Një grup nga KLSH merr pjesë në Kongresin e II-të të Prokurimeve Publike zhvilluar në Protoroz, Slloveni.
26.06.2016
Në datat 6-7 Qershor 2016, znj. Albana Agolli, Drejtore e Departamentit të Auditimit të Investimeve dhe Projekteve me Financimet e Huaja, Shoqërive Publike, z. Idlir Dervishi, z. Skëndër Muça dhe z. Luan Kuka, auditues, morën pjesë në Kongresin e II-të të Prokurimeve Publike zhvilluar në Protoroz, Slloveni.
Ky kongres kishte si qëllim shkëmbimin e eksperiencave nëpërmjet pjesëmarrësve, në lidhje me prokurimet publike dhe përdorimin e Direktivës Evropiane për Prokurimet nga secili shtet pjesëmarrës. Në kongres ishin të ftuar përfaqësues nga institucionet përgjegjëse për proceset e prokurimit të Sllovenisë, Italisë, Austrisë, Kroacisë, Serbisë, Malit të Zi, Bonje Hercegovinës dhe Maqedonisë. Fokusi kryesor i Kongresit ishte prezantimi i praktikave më të mira të prokurimit të këtyre shteteve, ku secili pjesëmarrës do të përfitonte nga këto praktika.
Në kongres gjithashtu kishte përfaqësues nga komitetet që rakordojnë aplikimin e Direktivës Evropiane për Prokurimet dhe ekspertë të kompanive të ndryshme të cilët zhvillojnë procedura prokurimi duke u bazuar në legjislacione të vendeve të ndryshme.
1.Në pjesën e parë të Kongresit pati një ndërhyrje nga z. Boris Koprivnikar, Ministër i Administratës Publike të Sllovenisë, i cili theksoi rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave më të mira në lidhje me prokurimet publike midis shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shteteve të cilat janë kandidate për tu bërë pjesë e BE. Gjithashtu ai u shpreh për rëndësinë që ka unifikimi i direktivave të prokurimeve publike të shteteve të BE, duke marrë si referencë Direktivën Evropiane të Prokurimeve, në mënyrë që të rritet eficenca dhe të mënjanohen devijimet e procesit të prokurimit. Sipas z. Koprivnikar një sistem i mirë prokurimi do të sillte një mirëfunksionim të shtetit në tërësi, ku shërbimet për qytetarët do të ishin më të mira dhe gjithashtu zhvillimi ekonomik i vendeve të pësontë një rritje jo të vogël.
2.Më pas u bë një prezantim nga znj. Dana Mitea, Drejtore e Departamentit të Kooperimit të Brendshëm, në qeverinë austriake, në lidhje me Njësinë Qendore të Prokurimit Publik në Austri. Kjo njësi nga dita që ka nisur të funksionojë ka shmangur në mënyrë të konstante parregullsitë në proceset e prokurimit, ka standardizuar shërbimet dhe mallrat e furnizuara dhe ka rritur transparencën e proceseve tenderuese. Gjithashtu rregullat e aplikuara nga kjo njësi kanë bërë që të lehtësohen procedurat e prokurimit, në mënyrë që të jenë pjesëmarrës edhe kompani të shteteve të ndryshme të Bashkimit Europian (Cros Border Procurement).
3.Më pas u krye një prezantim nga z. Marco Tanferna, përgjegjës i zyrës ligjore të CONSIP, e cila është një drejtori në varësi të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Italisë, me fuqi të plotë juridike për të kontrolluar dhe rregulluar veprimtarinë e administratës publike italiane, duke përfshirë dhe prokurimet publike. Z. Marco Tanferna theksoi rëndësinë e Njësisë Qendrore të Prokurimit, ku monitorimi nga ana e saj i procedurave të prokurimit, ka ulur në mënyrë progresive nivelin e abuzimit në tenderat publikë. Duke u bazuar edhe tek Direktiva Evropiane 2014/24 për prokurimet, Njësia Qendrore e Prokurimeve do të zhvillojë të gjithë procedurën e prokurimit tërësisht në mënyrë elektronike duke filluar nga viti 2017.
4.Ndërsa z. Saso Matas, Drejtor i Përgjithshëm i Prokurimeve Publike në Slloveni theksoi rëndësinë e strategjisë e zhvillimit ekonomik evropian EU2020, cila thekson rëndësinë e zhvillimit të procedurës së prokurimit publik në mënyrë elektronike. Prokurimi elektronik do të sjellë një përfshirje më të madhe të kompanive të mesme dhe të vogla në procedurat e prokurimit, do të risë shkëmbimet ekonomike midis vendeve anëtare dhe gjithashtu procedura e prokurimit do të bëhet “green”, ku shpenzimet operative do të zvogëlohen. Gjithashtu një sfidë e rëndësishme është bërja e Direktivës EU 2014/24 për prokurimet një ligj kombëtar për të gjitha vendet anëtare. Thjeshtësimi i procedurave të prokurimit do të sjell në Bashkimin Evropian një menaxhim dhe eficencë më të mirë të këtyre proceseve.
Gjithashtu u bënë prezantime nga z. Andreas Nemec, Drejtor i Agjencisë Federale të Prokurimit të Austrisë, i cili vuri theksin tek procedura elektronike e prokurimit publik e cila do të rriste pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë, por gjithashtu do të rrisë transparencën dhe menaxhimin e procesit të prokurimit.
Në ditën e dytë të Kongresit u kryen prezantime nga zyrat respektive të Agjencive të Prokurimit Publik të Kroacisë, Sllovenisë Serbisë, Bonje Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, të cilët bën një pasqyrë të mënyrave të zhvillimit të procedurave të prokurimit publik në vendet e tyre.