KLSH kallëzon në prokurori ish-drejtoren e njësisë së zbatimit të projektit për "OST" Sh.a
10.02.2016
KLSH kallëzon në prokurori ish-drejtoren e njësisë së zbatimit të projektit për “OST” sh.a. dhe mbikëqyrësen kryesore të projektit “ndërtimi i qendrës së re dispeçere dhe sistemi scada ems”.
-Përfundimi i Projektit me 6 vjet vonesë. Ende i papërfunduar. Dëmi ekonomik mbi 6.4 milionë euro.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 516/1 prot., datë 21.05.2015 ka ushtruar auditim në kompaninë shtetërore “OST” (Operatori i Sistemit të Transmetimit) Sh.a., për projektin “Ndërtimi i qendrës së re dispeçer dhe sistemi SKADA EMS”, në përfundim të të cilit, me shkresën nr. 516/12 datë 21.09.2015 i ka përcjellë “OST” SHA gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare të Vendimit nr. 120, datë 18.09.2015 të Kryetarit të KLSH.
Projekti “Ndërtimi i qendrës së re dispeçer dhe sistemi SKADA EMS”, është një nga tre komponentët e projektit “Ristrukturimi dhe fuqizimi i sistemit elektrik shqiptar për integrimin në sistemin e Ballkanit: Fuqizimi i aftësive të transmetimit dhe përmirësimi i kontrollit”, ratifikuar në Kuvend me Ligjin nr. 9612, datë 21.09.2006. Për realizimin e projektit nga Qeveria Italiane, banka “Artigiancassa”, është rënë dakord dhe është akorduar për palën shqiptare një kredi e butë në shumën gjithsej 51,494,303 Euro. Në përputhje me objektivat e projektit, në marrëveshjen e kredisë ishte përcaktuar se për një periudhe prej 36 muajsh, kompania “OST” do të pajisej me Qendrën e Dispeçerisë dhe të Telekontrollit (QDT). Në total kosto e projektit nga nisja e tij deri më datë 30.04.2015, duke përfshirë të gjitha burimet e financimit, ka arritur deri më tani në vlerën 71,687,569 euro.
Nga auditimi i KLSH, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, ndër të cilat më kryesoret janë:
1. Projekti “Ndërtimi i qendrës së re dispeçer dhe sistemi SCADA EMS”, është ende në proces zbatimi dhe nuk ka përfunduar, ndonëse është vonuar më shumë se 6 vjet. Nga auditimi rezultoi se afati i disbursimit jo vetëm që nuk është plotësuar, por ka patur disa shtyrje për përmbushjen e këtij afati, ku gjithsej afati i disbursimeve është shtyrë me 54 muaj ose më shumë se 4 vite nga afati prej 36 muaj i përcaktuar në marrëveshjen e kredisë.
2. Për ndërtimin e linjës 400 kv Tirana 2, punimet kanë përfunduarme vonesë në dhjetor të vitit 2011 dhe duhej të ishte aplikuar penaliteti në masën 0.5% të vlerës përfundimtare të kontratës, për çdo javë vonesë. Ky veprim është në kundërshtim me kontratën datë 21.02.2008, Kushtet e Veçanta të Kontratës, volumi 2, seksioni 3, pika CS-34, duke shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 1,299,152 euro, detyrim ky që duhet të paguhet nga kontraktori.
3. Në zbatimin në kontratë të zërit “Trajnime në fabrikën e XY, trajnime në Shqipëri dhe testimet e pajisjeve në fabrikë”, u konstatua se është likuiduar vlera prej 1,278,009 euro, e cila është e pa justifikuar me dokumentacionin që vërteton kryerjen e këtij shërbimi dhe përbën dëm ekonomik për OST Sh.a. Mungojnë regjistrat e pjesëmarrjes në trajnime, relacionet e mbajtura pranë fabrikës së XY nga stafi i trajnuar, çertifikatat e lëshuara sipas fushave përkatëse, kondra-biletat e udhëtimeve të kryera, dokumentacion i cili vërteton kryerjen e testimeve në fabrikë, listë-prezencat e pjesëmarrësve në trajnime si në fabrikën e XY në Itali por dhe në Shqipëri, etj.
