Vizitë studimore e një grupi nga KLSH në SAI-n e Malit të Zi, Podgoricë 19–20 Nëntor 2015
25.11.2015
“Experientia mutua, omnibus prodest” e njohur si motoja e INTOSAI-t (Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit), është tashmë një realitet në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Programi i Zhvillimit të Vazhdueshëm Profesional për ngritjen e kapaciteteve dhe thellimin e njohurive të audituesve të KLSH po mbështetet gjithnjë e më shumë në vendosjen e lidhjeve të qëndrueshme të bashkëpunimit me Institucionet Supreme të Auditimit (SAI) homologe, si bazë për shkëmbimin dhe përhapjen e eksperiencës midis institucioneve, midis kolegëve auditues dhe profesionistëve. Në këtë frymë, më 19 dhe 20 Nëntor, në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, një grup audituesish të KLSh-së morën pjesë në një vizitë studimore në Institutin e Revizorëve Shtërorë (DRI) të këtij vendi, ku u përshëndetën nga Presidenti i Senatit të këtij institucioni z. Milan Daboviç.
Kjo vizitë ishte konceptuar kryesisht si një format bashkëpunimi mbi bazat e shkëmbimit të eksperiencës dhe praktikave audituese të dy vendeve përkatëse kishte si qëllim kryesor thellimin e njohurive profesionale të audituesve si dhe pasurimin me informacione dhe praktika të tjera ndërkombëtare në fushën ë auditimit publik.
Objektivat dhe përmbajta e vizitës studimore
Çështjet mbi të cilat u diskutua, u përcaktuan në bashkëpunim të ngushtë midis dy palëve duke u përqëndruar:
•Prezantimi dhe diskutimi i eksperiencës së dy institucioneve, KLSH dhe DRI të Malit të Zi mbi :
- Auditimi i Pasqyrave Financiare të Buxhetit të Shtetit, nëpërmjet të cilave u bënë prezent nga të dy palët se deri ku mandati i secilit institucion lejonte kryerjen e këtij lloj auditimi, cila ishte eksperienca e secilit vend në këtë fushë, si dhe sfidat që sjell kryerja e auditimeve financiare, në veçanti për dhënien e opinionit mbi pasqyrat financiare, një qasje që KLSH do e adoptojë se shpejti si angazhim qe rrjedh nga zbatimi i Ligjhit të Ri;
- Vlerësimi i zbatimit të kritereve të përgjegjshmërisë fiskale, një praktikë e re dhe për vetë institucionin pritës;
- Auditimi i Performancës dhe aplikimi i metodologjisë së auditimit në eksperiencën e DRI të Malit të Zi;
- Auditimi i Pasqyrave Financiare të Partive Politike, auditim që përfshinte të dyllijet: auditim i rregushmërisë dhe auditim financiar, por për të cilat jepeshin dy opinione të pavarura për secilën fushë: Opininion mbi rregullshmërinë dhe Opinion mbi Pasqyrat Financiare.
Objektivat përfshinë gjithashtu:
- Nxitjen e diskutimeve ndërmjet audituesve që vinin nga dy eksperienca dhe vende të ndryshme për të krijuar partneritet dhe bashkëpunim profesional , të nevojshëm për të qenë të suksesshëm në kryerjen e funksionit të audituesit shtetëror.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, u përfaqësua nga një grup audituesisht të nivelit të larte si dhe Drejtoria e Metodologjisë dhe Zhvillimit, duke mbajtur një nivel të lartë profesionalizmi, me ekspertizë në auditimin e sektorit publik, të përbërë nga: Albana Gjinopulli, Sali Agaj, Pjeter Beleshi, Bashkim Harizaj, Ibrahim Ndreu, Marjola Lleshi, Miranda Haxhia, Luljeta Shtylla, Mimoza Bedini dhe Alkida Llakaj.
DRI ushtron auditime financiare, auditime të rregullsisë dhe auditime performance; sipas Kushtetutës, Instituti i Revizorve Shtetërorë (DRI) i Malit të Zi është institucion i pavarur nga qeveria dhe autoriteti suprem i auditimit kombëtar.
DRI auditon ligjshmërinë e dhe menaxhimin e aseteve shtetërore dhe detyrimeve, buxhetet dhe të gjitha çështjet financiare të subjekteve burimet e financimit të cilëve janë publike ose krijuar përmes përdorimit të pronës shtetërore. Subjektet e auditimit janë autoritetet dhe organizatat buxhetore ose ata që janë pronë e shtetit dhe të njësive të vetëqeverisjes lokale, fondeve dhe personave tjerë juridikë të themeluar nga shteti ose në të cilat shteti mban shumicën e aksioneve. Institucioni gjithashtu auditon subjektet që përdorin fonde të buxhetit, të marrin subvencione, grante ose garanci nga shteti, përdorin fondet e BE-së dhe fondet e organizatave ose institucioneve të tjera ndërkombëtare për financimin e nevojave publike, etj.
Një çështje me interes dhe që në praktikën e audituesve shqiptarë u prezantua si një risi dhe me ndjeshmëri, ishte “Auditimi i Pasqyrave Financiare të Partive Politike”, i cili në fakt ishte një auditim i rregullshmërisë i kryer sëbashku me auditimin e pasqyrave financiare. Në Malin e Zi, auditimi i Partive Politike mbështetej në dy ligje kryesore: Ligjin e DRI-t dhe Kodin Elektoral, ku ky i fundit përcaktonte në mënyrë eksplicide se “autoriteti që auditon pasqyrat financiare të partive politike ishte DRI”. Metodologjia e kryerjes së auditimit nuk ndryshon nga ajo në subjektet e tjera publike. Financimi i Partive Politike nga Buxheti i Shtetit ishte deri në 98% të burimeve të përgjithshme të financimit, çka përbënte një arsye më tepër që krijonte kushte optimale për DRI, të auditonte këto subjekte pa u përballur me ndonjë presion të madh nga subjektet e auditimit.
Metodologjia e kryerjes së auditimeve të DRI bazohet në udhëzuesit e përgatitur në përshtatje me standardet ndërkombëtare të auditivit të jashtëm dhe nuk paraqet ndryshime thelbësore nga metodologjia që shtjellohet në udhëzuesit e manualet e auditimit të KLSH-së.
Trajtimi i rasteve praktikë bëri të mundur që të kaloheshin kufijtë teorikë, duke ú mundësuar pjesëmarrësve të lidhin më mirë teorinë me trajtimin praktik si dhe të qartësojnë njohuritë e tyre për çështje që i kanë pak të njohura apo aspak në eksperiencat e vendeve të tyre.
Karakteristikë e trajnimit ishte se nuk u fokusua vetëm në prezantime të mirëfillta nga përfaqësuesit e SAI të Mlait të Zi dhe të Shqipërisë, por u zhvillua në një ambient tepër të gjallë diskutimesh interaktive mes audituesve të cilët sollën njohuritë e tyre praktike. Në këtë mënyrë u mundësua që vizita studimore të drejtohej jo thjesht si një proces mësimdhënie të njëanshme, por si një proces konsultativ midis palëve të cilat plotësojnë njohuritë e njëra tjetrës.