Njoftime

KLSH, Kallëzon në Prokurori: 2 funksionarë të Bashkisë Konispol, 4 funksionarë të ish-Komunës Markat, 1 Mbikëqyrës të Punimeve dhe 1 Përfaqësues Ligjor të një Operatori Ekonomik.

31.05.2016

 

Dëmi ekonomik i shkaktuar është në vlerën 83 milionë lekë - për punë të pakryera (rrugë) dhe favorizim të operatorëve.

Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 128/1, datë 16.02.2016, ka përfunduar auditimin në Bashkinë Konispol, me objekt: “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare për vitin 2013-2015”.
Me Vendimin nr. 59, datë 31.05.2016 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, me shkresën nr. 128/19 datë 14.05.2016 i janë rekomanduar Bashkisë Konispol masa me karakter organizativ dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën totale 83 milion lekë.

Gjatë auditimit u konstatuan disa shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi. Në përgjithësi këto shkelje e parregullsi, konsistojnë në për kryerjen e procedurave të paligjshme në prokurime dhe zbatimin e kontratave me qëllim favorizimin e operatorëve ekonomikë të caktuar. Konkretisht:

Nga Bashkia Konispol, Njësia e Prokurimit, në procedurën e prokurimit “Blerje Karburanti për nevoja të Bashkisë Konispol” janë paraqitur të dhëna fiktive në hartimin e dokumenteve të tenderit, si dhe anëtarët e Njësisë të Prokurimit nuk kanë patur dijeni për urdhrin për përfshirjen e tyre në procedurë dhe realizimin e prokurimit.

Nga ish-Komuna Markat, Njësia e Prokurimit, në procedurën e prokurimit “Ndërtimi i ujësjellësit Markat-Ninat dhe rrjeti i brendshëm”, ka përcaktuar kritere të veçanta të kualifikimit, duke vendosur kërkesa të paargumentuara me volume pune, kritere të cilat kanë rezultuar në shmangie të konkurrencës në tender.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) ka konstatuar se një operator ekonomik pjesëmarrës ka hedhur në sistemin e prokurimit dokumentacionin e një tjetër operatori ekonomik, operator ky i shpallur fitues i procedurës, duke mos i kërkuar Agjencisë së Prokurimit Publik përjashtimin e ofertuesit nga procedurat e prokurimeve publike. Për procedurën e prokurimit “Rruga Janjar-Ninat-Markat”, është prokuruar pa asnjë përllogaritje të fondit limit, pa preventiv dhe pa projekt të miratuar.

Nga ish-Komuna Markat për procedurën e prokurimit “Rruga Janjar-Ninat-Markat”, është prokuruar pa asnjë përllogaritje të fondit limit, pa preventiv dhe pa projekt të miratuar.
Nga KVO në procedurën e prokurimit “Rruga Janjar-Ninat-Markat”, është shkelur parimi i përzgjedhjes së ofertave, duke diskriminuar e trajtuar në mënyrë të pabarabartë ofertuesit, pa zbatuar kriterin themelor të prokurimit “Oferta më e ulët” dhe skualifikuar pa të drejtë operatorin ekonomik me ofertën më të ulët, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dhe njësisë të qeverisjes vendore një dëm ekonomik në vlerën prej 7,4 milion lekë.
 
Mbikëqyrësin e punimeve dhe përfaqësuesin ligjor të operatorit ekonomik për objektin “Rruga Janjar-Ninat-Markat”, për punime të pakryera, por të situacionuara e të pasqyruara në librezën e masave, duke sjellë për pasojë likuidimin nga ish-Komuna Markat të punimeve të pa kryera, në dëm të buxhetit të njësisë të qeverisjes vendore në vlerën 15,3 milion lekë, si dhe 43 milion lekë, pasojë e dëmeve të likujdueshme për vonesën në kryerjen e punimeve, (më shumë se 35 muaj me vonesë), si dhe duke e lënë objektin ende të pa përfunduar dhe në gjendje jo funksionale (pakalueshme).

KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga Njësia e Prokurimit (NJP) Bashkia Konispol,  A.B. Drejtor i Urbanistikës dhe O.GJ. Inspektor i IMTV;  Anëtarët e NJP dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) të ish-Komunës Markat, B.T. ish-jurist dhe anëtar i NJP K.A. ish-jurist dhe anëtar i NJP, I.B. ish-Përgjegjës i Financës dhe anëtar i KVO,  E.R. ish-Përgjegjës i Urbanistikës dhe anëtar i KVO, si dhe Mbikëqyrësja e zbatimit të punimeve V.G. dhe përfaqësuesja ligjore e shoqërisë zbatuese të punimeve SH.N. si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, me shkresat  nr. 128/16, 17 dhe 18, datë 01.06.2016, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Sarandë, për kryerjen e procedurave fiktive në prokurime dhe zbatimin e kontratave me qëllim favorizimin e operatorëve ekonomikë të caktuar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën 83 milionë lekë, dhe për pasojë ka konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Falsifikimit të  dokumenteve”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 186, 248 dhe 258 të Kodit Penal.

KLSH, për shkelje në fushën e prokurimeve publike, ka dërguar për vlerësim në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Sarandë, 5 funksionarë të ish-Komunës Markat, A.B. ish-Financier dhe anëtar i NJP, E.A. ish-Ekonomiste dhe anëtare e NJP,  I.S. ish-Përgjegjës i Shërbimeve dhe anëtar i KVO, G.Z. ish-Inspektor i Tatim Taksave dhe anëtar i KVO dhe E.M. ish-Përgjegjëse e taksave dhe anëtare e KVO.

V.O. Në Web-in e KLSH gjendet i plotë Vendimi nr. 59, datë 31.05.2016 në lidhje me këtë auditim.