Njoftime

KLSH nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me Zyrën Supreme të Auditimit të Republikës Çeke

11.03.2016

Në datën 9-10 Mars 2016, në Pragë, z. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit zhvilloi takime pune në Zyrën Supreme të Auditimit të Republikës Çeke dhe nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me homologun e tij, Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës Çeke, Ing.Miloslav Kala.

marrcek_iklsh1

Marrëveshja u përgatit në bazë të Nenit 15 të Deklaratës së Limës, të parimeve të përbashkëta të respektit, besimit dhe bashkëpunimit dypalësh të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) si edhe të Organizatës Europiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI).
Dokumenti i nënshkruar është me shumë vlera për KLSH-në dhe vjen pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve të bashkëpunimit me SAI-et Europiane, të tilla si NIK-u Polak, Gjykata Austriake  e Auditimit, Gjykata Turke e Llogarive, SAI-et e Kroacisë dhe Sllovenisë dhe në nivel rajonal, me SAI-et e Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, etj. Zbatimi i  këtyre marrëveshjeve, ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e kapaciteteve profesionale të audituesve të KLSH-së.

marrcek_iklsh2

Përvoja e gjatë 255 vjeçare e SAI-t Çek dhe cilësia e punës në auditim është një model shumë i mirë për t’u ndjekur  nga KLSH. Nëpërmjet mbështetjes së parashikuar në marrëveshje, KLSH dhe Zyra Supreme e Auditimit të Republikës Çeke, do të shkëmbejnë eksperiencë në veprimtarinë e tyre audituese, përmes vizitave të punës, trajnimeve dhe workshop-eve për audituesit shqiptarë, etj.
Gjatë ditës së parë të vizitës, pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj  dhe Presidenti i SAI-t Çek, z. Miloslav Kala, bënë ga një prezantin të SAI-ve respektive lidhur me mandatin e tyre të auditimit, pavarësinë e SAI- ve, strukturën organizative, ligjin në të cilin mbështetet funksionimi i SAI-ve në seicilin prej të dy vendeve si edhe nenet e Kushtetutës që lidhen me funksionimin  e SAI-ve.
Kryetari i KLSH-së, pasi evidentoi lidhjet e forta historike dhe ekonomike mes popullit shqiptar dhe çek, bëri një prezantim të shkurtër të historisë 91 vjecare të KLSH-së, duke u përqëndruar më së shumti në arritjet, vështirësitë dhe sfidat e institucionit në vitet e fundit. Zoti Leskaj u përqëndrua në miratimin e Ligjit të Ri të KLSH-së nga Kuvendi i Shqipërisë në nëntor të vitit 2014,  për të cilin pati shumë debate e kundërshti por që me këmbënguljen e KLSH-së, me mbështetjen e Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë dhe veçanërisht me mbështetjen e ekspertëve të SIGMA dhe të DG Budget, ligji u miratua dhe është në përputhje të plotë me standartet e INTOSAI.
Zoti Leskaj, më tej, i njohu të pranishmit me numrin e auditimeve të realizuara  gjatë vitit 2015 (158), me rritjen e numrit të auditimeve të Performanscës, me rritjen e dëmit ekonomik të zbuluar, i cili në periudhën 2012-2015 ishte 8 herë më i madh krahasuar me periudhën 2008-2011, si edhe me efektivitetin e KLSH-së, i cili është rritur ndjeshëm, 4.2 herë më i lartë mesatarisht në periudhën 2012-2015, krahasuar me periudhën 2008-2011.
