KLSH angazhohet në projektin rajonal të auditimit të performancës PPA 2 mbi "Prokurimin Publik"
29.02.2016
Në dt. 25-26 Shkurt 2016, në Gjykatën Europiane të Auditimit, Luksemburg, u zhvillua takimi i parë për prezantimin e koncept-ideve mbi Projektin e Dytë të Auditimit të Performancës në nivel rajonal. Ky takim vjen në vijimësi të Projektit të Parë të Auditimit të Performancës (PPA 1) që u mbyll në Qershor të vitit të kaluar dhe është dëshmi e suksesit të këtij projekti në disa e drejtime e konkretisht: 1) PPA 1 ia doli të krijojë një rrjet rajonal bashkëpunimi midis SAI-eve të Shqipërisë, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, Sebisë, Malit të Zi, Republikës së Maqedonisë dhe Turqisë; 2) PPA 1 hodhi bazat e unifikimit të punës audituese në lëmin e performancës, si në teori, ashtu edhe në praktikë, kjo në sajë të mentorimit të grupeve audituese nga kolegët më me përvojë të SAI-t suedez dhe atij europian; 3) PPA 1 u fokusua në çështje jetike për rajonin, duke orientuar vëmendjen e vendim-marrësve të të gjitha vendeve pjesëmarrëse në “Eficiensën e Energjisë” dhe më konkretisht në përdorimin e burimeve alternative (të ripërtëritshme) të energjisë elektrike.
Punimet e workshop-it u shtrinë në dy ditë dhe u drejtuan nga Zv/Auditori i Përgjithshëm i SAI-t suedez, z. Magnus Lindell. Në të përshëndetën personalitete të shquara të fushës së auditimit si: Vítor Caldeira, President i Gjykatës Europiane të Auditimit, z. Tony Angleryd, hartues i standarteve ndërkombëtare të auditimit të performancës, Christina Sand, drejtoreshë e auditimit tw performancws në SAI-n suedez, z. Hazim Sabanovic, koordinator projekti i SAI-t suedez për vendet e Ballkanit, etj.
Secili përfaqësues i SAI-eve pjesëmarrëve bëri një prezantim të shkurtër të punës në PPA 1 dhe dobinë e këtij projekti në perspektivën specifike të SAI-t përkatës. Më pas u kalua në propozimet për tematikat potenciale që mund të auditohen në PPA 2. Propozimet u fokusuan në katër drejtime kryesore: 1. Prokurimi Publik, 2. Investimet e Huaja Direkte, 3. Borxhi Publik dhe 4. Cilësia e produkteve dhe certifikimi i tyre. SAI shqiptar, i përfaqësuar nga z. Rinald Muça, drejtor i departamentit të auditimit të performancës, z. Alfred Zylfi, auditues i lartë performance dhe znj. Elfrida Agolli, audituese e parë performance, u shpreh në favor të dy temave të para, duke argumentuar se Prokurimi Publik është një fushë me risk të lartë, përsa i përket ekonomicitetit në përdorimin e fondeve publike kah sigurimit të mallrave, shërbimeve dhe punëve publike. Gjithashtu, Investimet e Huaja Direkte pozojnë një fushë me interes auditues, sepse një pjesë e mirë e të ardhurave që kompanitë e huaja gjenerojnë në Shqipëri del jashtë vendit, duke mos kontribuar në rritjen e mëtejshme të PBB-së vendase dhe mirëqenies së shqiptarëve e për këtë arsye, qeveria mund të ndërmarrë hapa për frenimin e këtij fluksi dalës monetar dhe stimulimin e riinvestimit të tij në vend.
Në fund të punimit u vendos unanimisht nga të 9 SAI-et pjesëmarrëve që fusha e përbashkët audituese të jetë “Prokurimi Publik”.
Takimet e mëtejshme për shqyrtimin e punës në çdo “nyje audituese” do të mbahen në Mal të Zi, Kosovë, Turqi e më pas në vende të tjera të rajonit, sipas progresit që do të shfaqin në këtë projekt të përbashkët. KLSH po vijon aktivisht punën për të bërë analizën e riskut dhe formuluar strategjinë audituese në fushën e përzgjedhur, për të kaluar më pas në kryerjen e fazës studimore dhe hartimin e planit specifik auditues.