4. Në zbatimin e zërit “Parts of telecommunication equipment” për nënstacionet përkatëse u konstatua se është likuiduar vlera 650,000 euro, e cila i përket pajisjeve të reja të komunikimit por në fakt këto pajisje janë të vjetra dhe të bëra upgrade. Nuk ka asnjë dokument që vërteton se cilat karta janë vendosur (çmimi i tyre) dhe cilat janë bërë upgrade për secilën pajisje.
5. Për periudhën nga fillimi i auditimit deri në vitin 2002, nga NJ.M.P. /OST Sh.a. nuk është bërë raportimi mbi ecurinë e projektit në Ministrinë e Financave në përputhje me VKM nr. 116, datë 24.02.1997.
6. Për kontratën me objekt “Ndërtimi i Nënstacionit të ri 400/220 kv Tirana 2 dhe zgjerimi i Nënstacionit ekzistues Elbasan 2”, shtesa e kontratës ka tejkaluar fondet e akorduara nga kredia e MC Centrale për projektin “Ristrukturimi dhe fuqizimi i sistemit elektrik Shqiptar për integrimin në sistemin e Ballkanit”, si dhe vlerën e fondit limit të përcaktuar në planin e kombinuar të prokurimit në shumën 1,086,666 euro.
7. Nga fondet e akorduara për projektin, fondet për administrim të projektit dhe ndihmë për Njësinë e Menaxhimit të Projektit(NJ.M.P.)/OST, të cilat në marrëveshje janë përcaktuar se janë fonde falas për furnizime, blerje dhe shërbime të vogla, në shumën 145,000 euro, nuk i janë dhënë asnjëherë OST Sh.a./NJ.M.P. Për këtë moszbatim të kushteve të marrëveshjes financiare, pala italiane nuk ka dhënë shpjegime.
8. Mungon dokumentacioni i cili vërteton kryerjen e punëve ose të shërbimeve, aktet e marrjes në dorëzim të pajisjeve të furnizuara dhe nuk ka dokument zyrtar që të vërtetojë se mallrat e prokuruara janë montuar dhe lënë në dispozicion të njësive operative të OST, si mallra në ngarkim të këtyre njësive, duke e bërë të pa mundur marrjen e masave dhe ndarjen e përgjegjësive në rast dëmtimi ose keq përdorimi.
9. Janë kryer pagesat dhe zhdoganimet për pajisjet “TVC 1-p”, “TVC 3-p”, “Izolatorë qelqi”, “Armadio FOX” tek T.C, si dhe “Projektorë me aksesorët e montimit” dhe “Ekran projektimi i video projektorit” në shumën 140,795 euro, por për këto mallra (pajisje) jo vetëm që mungon dokumentacioni justifikues i cili vërteton se mallrat kanë ardhur në “OST” Sh.a., janë magazinuar, janë kolauduar dhe testuar, por mungojnë edhe pajisjet.
10. Nga auditimi rezulton se nuk monitorohen nënstacionet 110kv , si p.sh. nënstacioni i Fierit. Për linjat 110kv, qendra dispeçer nuk kryhen dot asnjë ekzekutim të komandave dhe as monitoron temperaturat e auto-transformatorëve. Investimi në këto nënstacione, është i destinuar të amortizohet shumë shpejt, sidomos tek nënstacionet ku pajisjet janë të montuara jashtë kushteve dhe parametrave teknikë. Vlera totale në masën 364,300 euro përbën investim me efekt negativ, duke sjellë rritje fiktive për koston e projektit.
Në total, nga auditimi rezultoi që dëmi ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të kompanisë “OST” Sh.a., pra dhe Buxhetit të Shtetit, arrin në vlerën 6,427,733 euro.
Për të gjitha shkeljet e konstatuara, KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimin penal nr. 516/13, datë 22.09.2015, respektivisht për E.K, me detyrë ish-Drejtore e Njësisë së Zbatimit të Projektit në OST Sh.a. dhe F.D., në cilësinë e Mbikëqyrëses Kryesore të Punimeve, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga nenin 248 i Kodit Penal, si dhe i ka rekomanduar OST Sh.a. dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë marrjen e masave të ndryshme disiplinore deri në largim nga shërbimi civil për dy drejtues dhe dy punonjës të këtyre dy institucioneve ende në detyrë.