KLSH zhvillon analizën vjetore të punës për vitin 2015
11.02.2016
Në datën 1 shkurt 2016, Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvilloi në sallën “UNESCO” të Muzeut Historik Kombëtar, Analizën Vjetore të punës së Institucionit për vitin 2015.
Analiza e punës së institucionit vjen pas analizave të departamenteve të auditimit që u zhvilluan në fund të vitit 2015 në Universitetet Publike në rrethe të ndryshme të vendit si në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan, në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër dhe në Universitetin e Tiranës.
Analizën e nderuan me pjesëmarrjen e tyre Presidenti i Republikës së Shqipërisë SH.T.Z. Bujar Nishani, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Z.Donald Lu, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në Kuvendin e Shqipërisë, z.Erion Braçe, Prokurori i Përgjithshëm, z.Adriatik Llalla, Avokati i Popullit, z.Igli Totozani, Ministri i Drejtësisë,z.Ylli Manjani; Inspektor i Përgjithshëm i ILDKPKI, z.Shkëlqim Ganaj,Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Gent Sejko, Kryetari i Autoritetit të Konkurencës, znj.Lindita Lati, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, etj.
Analiza u zhvillua me pjesëmarrjen e shumë përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe organizatave profesionale të fushës, partnerë të KLSH-së, si Prof. Dr. Jorgji Bollano, Prof. Dr. Skënder Osmani, Prof.Dr.Sherif Bundo, Prof.Dr.Hysen Çela, Prof. Dr. Sazan Guri, Prof.Dr.Lavdosh Zahaj, Prof.Dr.Vjollca Karapici, Prof.Dr.Ago Nezha, përfaqësues të botës akademike, si Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës Akademik Jorgaq Kaçani, pedagogë të Fakultetit Ekonomik, gaetarë, etj.
Në analizën Vjetore të KLSH-së mori pjesë një delegacion me 10 auditues i ZAP-it të Kosovës, i kryesuar nga Zv/Audituesi i Përgjithshëm z.Artan Venhari.
Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj, i cili bëri një pasqyrë të shkurtër të punës së institucionit për vitin 2015. Zoti Leskaj theksoi që KLSH si institucion suprem i auditimit publik ka detyrimin ndaj qytetarit dhe Kuvendit dhe jo ndaj partive politike që me misionin, forcën dhe moralin që i ka dhënë Kushtetuta, të kthejë besimin publik ndaj qeverisjes (fjala e plotë përshëndetëse e Kryetarit të KLSH-së).
Në fjalën përshëndetëse që Kreu i Shtetit shqiptar, SHTZ Bujar Nishani, u drejtoi të pranishmëve, vlerësoi punën dhe kontributin e audituesve dhe drejtuesve të tyre për gjithë investimin profesional, qytetar dhe institucional, duke rikonfirmuar rëndësinë e madhe që ka KLSH-ja dhe duke vënë në pah “bindjen e thellë për pritshmëritë shumë të larta që kanë në tërësi, shoqëria dhe aktorët e shoqërisë, për institucionin, produktin dhe për angazhimin e punës suaj.”
Nuk nguroj të them-nënvizoi Presidenti “… që keni arritur një standard më të arrirë, më të përparuar, dhe ndoshta jeni ndër institucionet më të para që keni ngritur në një shkallë më të lartë çështjen e asaj që përbën sfidën më të madhe të shoqërisë sonë besimin…” (fjala e plotë e Presidentit të Republikës).
Drejtuesit e Institucioneve të pavarura përshëndetën Analizën e punës së KLSH-së për vitin 2015.
Analiza e punës së institucionit vijoi me Raportin e performancës institucionale për vitin 2015, “Treguesit Kryesorë të Raportimit referuar fushave të performancës së KLSH-së bazuar në instrumentin e vetëvlerësimit “Matja e Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit” dhe në praktikat më të mira të komunitetit të INTOSAI-t”, mbajtur (për rreth 1 orë e 30 minuta) nga Kryetari i KLSH-së, z.Leskaj.
