KLSH mirëpret një grup studentësh të universitetit “Washington and Lee”, Virxhinia, SHBA.
26.11.2015
27.11.2015
Në datën 26.11.2015, në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u zhvillua një takim midis një grupi studentësh të Shkollës së Ligjit të universitetit “Washington and Lee”, Virxhinia, SHBA dhe disa prej audituesve të rinj të rekrutuar rishtazi në Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Grupi i studentëve amerikan shoqërohej në këtë takim nga Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare Thomas H. Speedy Rice, i cili duke konsideruar si me mjaft interes për studentët informimin e tyre mbi punën dhe rolin që një institucion suprem auditimi mund të luajë në luftën kundër korrupsionit dhe zbatimit të ligjit, shprehu dëshirën e organizimit, së bashku me Drejtorin e Departamentit Juridik dhe Kontrollit të Zbatimit të Standardeve të KLSH-së, Z. Ermal Yzeiraj, të një vizite të shkurtër në ambientet e KLSH-së.
Duke ju uruar mirëseardhjen, Drejtori Z. Ermal Yzeiraj, iu tregoj studentëve amerikan për rolin dhe rezultatet që KLSH si institucion i pavarur kushtetues i auditimit të jashtëm në Republikën e Shqipërisë, ka patur në luftën kundër korrupsionit, zbatimit të ligjit dhe informimit të publikut në lidhje me mirëmenaxhimin apo keqpërdorimin e financave shtetërore.
Në fjalën e tij, Z. Yzeiraj u përqendrua në transformimin që ky institucion ka pësuar përgjatë viteve të fundit, rëndësinë që ka për këtë institucion bashkëpunimi me qarqet akademike, rolin që të rinjtë e sapodiplomuar mund të luajnë në rifreskimin e vazhdueshëm të institucionit, llojet e kallëzimeve penale që KLSH referon në organin e Prokurorisë, etj.
Më pas fjala iu drejtua studentëve, të cilët bënë një sërë pyetjesh në lidhje me transparencën e auditimeve, informimin e opinionit publik, mënyrën se si zhvillohet procesi i auditimit, etj.
Në fund të këtij takimi, Profesori Thomas H. Speedy Rice, shprehu falenderimin e tij për pritjen dhe atmosferën e ngrohtë të KLSH duke uruar suksese të mëtejshme në punën dhe veprimtarinë e këtij institucioni kaq të rëndësishëm.