KLSH merr pjesë në "Panairin Ndërkombëtar të librit shqip"në qytetin e Durrësit
10.08.2016
Nga data 2-7 gusht në qytetin e Durrësit, përgjatë Shëtitores “Taulantia”, u zhvillua "Panairi Ndërkombëtar i librit shqip", i organizuar nga Shoqata kulturore artistike "DURANA" dhe Bashkia e Durrësit. Në panair morën pjesë rreth 70 shtëpi botuese nga 7 vende, si: Shqipëria, Greqia, Italia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Rumania. Ky panair u ndoq me shumë interes nga qytetarët e Durrësit si dhe pushuesit e shumtë.
Interes shfaqi për vizitorët edhe stenda e botimeve të KLSH-së, në të cilën ishin ekspozuar 57 botimet e periudhës 2012-2016 të KLSH-së. Botimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, krahas regjistrimit besnik të përmbajtjes së auditimeve të institucionit, të gjetjeve dhe rekomandimeve të çdo auditimi kryesor, përçojnë drejtimet strategjike të reformimit të tij, që janë rritja e kontributit për përmirësimin e qeverisjes publike, nëpërmjet thellimit të luftës kundër korrupsionit dhe ngritja e kapaciteteve të audituesve të KLSH-së në nivelin e një audituesi modern evropian.
Në kuadër të rritjes së transparencës së veprimtarisë së institucionit, KLSH ka marrë pjesë në 5 vitet e fundit në disa panaire të librit, duke paraqitur tek lexuesi gjithnjë botime të reja. KLSH në këtë panair prezantoi për herë të parë 10 botime, të periudhës nëntor 2015 – qershor 2016, si analiza vjetore e punës së institucionit për vitin 2015, dy botime që lidhen me shkrimet e audituesve të KLSH-së në median e shkruar, dy numra të Revistës Shkencore “Auditimi Publik”, etj.
KLSH nëpërmjet pjesëmarrjes së vazhdueshme në panairet e librit me kolanën e botimeve të saj në gjuhën shqipe, rrit transparencen e aktivitetit të KLSH-së, e cila është një nga treguesit kryesorë të modernizimit të institucionit dhe të komunikimit të saj shumë dimensional me qytetarët.