Njoftime

Kryetari i KLSH-së takon Ambasadorin e Austrisë në Shqipëri

01.06.2016

 

Më datën 31 maj 2016, Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj u takua me ambasadorin e ri të Austrisë në Shqipëri, z. Johann Sattler. Në fjalën e tij, z. Leskaj vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Austrisë, të cilat kanë një bazë historike të thellë. “Të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës qeverisë austriake dhe popullit austriak, që nga koha e Perandorisë Austro-Hungareze,  për mbështetjen konkrete dhe të vazhdueshme të aspiratave shtetformuese dhe integruese të popullit tonë, veçanërisht për mbështetjen që i dhanë themeluesit të shtetit shqiptar Ismail Qemal Vlora”, theksoi Leskaj.

Më tej, z. Leskaj përmendi marrëdhëniet e bashkëpunimit, të shtrira thellë në ekonominë dhe kulturën shqiptare, të cilat kanë vijuar dhe me një partneritet cilësor në fushën e auditimit suprem publik, me marrëveshjen e nënshkruar tre vite më parë mes KLSH dhe Gjykatës Austriake të Auditimit. Kryetari i KLSH nënvizoi kontributin në këto marrëdhënie të një prej figurave qendrore të auditimit suprem shtetëror në botë, Presidentit të Gjykatës Austriake të Auditimit dhe njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAI-t, Dr. Josef Moser.
 

takim_ambasadori_austrise_2694_0

SAI austriak, krahas së qënit një nga institucionet supreme të auditimit më të zhvilluara në Evropë dhe më gjerë, është gjithashtu partner i KLSH-së në procesin e rishikimit mes kolegëve “Peer Review”.

Nga ana e tij, Ambasadori i Austrisë, Johann Sattler shprehu vlerësimin dhe theksoi  rëndësinë e punës dhe kontributit të një institucioni si KLSH në mirëqeverisjen e vendit dhe shtimit të kërkesës së llogarisë në administrimin e fondeve publike. Z. Sattler ju referua bashkëpunimit të KLSH me Gjykatën Austriake të Auditimit si një model i suksesshëm i fitimit të eksperiencës së duhur dhe përvetësimit të standardeve ndërkombëtare të auditimit. Ai theksoi se reforma në drejtësi, në rast se do të miratohet në kohë, do të zgjidhë edhe shumë probleme të investuesve të huaj, sidomos atyre austriakë në Shqipëri.

Në fund të takimit, Kryetari i KLSH-së e uroi Ambasadorin e Austrisë, z.Johann Sattler për detyrën e re dhe i dhuroi tre botime të Kontrollit të Lartë të shtetit që lidhen me Performancën e aktivitetit të institucionit në vitet 2012,2013,2014 si edhe doracakun “KLSH në shifra, 2012-2015”.