Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leksaj vizitë zyrtare në Kosovë
12.07.2016
Në datën 11 korrik, një delegacion i KLSH-së i kryesuar nga Kryetari, z. Bujar Leskaj, zhvilloi një vizitë një ditore në Kosovë dhe u prit nga Auditori i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të Republikës së Kosovës, z. Besnik Osmani, Ministri i Financave, z.Avdullah Hoti, zv/Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht Kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, z.Fikrim Damka dhe Kryetari i Komisionit për Buxhetin dhe Financat, z.Naser Osmani.
Gjatë takimit me homologun e tij, Kryetari i KLSH-së, z. Leskaj, e ka uruar z. Besnik Osmani për detyrën e re si Auditor i Përgjithshëm i Kosovës si edhe i ka uruar suksese në arritjen e rezultateve të synuara në përmbushjen e mandatit që i ka besuar Kuvendi i Kosovës. Z.Leskaj u shpreh i bindur se bashkëpunimi i arritur me ZKA nën drejtimin e Auditorit të Përgjithshëm z. Large Olofsson, do të njohë arritje më të mëdha nën drejtimin e z. Osmani, duke bërë sinergjizimin e përpjekjeve të dyanshme.
Më tej, kreu i KLSH-së, z.Leskaj, theksoi se KLSH do të lobojë për anëtarësimin e ZKA-së në EUROSAI dhe INTOSAI duke përshëndetur idenë e Auditorit të Përgjithshëm të ZKA së Kosovës për mbajtjen e një Samiti Rajonal të Presidentëve të SAI-ve.
Kryetari Leskaj dhe Auditori i Përgjithshëm i ZKA, z.Osmani u shprehën se, në kuadër të konsolidimit të marrëdhëniet dy palëshe, KLSH do të rinovojë marrëveshjen e firmosur në vitin 2012 me ZAP-in e Kosovës, duke shtuar pika për përmirësimin e bashkëpunimit, ku një rëndësi të veçantë do t’i kushtohet realizimit të auditimeve të përbashkëta për fusha të ndryshme, bazuar në standardet INTOSAI.
Nga ana e tij, z. Besnik Osmani, ka falënderuar lidershipin e Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë për përkrahjen e vazhdueshme për Zyren e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës dhe ka shprehur bindjen që një përkrahje e tillë nuk do të mungojë edhe për anëtarësimin e institucionit të Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtare të auditimit, INTOSAI dhe EUROSAI. Zoti Osmani ka shprehur zotimin institucional për të thelluar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve supreme të auditimit, përmes zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta në fushën e auditimit dhe implementimit të programeve për zhvillimin e vazhdueshëm profesional.
Krerët e të dy SAI-ve theksuan se jo vetëm auditimi por edhe ofrimi i këshillave për organizatat e audituara është një mekanizëm i rëndësishëm në rritjen e efikasitetit në adresimin e rekomandimeve që dalin nga Institucionet Supreme të Auditimit dhe ranë dakort që të hartohet një kalendar i aktiviteteve të përbashkëta me qëllim të shkëmbimit të përvojave reciproke, bazuar në moton e INTOSAI-t ''Experentia Mutua Omnibus Prodest”.
Në takimin që delegacioni i KLSH-së zhvilloi në Komisionin për Buxhetin dhe Financat të Kuvendit të Kosovës me kryetarin z. Naser Osmani, z. Bujar Leskaj foli për nevojën e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy Institucioneve Supreme të Auditimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Në fokus të diskutimit ishin problemet që ka hasur ky komision dhe ekonomia e Republikës së Kosovës në përgjithësi, në lidhje me miratimin e Buxhetit.
Në këtë takim z.Leskaj bërë një përmbledhje të punës së deritanishme të Kontrollit të Lartë të Shtetit duke vënë theksin edhe tek bashkëpunimi i komisioneve parlamentare me SAI-t. Kreu i KLSH-së tha se shqyrtimi i raporteve të auditimit nga komisionet parlamentare përforcon transparencën dhe llogaridhënien në sektorin publik. Në fjalën e tij, z.Naser Osmani vlerësoi punën e KLSH-së dhe kujdesin që ky institucion ka treguar për të forcuar bashkëpunimin me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës.
Bashkëpunimit ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit të Shqipërisë dhe Kosovës, u diskutua edhe në takimin me zëvendëskryetarin e Komisionit të Mbikëqyrjes së Financave Publike z. Fikrim Damka dhe anëtarin e komisionit z. Naim Fetahu. Ky komision merr në shqyrtim raportet e audituara nga ZAK dhe miraton këto raporte, duke bërë edhe rekomandimet përkatëse për institucionet e audituara.
Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, në bazë të axhendës së përgatitur nga ZKA e Kosovës, Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj është pritur në një takim edhe nga Ministri i Financave, z. Avdullah Hoti. Ministri Hoti e njohu z. Leskaj me procesin e buxhetit të shtetit të Republikës së Kosovës dhe me planet dhe vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në menaxhimin sa më të mirë të parasë publike. Me këtë rast, z. Hoti gjithashtu shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për të bashkëpunuar sa më ngushtë me shtetin shqiptar në shkëmbimin e përvojave të të dy vendeve në forcimin e menaxhimit dhe eficiencës në shpenzimin e parasë publike.
Nga ana e tij, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj, shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim sa më produktiv ndërmjet dy institucioneve për të ndihmuar Qeverinë dhe organizatat e audituara në menaxhimin e mirë të parasë publike. Gjithashtu u nënvizua edhe nevoja e bashkëpunimit ndërmjet SAI-ve dhe Ministrisë së Financave të dy vendeve, në mënyrë që puna e SAI-t, si agjent i Kuvendit, të kontribuojë në përmirësimin e qeverisjes, transparencës dhe llogaridhënies në sektorin publik. Në këtë këndvështrim, Kreu i KLSH-së nënvizoi se lufta kundër korrupsionit është një sfidë edhe rajonale, që kërkon një angazhim të shumë aktorëve ndërshtetërore, në mënyrë që vendet të ecin në ato linja që kërkon integrimi në Bashkimin Europian.
Në këtë vizitë, Kryetari i KLSH-së shoqërohej nga z. Alush Zaçe, Drejtori i Departamentit të Auditimit të Administrimit të Aseteve, Kontrollit të Territorit dhe Mbrojtjes së Mjedisit dhe kryeaudituesit z. Muhamet Kavaja, z. Selfo Zeneli dhe z. Niko Nako.