KLSH kallëzon në Prokurori 4 ish-Drejtues të Zvrpp Shkodër, 5 Jurist dhe 5 Hartograf
22.01.2016
Kanë regjistruar pasuri me Sekuestro Konservative duke lëshuar çertifikata pronësie; kanë regjistruar pasuri në mungesë të urdhrit të Regjistruesit; kanë regjistruar pasuri me leje ndërtimi me mospërputhje ndërmjet sipërfaqes sheshit të ndërtimit dhe çertifikatës pronësis; kanë regjistruar pasuri të llojit “Pyll” duke ndryshuar zërin kadastral nga Kullotë në Pemëtore.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programeve të auditimit nr. 702/1, datë 22.07.2015 dhe nr. 702/2, datë 15.10.2015 ka përfunduar auditimin në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër, për periudhën Janar 2013 – Qershor 2015 të aktivitetit të këtij institucioni.
Nga auditimi, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore mbi bazën e të cilave KLSH, me shkresën nr. 702/22 datë 11.01.2016, ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Shkodër, kallëzim penal për 14 persona nëpunës të këtij institucioni (4 ish-Drejtues të ZVRPP Shkodër N.K, O.V, P.Z, I.N, 5 jurist B.L, R.H, V.P, E.Sh, A.N. dhe 5 hartograf B.Sh, S.H, G.T, A.T, R.G), me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, të cilët nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 5.8 milion lekë, si dhe kanë regjistruar pasuri me AMTP në të cilat nuk përcaktoheshin kufizimet si dhe AMTP të fotokopjuara dhe të panoterizuara; kanë regjistruar pasuri me Sekuestro Konservative duke lëshuar çertifikata pronësie, çka ka rezultuar më pas dhe në shitjen e këtyre pasurive; kanë bërë regjistrimin e pasurive në mungesë të urdhrit të Regjistruesit; kanë bërë regjistrimin e pasurive me leje ndërtimi me mospërputhje ndërmjet sipërfaqes sheshit të ndërtimit dhe certifikatës pronësisë; kanë bërë regjistrimin e pasurive llojit “Pyll” duke ndryshuar zërin kadastral nga Kullotë në Pemëtore.
Më konkretisht nga auditimi rezultoi:
- Në 22 raste, janë regjistruar pasuritë, pa u përcaktuar kufizimet në AMTP dhe pa kërkuar Komisionit Vendor të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë (KVVTP), pranë Prefektit të Qarkut Shkodër, vlefshmërinë ligjore të AMTP.
- Në 64 raste, për sipërfaqen prej 40153 m2, ka bërë regjistrimin e pasurisë paluajtshme, si diferencë ndërmjet Librit të ngastrave (Prill 1996 - LN) dhe Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) në pronësi të pronarëve, ndërsa duhet t`a regjistronte në pronësi shtet.
- Në 16 raste, me sipërfaqe 3948 m2, ka bërë regjistrimin e pasurisë paluajtshme në pronësi të poseduesve trojet e shtëpive, ndërsa truallin duhet ta regjistronte në Seksionin “D” të kartelës së pasurisë së paluajtshme “Posedim”.
- Në 8 raste, kanë regjistruar pasuritë pa përcaktuar sipërfaqen e sheshit të ndërtimit, sipërfaqja e ndërtimit, lartësia e kateve mbi dhe nën kat, distanca nga ndërtimet e tjera, nga aksi i rrugës dhe nga kufiri i pronës.
- Në 76 raste, kanë regjistruar pasuritë me Sekuestro Konservative për llogari të Kreditorit “CEZ”sha, duke lëshuar çertifikata pronësie dhe duke shitur 76 pasuri të paluajtshme.
- Në 87 raste, ka bërë regjistrimin e pasurive sipas kontratave të kalimit të pronësisë (Shitje me Rezervë e pronës), ZVRPP Shkodër ka marrë përsipër rreziqet që në çastin e dorëzimit.
