Njoftime

KLSH merr pjesë në takimin e VII-të për Auditimin e Etikës, organizuar nga grupi Task Force (EUROSAI) për Auditimin e Etikës

23.05.2016

 

Në cilësinë e anëtarit të grupit Task Force të EUROSAI-it për “Auditimin dhe Etikën” (TFA&E), KLSH mori pjesë në takimin e VII-të të këtij grupi, organizuar në Madrid, Spanjë, në datat 19-20 maj 2016. Edhe në këtë takim të radhës u trajtuan probleme të etikës dhe integritetit dhe u diskutua mbi dyshimet dhe dilemat me të cilat ndeshen audituesit në punën e tyre të përditshme.

KLSH u përfaqësua në këtë takim të EUROSAI-t nga Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj, Sekretarja e Përgjithshme, zj.Luljeta Nano dhe Drejtoresha e Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, zj. Irena Islami.
Aktiviteti ishte në vijimësinë e takimeve të radhës së TFA&E dhe Gjykata Spanjolle e Llogarive ishte SAI mikpritës. Fjala përshëndetëse u mbajt nga z. Ramón Álvarez de Miranda Garcia, President i Gjykatës Spanjolle të Llogarive dhe Sekretar i Përgjithshëm  i EUROSAI-it. Zoti Ramón Álvarez de Miranda Garcia pasi u uroi pjesëmarrësve mirëseardhjen theksoi rëndësinë që ka EUROSAI për të gjitha vendet e rajonit dhe rolin e vecantë të Task Forcës për auditimin dhe Etikën, e cila është pa dyshim  një vlerë e shtuar për të gjithë anëtarët e kësaj organizate.

Në ditën e parë të aktivitetit, pas fjalës përshëndetëse të Presidentit të SAI-t Spanjoll, zonja Helena Abreu Lopes, drejtuese e TFA&E (SAI Portugez) bëri një përmbledhje të shkurtër të punës së këtij grupi pune të EUROSAI-t që nga krijimi i tij në vitin 2011 dhe vlerësoi kontributin e pjesëmarrësve dhe punën profesionale të tyre gjatë gjithë kësaj periudhe. Zonja Lopes u ndal vecanërisht në dy objektivat kryesorë të kësaj Task Force, Promovimi i Etikës si një nga shtyllat kryesore të SAI-t dhe Promovimi i sjelljes etike në organizatat e sektorit publik përmes auditimeve të SAI-ve.
Takimi u kombinua me  sesione  plenare të përgjithshme dhe  workshop-e të ndara në grupe sipas objektivave të TFA&E me qëllim ndarjen e përvojave dhe eksperiencave të punës në këto fusha.   
 

tfa_2671_0

Sesionet e  punës ishin organizuar si një seri diskutimesh me grupe të vogla  pjesëmarrësish. Diskutimet u përqendruan  rreth temave të tilla si: identifikimi i problemeve të etikës brenda SAI-ve, menaxhimi i konfliktit të interesit, eksperiencat e ndryshme të SAI-ve pjesëmarrëse për përgatitjen dhe implementimin e Kodit të Etikës, etj.
Në seancën plenare të datës 20 maj 2016, u diskutua për etikën në SAI-e, auditimin e etikës, metodat për realizimin e auditimit, shembuj konkretë të auditimit të etikës, problemet dhe dilemat etike, etj,. Këto diskutime u mbajtën nga përfaqësues të SAI-ve të Spanjës, Portugalisë, ECA-s dhe Kroacisë.

Në këtë pjesë, pjesëmarrësit ndoqën me interes prezantimin e z.Jacek Jezierski, SAI Polonisë, lidhur me ndryshimet e fundit që i ka bërë grupi i Punës që ai drejton ISSAI 30. Këto ndryshime do të miratohen në dhjetor të 2016 në Kongresin e INTOSAI-t në Abu Dhabi. Në këtë grup pune një kontribut ka dhënë edhe KLSH, si anëtar i Grupit të Punës për rishikim e ISSAI 30.

Dita e dytë e takimit  filloi me çështjen e rëndësisë që ka për etikën rritja e përgjegjshmërisë dhe e transparencës. Shembuj të shumtë u sollën nga SAI-et e Hungarisë, Israelit, Cekisë, Holandës, ECA-s, Turqisë, Shqipërisë, Moldavisë, etj.
Nga të gjithë pjesëmarrësit u theksua nevoja e trajnimeve për ndërgjegjësimin e stafit për çështjet e etikës.  
Në këtë takim morën pjesë 19 SAI dhe 35 pjesëmarrës, si edhe përfaqësues të vendit mikpritës të aktivitetit, auditues të SAI-t Spanjoll. Pjesëmarrja e tyre ishte shumë pozitive dhe frytdhënëse dhe i dha takimit më shumë ritëm dhe diversitet.

Takimi ia arriti qëllimit dhe në fund u miratuan konkluzionet ku u përcaktuan SAI-et që do të punojnë për udhëzuesin e auditimit të Etikës që do të miratohet në takim e ardhshëm të TFA& Ethics në shkurt të vitit 2017. Në këtë udhëzues do të merret në konsideratë që risqet që lidhen me integritetin vijnë edhe nga ndërveprimi midis sektorit publik, privat, shoqërisë civile dhe qytetarëve në të gjitha fazat e procesit. Ky ndërveprim duhet trajtuar si një i plotë me qëllim që të forcohet integriteti dhe të zvogëlohet korrupsioni.Kjo varet së pari nga përpjekjet e zyrtarëve publikë për të frenuar korrupsionin por një qasje e bazuar në risk ndaj integritetit duhet të marrë në konsideratë edhe rolin e biznesit dhe të qytetarëve në lidhjet jo etike që mund të krijohen mes tyre. Përpjekjet për të zvogëluar korrupsionin e zyrtarëve publikë mund të jenë efektive vetëm nëse bizneset dhe qytetarët e shikojnë këtë sjellje si të papranueshme. Për këtë arsye, është e nevojshme që të vendosen “rregullat e lojës” për qytetarët, bizneset, qeverinë, shoqërinë civile me qëllim mbrojtjen e interesave publike.

Rëndësia e vlerave etike është e padiskutueshme në ditët tona sepse ndikon në sigurimin e besimit të publikut tek puna e SAI-ve dhe institucioneve publike. Lidhur me këtë mund të citojmë thënien e z. Ubaldo Nieto de Alba, ish-President i SAI-t spanjoll, i cili ka thënë se sfida është “që auditimi i jashtëm të kontribuojë që etika të jetë pjesë e kornizës ligjore të sektorit publik”.