Njoftime

KLSH merr pjesë në takimin e përvitshëm me Njësitë Audituese Kompetente Kombëtare (CNAB).

18.05.2016

 

Në datën 10 Maj 2016 u zhvillua në Bruksel, Belgjikë, takimi me Njësitë Audituese Kompetente Kombëtare (CNAB) me qëllim diskutimin rreth Raportit vjetor të aktivitetit të Bordit Ndërkombëtar të Audituesve (IBAN) për NATO-n. Tashmë prej disa vitesh, Kontrolli i Lartë i Shtetit merr pjesë aktive në këtë aktivitetet të përvitshëm, si Institucioni Suprem i Auditimit të shtetit shqiptar, anëtar i NATO. Këtë vit, në analizën vjetore të IBAN-it morën pjesë: Z. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Z. Ermal Yzeiraj, Drejtor i Departamentit Juridik, Kontrollit të Zbatimit të Standardeve dhe Etikës dhe Zj. Aulona Jonuzi, Auditese e Lartë. Një prezantim i përgjithshëm i raportit vjetor u bë fillimisht nga Zj. Lyn Sachs, Kryetare e IBAN-it. Zj. Sachs theksoi se një ndër prioritetet e NATO-s është rritja e llogaridhënies dhe transparencës me qëllim përmirësimin e efiçencës dhe efektivitetit si edhe cilësisë së qeverisjes se saj. Në këtë kontekst, Bordi i Audituesve të NATO-s (IBAN) duke qenë një njësi auditimi e jashtme, e pavarur, e përbërë nga 6 anëtarë, e që raporton në Këshillin e NATO-s, është përgjegjës për auditivet financiare dhe ato të performancës për të gjitha njësitë, programet dhe trupat shumë-kombëshe të NATO-s. Në vijim të prezantimit të këtij raporti, u theksua se, IBAN gjatë vitit 2015, ka përgatitur 37 auditime financiare që përfshijnë 51 opinione auditimi mbi pasqyrat financiare dhe mbi përputhshmërinë, nga të cilat 33 ishin opinione të pakualifikuar dhe 18 (ose 35%) rezultuan në opinione të kualifikuar, kundërshtues ose mohues. Gjithashtu në këtë raport, nga IBAN konstatohet se NATO vijon ende të shfaq disa probleme në raportimin e Aseteve Fikse, si edhe kontrolle të brendshme të dobëta në disa fusha specifike.

Një prioritet tjetër i IBAN, i konstatuar edhe në raportin e paraqitur, për vitin ushtrimor 2015, ka qenë edhe zgjerimi i kapaciteteve të auditimit të performancës, me qëllim rishikimin e efiçencës, efektivitetit dhe ekonomicitetit të aktiviteteve të NATO-s. Gjatë vitit 2015, rreth 30% e burimeve të IBAN-it u përdorën për kryerjen e auditiveve të performancës, ku u paraqitën për aprovim në Këshill, 3 të tilla e konkretisht: (1)Programi Shkencor i NATO-s, Për Paqe & Siguri, (2)Nevoja për reformë në qeverisjen e Programin Për Investimin e Sigurisë së NATO-s, dhe (3) nevoja për veprim për sigurimin e  Programit të Tranzicionit të Agjencisë së Komunikimit dhe Informacionit të NATO-s, përmirëson performancën e agjencisë. Këto 3 raporte performance u vlerësuan nga Këshilli, i cili parashtroi kërkesën për rritjen e auditiveve të performancës për vitin e ardhshëm.

Në fjalën e saj. Zj. Sachs theksoi se ndërsa janë bërë përmirësime të konsiderueshme gjatë këtyre viteve, IBAN beson se tani ka ardhur koha për konsolidimin e pasqyrave financiare të njësive të NATO-s, për njsitw e themeluara me fonde të përbashkëta. Pasqyrat financiare të konsoliduara do të paraqesin një pamje të përgjithshme të pozicionit financiar , performancës, flukseve të parasë dhe buxheteve. Këto pasqyra do t’i mundësojnë lexuesve të tyre, përfshirë edhe vendet anëtare, njësitë qeverisëse të NATO-s dhe publikut, që të kenë një dokument të vetëm, i cili do t’u mundësojë leximin më qartë të parave të marra dhe atyre të shpenzuara.

Ndërkohë që, në vijim të seksionit të diskutimeve të CNAB-it, për aktivitetin e raportuar të NATO-s, u prezantua çdo kapitull i veçante i raportit si edhe u parashtruan kërkesa sa i takon riformulimit apo paraqitjes se disa çështjeve. Gjithsesi parimisht, puna e IBAN – it u vlerësua maksimalisht nga të gjithë pjesëmarrësit. Gjatë këtij seksioni çështja kryesore e diskutimit, e cila u reflektua edhe në materialin final ishte dakordësia e SAI-eve me propozimin e IBAN-it për përpilimin e pasqyrave financiare të konsoliduara për të gjitha njësitë e NATO-s me fonde të përbashkëta. Gjithashtu një çështje e rëndësishme, që u trajtua në këto diskutime ishte edhe numri i shtuar i gjetjeve që kishin të bënin me regjistrimin e aseteve fikse dhe kuadri raportues i përdorur prej tyre, i cili shpesh ndryshonte, duke vështirësuar konsolidimin në të ardhmen, por edhe krahasueshmërinë në kushtet aktuale. Gjithashtu një pjesë të diskutimit mori edhe çështja e auditimeve të performancës, si një risi në aktivitetin e CNAB-së gjatë vitit 2015, ku SAI-t përfaqësues përgëzuan punën e IBAN-it në këtë kontekst. E me qëllim maksimizimin e impaktit të raporteve të veta, SAI-t rekomanduan që IBAN:
-  Për vitet që vijnë të ofrojë informacion mbi mënyrat e zgjedhjes së disa temave të veçanta të auditimeve të performancës (pra çfarë kriteresh u vendosën për përzgjedhjen e çwshtjeve?, si u bë vlerësimi i risqeve?, etj)
- Të komunikojë në mënyrë më të qartë dhe më efektive, në raportet që përgatit, në mënyrë që këto të fundit të jenë më të kuptueshme dhe të ofrojnë mesazhin e qartë për një audiencë të gjerë; dhe
- Të ndjek në mënyrë të vazhdueshme, rekomandimet (follow-up) e auditimeve të performancës, duke theksuar impaktin pozitiv të raporteve të IBAN-it, si një mënyrë më e mirë për të informuar grupet e interesit dhe publikun e gjerë.

Në seksionin e 3-të të zhvilluar gjatë takimit, Z. Henrik Rasmussen (Anëtar i Bordit të IBAN) dhe Z. Jason Pogacnik (Auditues në IBAN), paraqitën një prezantim mbi procesin e auditimit të performancës dhe nevojës së këtij të fundit për tú rritur edhe më, në të ardhmen e afërt.

Në përfundim Z. Brett Hare (Auditues i Lartë në IBAN / Senior) ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e ngritjes dhe monitorimit të një kuadri kontabël të aplikuar në mënyrë të njëjtë nga të gjitha njësitë dhe agjencitë e NATO-s. Sa më sipër shkon në linjë edhe me konstatimet e IBAN-it në raportin e auditimit, ku theksohet domosdoshmëria e konsolidimit të pasqyrave financiare, si një mjet thelbësor në kuadër të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies, si dy shtyllat kryesore të auditimit në sektorin publik.