatkowski dhe Z. Leskaj diskutuan mbi cështjejt aktuale të bashkëpunimit bilateral ndërmjet të dyja SAI-eve, duke vlerësuar rëndësinë e implementimit të afërt të Projektit të Binjakëzimit IPA mes dy institucioneve, i cili do të zgjasë 24 muaj dhe do të zhvillohet në bashkëpunim edhe me SAI-in Kroat.
Z. Kwiatkowski konfirmoi që ky Projekt Binjakëzimi dhe vetë bashkëpunimi i NIK-ut Polak me KLSH, janë një prioritet për të si President i NIK-ut Polak dhe për gjithë stafin e tij drejtues. NIK-u Polak në vlerësim të ecurisë së deritanishme të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve do të vazhdojë të mbështesë programin e trajnimeve të audituesve të KLSH-së në Poloni, të zhvilluar tashmë me sukses gjatë këtyre tre viteve të fundit.
Në fjalën e tij, Kryetari i KLSH-së, pasi vlerësoi së tepërmi bashkëpunimin e deritanishëm me NIK-un Polak dhe rolin që ky institucion i mirënjohur në rangun e Institucioneve Europiane të Auditimit ka pasur në procesin e modernizimit dhe ndryshimit të vazhdueshëm gjatë këtyre viteve në KLSH, shprehu besimin që në përfundim të Projektit të Binjakëzimit, KLSH do arrijë të krahasohet për nga standartet dhe niveli profesional me disa prej SAI-eve më të përparuara Europiane.
Në vazhdim të takimeve të tjera të zhvilluara si pjesë e kësaj vizite, Kryetari i KLSH-së, i shoqëruar dhe nga Z. Wojciech Kutyla, Zv. President i NIK-ut Polak dhe Z. Jacek Jezierski, ish-President i këtij institucioni, mbajti më datë 23 Tetor 2015 një leksion të vecantë për Drejtuesit dhe audituesit e lartë të Degës Rajonale të NIK-ut në Poznan, njëra prej degëve më të mëdha dhe më të rëndësishme të NIK-ut Polak.
Pjesë e delegacionit Shqiptar që shoqëroi Kryetarin e KLSH-së në këtë vizitë, ishin Z. Ermal Yzeiraj Drejtor i Departamentit Juridik dhe Kontrollit të Zbatimit të Standardeve, Z. Alush Zace Kryeauditues dhe Z. Orgest Levani Auditues.