Njoftime

KLSH Kallëzon në Prokurori 3 Nëpunës të ish Komunës Novosel, (Bashkia Vlorë)

 

03.12.2015

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 501/1, datë 14.04.2015, ka audituar ish Komunën Novoselë, Bashkia Vlorë, për periudhën nga Janar 2013 deri më 31 Maj 2015 të veprimtarisë së këtij institucioni, në përfundim të të cilit me Vendimin nr. 99, datë 25.07.2015 të

Kryetarit të KLSH, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit së bashku me masat dhe rekomandimet përkatëse për përmirësimin e gjendjes.

Nga auditimi rezultuan një sërë shkeljesh, të metash dhe mangësish, në zbatimin e procedurave ligjore në fushën e prokurimit publik, shpalljen e operatorëve fitues, marrjen në dorëzim të mallrave, dhënien, ndjekjen dhe zbatimin e kontratave të dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara, lejimin e shfrytëzimit të paligjshëm të resurseve natyrore të komunës, dhënien me qira të objekteve, si dhe dhënien e lejeve zhvillimore. Veprime këto të kryera në kundërshtim me; Ligjin nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, Ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit”, VKM nr. 514, datë 15.08.2007 “Për informatizimin e llogaritjes së kostos dhe hartimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit, i ndryshuar; Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar; Ligjin nr. 8312, datë 26.3.1998 "Për tokat bujqësore të pandara" i ndryshuar, UKM nr. 1 datë 18.7.2012 “Për procedurat e dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara”; Ligjin nr. 9791, datë 23.7.2007  “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”; VKM nr. 529, datë 8.6.2011 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”; Ligjin nr. 10119, datë 23.04.2009 “Për Planifikimin e  Territorit”, i ndryshuar dhe VKM  nr. 480, datë 22.06.2011 “Për miratimin e rregullores model të planifikimit” e ndryshuar.

Gjithashtu nga auditimi, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore, me dëm ekonomik në vlerën 12,3 milion lekë, mbi bazën e të cilave KLSH, me shkresën nr. 501/10, datë 30.11.2015, depozitoi kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, për SH.M. me detyrë Përgjegjëse e Zyrës së Urbanistikës, A.H. me detyrë Përgjegjës Administrate dhe Sektorit të Bujqësisë dhe SH.M. me detyrë Përgjegjëse e Financës, akuzuar për konsumim të elementëve të figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Më konkretisht KLSH konstatoi që:

A. Në procedurën e prokurimit me objekt: “Rikonstruksioni i rrugës Hidrovor Akërrni, faza e II”, Novoselë, ishte kryer rritje fiktive e vlerës së fondit limit, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik në vlerën 8.99 milion lekë, po kështu është vepruar në procedurën e prokurimit “Blerje e 3 automjeteve vetëshkarkuese për komunën Novoselë”, pasi operatori ekonomik i shpallur fitues, nuk plotësonte kriteret e veçanta të kualifikimit.

B. Janë dhënë dy leje zhvillimore dhe leje ndërtimi mbi parcelë të kategorizuar në ZVRPP Vlorë, si pasuri e llojit “tokë arë”, për objektet ndërtimore “Ndërtimi i objektit Show Room (2 kate) dhe Kapanon (me 3 kate)” dhe “Ndërtimi i objektit Magazinë për përpunimin dhe grumbullimin e ullirit, lënda e parë (shtesë në fabrikën ekzistuese)”, në kundërshtim me Ligji nr. 10119, datë 23.04.2009 “Për Planifikimin e  Territorit”, i ndryshuar dhe VKM nr. 480, datë 22.06.2011 “Për miratimin e rregullores model të planifikimit” e ndryshuar.

C. Në procedurën e marrjes në dorëzim të 3 automjeteve vetëshkarkuese të blera rezultoi që  automjetet nuk ishin sipas specifikimet teknike të tenderit, pasi kishin kapacitete teknike të ndryshme nga ato të kërkuara nga komuna dhe të ofertuara nga operatori. Konkretisht; kishin tonazh 960 kg nga 2,500 kg dhe fuqi motorrike 1498 Cc nga 1,800 Cc. Në këto kushte është marrë në dorëzim një mall i cili kishte specifikime të ndryshme teknike nga ai i kërkuar, duke sjellë mosefektivitet të përdorimit të fondeve publike për 759,000 lekë.

D. Në 39 raste, nuk është kërkuar arkëtimi i detyrimit të qirasë nga qiramarrësit e tokës bujqësore të pandarë, dhe nuk janë ndjekur procedurat e duhura ligjore deri në anulimin e kontratave, për shkak të mospagimit të detyrimeve, në kundërshtim me kushtet e kontratës, me pasojë dëm ekonomik në shumën 3.3 milion lekë .

E. Janë lejuar të përdoren dhe shfrytëzohen parcela me sipërfaqe 52.9 ha i fondit pyjor pasuri në pronësi të Komunës, për kultivime bujqësore pa pasur marrëdhënie ligjore (pronësie a qiraje) lidhur me tokën e vënë në përdorim, me  pasojë përfitime të paligjshme që përbëjnë të ardhura të munguara për Buxhetin e Komunës në vlerën totale prej 1,848,138 lekë.

F. Në një rast, është dhënë me qira një sipërfaqe prej 2 ha të tokë bujqësore e pandarë, me procedurën dhe dokumentacionin e parregullt, në kundërshtim me  nenin 8 të Ligjit nr. 8312, datë 26.3.1998, pikën 4, të VKM nr. 531, datë 21.8.1998 pikën 4 të UKM nr. 1, datë 18.7.2012 dhe

Urdhrit të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit nr. 234, datë 9.7.2007 “Për miratimin e përmbajtjes dhe formës së ", kontratës tip për dhënien me qira të tokave bujqësore, të pandara, pasuri shtetërore" dhe të "formularit tip të kërkesës për qiramarrje të tokës bujqësore".

Për rrjedhojë, KLSH me shkresën nr. 501/7, datë 25.07.2015, mbështetur në nenin 11, germa “e” dhe “ç”, dhe nenin 37 të Ligjit nr. 7691, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i ka rekomanduar Kryetarit të Bashkisë Vlorë, ku tashmë ka kaluar kjo komunë, fillimin e procedurave administrative për dhënien e masës disiplinore, nga “Vërejtje” deri “Ndërprerje të marrëdhënie të punës”, sipas shkallës së përgjegjësisë, për 9 nëpunës të kësaj komune.