Njoftime

Kryetari i KLSH takon Ambasadoren Vlahutin dhe Ambasadorin Austriak

08.07.2016

 

Më datën 07 korrik, 2016, Kryetari i KLSH Bujar Leskaj takoi në zyrën e tij Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, zj. Romana Vlahutin dhe Ambasadorin e Austrisë në Shqipëri z. Johann Sattler.

vlautin_klsh1_2759_0

Kryetari Leskaj falenderoi në mënyrë të veçantë Ambasadoren Vlahutin për ndihmën konstante dhe të çmuar të dhënë nga BE për institucionin më të lartë të auditimit publik në Shqipëri, të kulmuar me projektin e binjakëzimit IPA 2013 për modernizimin e kapaciteteve audituese të KLSH-së, i cili ka nisur të zbatohet. Z. Leskaj cilësoi se tani kjo ndihmë është parësore për institucionin që ai përfaqëson, për forcimin e kapaciteteve audituese sipas praktikave më të mira evropiane dhe pikërisht për këtë Projekti IPA për KLSH bashkon institucionin suprem të auditimit-SAI-n e Polonisë (NIK) me Zyrën Shtetërore të Auditimit të Kroacisë, ndër SAI-t më të zhvilluara të Evropës. Mbështetja e BE-së me Projektin IPA vjen pas përkrahjes së dhënë një vit më parë nga Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit DG-Budget në Bruksel dhe nga ekspertë të angazhuar nga Delegacioni i BE në Tiranë, për miratimin e Ligjit organik të ri të KLSH-së tërësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t.    

Nga ana e saj, Ambasadorja Vlahutin konfirmoi angazhimin e plotë të Bashkimit Evropian në modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve audituese të KLSH dhe theksoi interesin që ka BE në përdorimin me efektivitet të parasë publike në Shqipëri. “Në këtë drejtim”, theksoi ajo,”transparenca dhe cilësia e raportimit të auditimit shtetëror për paranë publike të harxhuar është me shumë rëndësi për shëndoshjen e financave publike në vend”. Ajo përmendi mbështetjen financiare të BE-së për Buxhetin e Shtetit të Shqipërisë dhe u shpreh se kjo asistencë ka si kusht për disbursimin e saj kontributin e efektshëm dhe sipas standardeve ndërkombëtare të kërkuara të mbikqyrjes së jashtme ndaj financave publike, të përfaqësuar më së miri nga institucioni i KLSH-së.   

Ambasadori i Austrisë z. Johann Sattler vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm që KLSH ka me Gjykatën Austriake të Auditimit, pas marrëveshjes së nënshkruar në Vjenë nga këto dy institucione partnere, si dhe përmendi kontributin e fundit të SAI-t austriak me raportin e Peer Review (Rishikimit mes Kolegëve), raport të cilin KLS e ka marrë ditët e fundit dhe që i shërben institucionit për të matur dhe krahasuar performancën e tij sipas standardeve më të mira evropiane të fushës.

Z. Leskaj e cilësoi Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020 si themelore për arritjen e objektivave të zhvillimit makroekonomik të vendit. Ai përmendi se kjo Strategji është e përgatitur me ndihmën e ekspertëve të BE-së dhe të SIGMA-s dhe theksoi mendimin që KLSH ka paraqitur dhe në Komisionin e Kuvendit për Ekonominë, sipas të cilit përgjegjësia për zbatimin e objektivave dhe treguesve të Strategjisë nuk duhet të ngelet tek një njeri i vetëm, Ministri i Financave, por të shtrihet tek të gjitha institucionet kryesore zbatuese, duke përfshirë edhe KLSH. “Ne si KLSH jemi të përkushtuar për zbatimin me sukses të Shtyllës së Gjashtë të Strategjisë, mbikqyrjen e financave publike”, përfundoi ai.