Kryetari i KLSH-së merr pjesë në Konferencën e V-të të përbashkët EUROSAI-ARABOSAI
07.12.2015
09.12.2015
Në datat 7-9 dhjetor 2015, në Doha, Katar u zhvillua Konferenca e V-të e përbashkët EUROSAI-ARABOSAI, në të cilën morën pjesë Institucione Supreme Auditimi (SAI) nga Europa dhe nga vendet Arabe, si dhe përfaqësues të Gjykatës Europiane të Audituesve (ECA), Zyrës së Audituesit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejtues të EUROSAI-t, ARABOSAI-t dhe të INTOSAI-t.
Konferenca e përbashkët EUROSAI-ARABOSAI zhvillohet një herë në dy vjet me rotacion ndërmjet SAI-ve europiane dhe atyre arabe. Konferenca ka për qëllim bashkëpunimin profesional dhe institucional ndërmjet SAI-ve të të dy rajoneve, si dhe shkëmbimin e njohurive dhe eksperiencave ndërmjet tyre në mënyrë që të kontribuohet në zhvillimin e punës audituese të këtyre vendeve.
Pamje nga salla, në të cilën u zhvillua Konferenca e V-të e përbashkët EUROSAI-ARABOSAI.
Në rreshtin e parë janë ulur Kryetarët e SAI-ve të vendeve pjesëmarrëse.
Punimet e Konferencës u hapën nga Kryeministri dhe njëkohësisht Ministër i Brendshëm i Katarit, Sheiku Abdullah bin Nasser bin Khalifa Al Thani, i cili u uroi mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve dhe theksoi faktin që realizimi i Konferencave të tilla ndihmon në trajtimin e problematikave të vërejtura në krizën e fundit financiare dhe gjithashtu në ndryshimet e ndodhura në botën financiare në vitet e fundit. Tema kryesore e kësaj konference ishte “Roli i SAI-ve në mbikqyrjen e planifikimeve qeveritare për dhënien e asistencave financiare për ekonomitë në krizë”. Në bazë të temës kryesore u trajtuan edhe dy nën-tema të tjera: -“Roli i SAI-ve në monitorimin e zbatimit të planeve të asistencës finanicare”. Kjo nën-temë trajtoi rëndësinë e ndërhyrjes së SAI-ve në ushtrimin e kontrollit mbi zbatimin e planeve të asistencave financiare në raste krizash ekonomike me qëllim verifikimin e fondeve publike të shpenzuara, nëse këto fonde të alokuara janë shpenzuar në mënyrën e duhur dhe për qëllimin e caktuar. -“Perceptimi i rolit të SAI-ve në të ardhmen me qëllim evidentimin e risqeve të krizave financiare”. Kjo nën-temë lidhet me evidentimin e treguesve ekonomikë, të cilët “parashikojnë” mundësinë e ndodhjes së një krize financiare. Për këtë, roli i SAI-ve në studimin/analizimin e tregjeve dhe monitorimin ekonomik të këtyre treguesve, është bërë i nevojshëm për të parandaluar efektet negative të politikave monetare dhe fiskale të ndërmarra nga qeveritë. Gjatë tre ditëve të zhvillimit të Konferencës, Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj realizoi shumë takime pune, si me Kryetarin e Zyrës Shtetërore të Auditimit të Katarit, Sheik Bandar bin Mohammad bin Saoud Al Thani që ishte edhe mikpritësi dhe organizatori i kësaj Konference. Zoti Leskaj takoi gjithashtu shumë drejtues të SAI-ve Europiane dhe Arabe që morën pjesë në këtë Konferencë si z.Recai Akyel, President i Gjykates Turke të Llogarive, z.Ivan Klesiç, Kryetar i SAI-t Kroat, z. Adel Al Saravi, President i SAI-t të Kuvaitit, z.Naser Ademi, Zv/President i SAI-t të Maqedonisë, delegacionin e SAI-t Polak të kryesuar nga ish-Presidenti, z.Jacek Jezierski dhe përfaqësues të shumë SAI-ve të tjera. Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj me Kryetarin e Zyrës Shtetërore të Auditimit të Katarit, Sheik Bandar bin Mohammad bin Saoud Al Thani. KLSH u përfaqësua në këtë konferencë nga një delegacion i kryesuar nga z.Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së. Në përbërje të delegacionit ishin z.Ermal Yzeiraj, drejtor departamenti, zj.Albana Agolli, drejtore departamenti dhe zj.Irena Islami, drejtore drejtorie. Në fund të punimeve të kësaj Konference u miratua edhe një Deklaratë e përbashkët nga më shumë së 100 pjesëmarrës (bashkëlidhur këtij njoftimi). Punimet e konferencës u pasqyruan gjerësisht nga të gjitha mediat e Katarit dhe vecanërisht nga gazetat e përditshme si në gjuhën arabe ashtu edhe në gjuhën angleze. |