Njoftime

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të KLSH në Konferencën e VI Ndërkombëtare për Antikorrupsionin në Varshavë, Poloni.

09.12.2015

 

14.12.2015

Në datat 9-10 dhjetor në Varshavë, Poloni u mbajt Konferenca e VI-të Ndërkombëtare për Antikorrupsionin. Fokusi i saj ishte forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Në këtë aktivitet nga KLSH morën pjesë tre drejtues; Z. Xhaferr Xhoxhaj, Drejtor Departamenti, Z. Artur Hasanbelliu, Kryeauditues dhe Z. Koço Sokoli, Përgj/Sektori.

9 Dhjetori njihet si Dita Ndërkombëtare e Anti-Korrupsionit. Ajo është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Në këtë ditë përkujtohet ratifikimi i Konventës së OKB-së Kundër Korrupsionit nënshkruar në dhjetor të vitit 2003 në Merida, Meksikë. Iniciativa e OKB-së thekson rolin e Konventës në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit në jetën publike dhe private, si dhe ajo synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut në këtë fushë.

Konferenca i zhvilloi punimet e saj në Qendrën Shkencore Kopernik, në Varshavë. Këtë vit, për herë të parë në historinë pesë vjeçare të këtij aktiviteti, konferenca i zhvilloi punimet e saj për dy ditë  me rradhë dhe kishte si temë kryesore forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Ky takim u zhvillua si një debat i përbashkët për integrimin e aktiviteteve anti-korrupsion të institucioneve që kanë për detyrë parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.

poloni_konf3_2167_0

Në ditën e parë të konferencës folën përfaqësues të nivelit të lartë të institucioneve polake dhe të atyre Ndërkombëtare, të cilat ishin ftuar të merrnin pjesë nga Byroja Qëndrore e Antikorrupsionit të Polonisë. Përvojat e tyre në luftën kundër korrupsionit i paraqitën për  pjesëmarrësit e konferencës Shërbimi i Hetimeve Speciale e Republikës së Lituanisë (STT), Qendra Kombëtare Kundër Korrupsionit në Moldavi (CNA), Nisma Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI), Zyra Evropiane e Anti-Mashtrimit (OLAF), Transparency International (TI), Drejtoria Kombëtare Kundër Korrupsionit e Rumanisë (DNA), Byroja Federale e Anti-Korrupsionit në Austri (BAK) dhe si dhe rojet kufitare të Polonisë.

Ndërsa në ditën e dytë të konferencës takimi u drejtua nga ekspertët dhe ishte i konceptuar në dy panele. Në panelin e parë u përfshinë prezantimet me temë nga përvojat në bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit. Këto prezantime u mbajtën nga përfaqësuesit e institucioneve të Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit, Zyrës Kombëtare Anti-Korrupsion të Ukrainës nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Drejtoria e Policisë dhe Byroja Qendrore e Antikorrupsionit të Polonisë nga Zyra e Mashtrimeve  të Rënda dhe Agjencia Kombëtare e Krimit të Mbretërisë së Bashkuar dhe nga OSBE-ja.

Paneli i dytë trajtoi përvojat në lidhje me masat e marra për të parandaluar korrupsionin. Prezantimet u kryen nga përfaqësues të Fondacionit Stefan Batory, Qendrës për Parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Bullgari,  Ministria e Drejtësisë së Polonisë, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, Inspektori i Përgjithshëm i Informacionit Financiar si dhe Agjencia Kombëtare Integritetit të Rumanisë.