Zoti Leskaj u ndal gjithashtu ne rekomandimet e rëndësishme të KLSH-së për ndryshime ligjore, për ligje të reja, për borxhin publik, për detyrimet e prapambetura ndaj bizneseve, për botimet e KLSH-së, për prezencën  e audituesve të KLSH-së në median e shkruar, bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe me Universitetet, bashkëpunimin me SAI-et partnere, etj.
Zoti Miloslav Kala nga ana e tij bëri një paraqitje të Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës Çeke dhe të strukturës së saj organizative. Aktualisht SAI Çek ka 470 punonjës, nga të cilët 340 punojnë në zyrat qëndrore në Pragë dhe realizon mesatarisht 39 auditime në vit. Që nga viti 1991 deri tani, SAI Çek ka realizuar gjithsej 901 auditime, duke audituar 11 000 subjekte. Zoti Kala informoi lidhur me protokollin e auditimeve dhe detajet e realizimit të tyre, auditimin e zbatimit të buxhetit te shtetit, marrëdhëniet me parlamentin dhe me qytetarët, pavarësinë e SAI-t Çek lidhur me përzgjedhjen e auditimeve, data base e auditimeve dhe të të dhënave të subjekteve që do të auditohen, mënyrën e të shkruarit të raporteve të auditimit dhe problematikat që hasen në këtë drejtim, etj,.
Te dy prezantimet u shoqëruam me pyetje të shumta dhe diskutime.
Në ditën e dytë, diskutimet u përqëndruan në Analizën e Riskut dhe për palën çeke diskutimi u mbajt nga zj.Jana Schenkova, Drjtore e Departamentit të I-rë, ku përfshihen planifikimi i auditimeve, menaxhimi i cilësisë së auditimit dhe analiza e riskut, ndërsa për palën shqiptare referoi z.Ermal Yzeiraj, Drejtor i Departamentit Juridik, Kontrollit të Zbatimit të Standarteve dhe Etikës. Në këtë panel u diskutua edhe për Konferencën e IV-t Shkencore të KLSH-së që do të zhvillohet në datat 20-21 qershor 2016, në Tiranë dhe do të përqëndrohet në analizën e riskut.
Tema të tjera që u trajtuan ishin Auditimet e performacës nga z. Stefan Kabatek, Drejtor i Departamentit të XVI, ku përfshihet edhe auditimi i Performancës si edhe mbi Data Base e auditimeve të EUROSAI-t që drejtohet nga SAI Çek, material që u referua nga zj.Sylva Mullerova, Drejtore e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë. Kryetari i KLSH-së shprehu dakortësinë lidhur me kontributin konkret të KLSH-së për plotësimin e Data Base të auditimeve të EUROSAI-t me auditimet e KLSH-së.
Presidenti i SAI-t Çek, Ing. Miloslav Kala gjatë dy ditëve të qëndrimit të delegacionit të KLSH-së në Pragë shoqërohej nga drejtues të lartë të institucionit, si Zv/Presidentja, zj. Zdeňka Horníková, anëtarët e Bordit Drejtues të SAI-t Çek, zj.Hana Hyksova dhe z. Pavel Hrncir, drejtorët e Departamenteve z. Stanislav Koucky, z. Sylva Mullerova, zj. Jana Schenkova, z.Stefan Kabatek dhe z.Jaroslav Broza.
Zoti Bujar Leskaj shoqërohej në këtë vizitë nga z.Ermal Yzeiraj, Drejtor i Departamentit Juridik, Kontrollit të Zbatimit Standarteve dhe Etikës, z.Albana Agolli, Drejtore e Departamentit të Auditimit të Investimeve dhe Projekteve me Financime të Huaja dhe Shoqërive Publike dhe zj. Irena Islami, Drejtore e Drejtorisë së Komunikimit, Botimeve dhe Marrëdhënieve me Jashtë.

marrcek_iklsh3

Vizita u organizua dhe u realizua nën kujdesin e vecantë të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Republikën Çeke, z.Riza Poda, i cili asistoi edhe gjatë nënshkrimit të marrëveshjes.
Ambasadori Poda dhe z.Lulzim Çota, Këshilltar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Republikën Çeke shoqëruan delegacionin e KLSH-së edhe gjatë takimeve të punës në Zyrën Supreme të Auditimit të Çekisë.