- Në 19 raste, kanë regjistruar pasuritë me vendim sipas nenin 25/b të Ligjit nr. 33, datë 21.03.2012, ndërkohë vendimet nuk janë publikuar në faqen zyrtare në internet të ZVRPP Shkodër.
- Në 4 raste, për sipërfaqen 44550 m2 tokë bujqësore, nuk ka nxjerrë urdhër kufizimi për pasuritë e paluajtshme në Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi të cilat nuk kanë të përcaktuara kufizimet.
- Në 17 raste, kanë bërë regjistrimin e pasurive sipas lejeve të ndërtimit, ndërsa në dosje mungon dokumentacioni tekniko ligjor.
- Në 10 raste, kanë bërë regjistrimin e pasurive në mungesë të urdhrit të Regjistruesit, veprim në papajtueshmëri ligjin nr. 33, datë 29.04.2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.
- Në 2 raste, kanë bërë regjistrimin e pasurive në mungesë të kontratës ndërmjet pronarit të truallit dhe sipërmarrësit, veprime në papajtueshmëri me ligjin nr. 33, datë 29.04.2012 “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”.
- Në 1 rast, kanë bërë regjistrimin e pasurisë me Leje legalizimi për objekt ndërtimi dhe shërbimi 11 kat, pasi zona është me studim urbanistik, ndërsa në këtë zonë nuk mund të legalizohen objekte ndërtimi mbi 5 kat.
- Në 7 raste, kanë bërë regjistrimin e pasurive me leje ndërtimi me mospërputhje ndërmjet sipërfaqes sheshit të ndërtimit dhe certifikatës pronësisë, si dhe mungon dokumentacioni tekniko ligjor.
- Në 1 rast, kanë bërë regjistrimin e pasurisë “Livadh” me sipërfaqe 16600 m2 në Pulaj-Plazh, në mungesë të procesverbalit të dorëzimit të pronësisë ish-pronarëve nga KKKP.
- Në 1 rast, kanë bërë regjistrimin e pasurisë sipas kontratës së shitblerjes nr. 2406/411, datë 09.04.2013, duke regjistruar më shumë truall me sipërfaqe 13490 m2 .
- Në 1 rast, kanë bërë regjistrimin e pasurisë me kontratë dhurimi truall me sipërfaqe 750 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 400 m2 në Pulaj-Plazh, ndërkohë që kjo pasuri nuk ka qenë e regjistruar më parë në regjistrat publik e kartelat e pasurive të paluajtshme.
- Në 2 raste, kanë bërë regjistrimin e pasurive llojit “Pyll” me sipërfaqe 15324 m2 dhe sipërfaqe 16500 m2, duke ndryshuar zërin kadastral nga Kullotë në Pemëtore.
- Në 1 rast, kanë bërë regjistrimin e pasurisë sipas kontratës së shitjes nr. 2297/383, datë 04.04.2013, Kabina plazhi (Velipojë) me sipërfaqe 2025 m2 nën/objekt dhe sipërfaqe totale 2887.92 m2, ndërsa privatizimi është bërë sipas vendimit nr. 480, date 05.11.1996, të KKKP ish-Pronarëve me njohje pronësie. Sipas kontratës së privatizimit Kabinat e Plazhit janë privatizuar me një sipërfaqe më shumë 2563 m2.
- Në 1 rast, kanë bërë regjistrimin e pasurisë tokë arë me sipërfaqe 20000 m2, me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) të fotokopjuar dhe pa noterizuar, si dhe nuk është bërë konfirmimi nga Komuna Velipojë dhe Këshilli i Qarkut Shkodër.
Sa më sipër, KLSH me shkresën nr. 703/20, datë 31.12.2015, i ka rekomanduar Kryeregjistruesit të ZQRPP Tiranë, fillimin e procedurave administrative për dhënien e masës disiplinore, nga “Vërejtje” deri “Ndërprerje të marrëdhënie të punës”, sipas shkallës së përgjegjësisë, për 20 nëpunës të ZVRPP Shkodër.