Njoftime

Kryetari i KLSH-së takon përfaqësues nga Kosova të Projektit “Rritja e Transparencës nëpërmjet promovimit tё rolit tё Audituesit tё Brendshëm nё zinxhirin e llogaridhënies”

30.08.2016

 

Në datën 30 gusht 2016, Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj takoi në zyrën e tij zj. Mimoza Krasniqi,  koordinatore e Projektit “Rritja e Transparencës nëpërmjet promovimit tё rolit tё Audituesit tё Brendshëm nё zinxhirin e llogaridhënies” si edhe zj.Mejreme Ymeri, eksperte e Auditimit të Brendshëm. Ky Projekt financohet nga “The Balkan Trust for Democracy” dhe zbatohet nga “Instituti  për Kontabilitet, Auditim dhe Financa »,KAF, nё Kosovё.

Takimi u organizua në kuadrin dhe vazhdën e takimeve që përfaqësues të këtij projekti kanë bërë dhe po bëjnë me institucionet dhe aktorët e ndryshëm që rregullojnë ose monitorojnë punën e audituesve të brendshëm në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri.

Kryetari falenderoi zj. Krasniqi dhe zj. Ymeri për intersin që treguan për të bashkëpunuar me Institucionin Suprem të Auditimit në Shqipëri dhe theksoi rëndësinë që i ka dhënë KLSH bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile, organizatave të profesionistëve të fushës së auditimit, të ekonomisë dhe më gjerë për shkëmbimin e informacionit dhe të eksperiencave të punës, me qëllim përmirësimin e punës në auditim dhe rritjen e transparencës së veprimtarisë së institucionit.

Palët ranë dakort që do të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi, në të cilën do të vendosen fushat dhe termat konkretë të bashkepunimit.Ekspertët e të dy institucioneve do të punojnë për ta finalizuar shumë shpejt marrëveshjen.