Më pas grupe audituesish referuan lidhur me auditimet me impaktet më të rëndësishme dhe me efekte të konsiderueshme në menaxhimin e financave publike dhe zhvillimin ekonomik të vendit si Auditimet në Sektorin Energjitik, në Menaxhimin e Financave Publike, ne Sistemin e Shëndetësisë ne sistemet informatike, etj. Gjithashtu pjesëmarrësit u njohën me arritjet e KLSH-së në auditimet e Performancës, forcimin e kapaciteteve Institucionale nëpërmjet Programit të Zhvillimit të Vazhdueshëm të stafit, me transparencën e aktivitetit të KLSH-së: si një nga treguesit kryesorë të modernizimit të institucionit dhe të komunikimit të tij shumë dimensional, etj.
Punimet e anlizës u mbyllën me promovimin e disa librave :
•Promovimi i librit të Prof.Dr.Skënder Osmanit: “Elemente të Fazistikës, pjesa e IV” dhe Hyrje në Inxhinierinë Financiare dhe Stokastike”, me autore Prof.Dr. Skënder Osmani dhe Dr.Bujar Leskaj.
•Promovimi i librit “Ylli i shkrimtarit” monografi nga Ndriçim Kulla dedikuar shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.
•Promovimi i Librave te z. Bedri Çoku me titull: “Plaku i Kënetës” “Dashuri e fundosur” dhe “Arrestova shokun tim”.
Me këto aktivitete u mbyll dita e parë e analizës vjetore të KLSH-së për vitin 2015.
Dita e dytë e analizës u zhvillua në një nga sallat e Universiteti Politeknik të Tiranës dhe u është dedikuar audituesve të rinj, të cilët nën moton e konferencës së I-rë dhe të II-të, të Young EUROSAI me temë qendrore “SAI&Unë” zhvilluan konferencën :
Kontributi, Inovacioni nën moton: “Unë, KLSH dhe EUROSAI ”.
Konferencën e moderoi Z.Ermal Yzeiraj, Drejtor i Drejtorisë Juridike, i cili në fjalën e tij të hapjes theksoi që ndarja në të rinj dhe në të vjetër nuk është se ka ndonjë rëndësi në KLSH, pasi ndarja e vërtetë që ekziston është ajo ndërmjet audituesve shumë të mirë, të mirë dhe atyre që nuk plotësojnë dot kriteret për të qenë pjesë e këtij institucioni. Të jesh i ri nuk është aspak një disfavor për të bërë karrierë në KLSH por përkundrazi përbën një avantazh. Shpejtësia me të cilën brezi i ri arrin të përthithë dhe vërë në praktikë eksperiencën e brezave të mëparshëm në KLSH është mbresëlënëse. Energjia që të rinjtë mbartin gjithashtu është impulsi që i nevojitet ritmit të institucionit.
Gjate konferencës referuan 23 auditues të rinj, të cilët kishin përzgjedhur tema me fokus drejt se ardhmes.Tema e trajtuara kishin te bënin me matjen e performances se SAI-t, bashkëveprimin KLSH-Media , një mjet për rritjen e pergjegjshmerise se qeverise dhe besueshmërisë se institucionit tek publiku, SAI ne një shoqëri multikulturore, ndikimi i teknologjisë në profilin professional të një audituesi, lidhja midis ISSAI-ve dhe IPSAS-eve, etj.
Konferencën “Unë, KLSH dhe EUROSAI ” e nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj, i cili vlerësoi punimet dhe i nxiti të rinjtë që të punojnë më shumë në drejtin të rritjes së tyre profesionale.
Në përfundim të dy ditëve të Analizës së vitit 2015, KLSH u fokusua tek sfidat e institucionit për vitin 2016.
Gjatë vitit 2016, KLSH do të kryejë auditime financiare (certifikime të pasqyrave financiare), do të konsolidojë auditimet e përputhshmërisë, duke aplikuar kërkesat e standardeve ndërkombëtare të auditimit në përputhje me manualin e ri të Auditimit të përputhshmërisë, do të shtojë numrin dhe cilësinë e auditimeve të performances, etj.
Thellimi i luftës kundër korrupsionit do të jetë në fokus të veprimtarisë institucionale të KLSH-së dhe krahas veprimtarisë audituese dhe modernizimit të tij, do të vazhdojmë të thellojmë luftën kundër korrupsionit, duke denoncuar aktet korruptive në publik, media, prokurori e më gjerë.