Njoftime

Rehabilitimi i Ish- të Përndjekurve Politikë në Periudhën e Tranzicionit

06.11.2016

Në kuadër të Javës së Hapur të organizuar, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me Qytetarët nga datat 28 Tetor - 4 Nëntor 2016, më datë 4 nëntor ditën e premte, u zhvillua aktiviteti i prezantimit të auditimit të Departamentit të Performancës  “Rehabilitimi i ish-të Përndjekurve Politike në Periudhen e Tranzicionit”, ku morën pjesë përfaqësues të të gjithë Shoqatave të ish të Përndjekurve Politikë të vendit tonë, drejtori i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë z. Bilal Kola dhe përfaqësuers të tjerë të stafit të këtij Instituti. drejtori i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit z. Agron Tufa, ish të burgosur politikë, disa OJF, përfaqësues të medias, studjues, etj.

dsc_0401

Në fjalën e hapjes së këtij aktiviteti Kryetari i KLSh-së, z. Bujar Leskaj, theksoi    rëndësinë e auditimit të performancës me temë: “Rehabilitimi i ish- të Përndjekurve Politikë në periudhën e tranzicionit”, që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë, ku paraqiti një  analizë të efektivitetit të dispozitave ligjore të miratuara për këtë problem dhe zbatimin e tyre në praktikë që nga viti 1991, gjendjen e kësaj shtrese të shoqërisë, rolin e strukturave shtetërore dhe mundësitë e pashfrytëzuara për një rehabilitim sa më të plotë të ish-të përndjekurve politikë. Kryetari i KLSh-së paraqiti rekomandimet më të rëndësishme të punës audituese, për përmirësimin e gjendjes dhe rritjen e vetëdijës së strukturave shtetërore dhe publikut të gjerë për këtë problem thelbësor të shoqërisë sonë. Z. Leskaj u shpreh se me ritmet e 5 vjetëve të fundit në drejtim të vlerës së dëmshpërbilimit të akorduar nga qeveritë, duhen 18 vjet për të shlyer gjithë faturën e miratuar për këtë qëllim; kur dihet se nga ish të përndjekurit dhe të burgosurit poltik shumë pak kanë mbetur gjallë. Ai vuri theksin në rekomandimin e dhënë nga KLSh për Ekzekutivin: për shlyerjen e dëmshpërblimit brenda vitit 2017 për dosjet e ish-të përndjekurve politikë që janë dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë në vitet 2007 – 2008 dhe brenda vitit 2018 për aplikimet e ish-të përndjekurve politikë të dorëzuara pas vitit 2008 në Ministrinë e Drejtësisë; për këtë dhe 20% të të ardhurave nga privatizimi i sektorëve strategjikë të shkojë për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë; rekomandim ky i lënë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që në vitin 2012

Në fjalën e tij z. Bilal Kola, drejtor i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë
vlerësoi punën e Kontrollit të Lartë të Shtetit në auditimin e kryer për “Rehabilitimin e ish- të Përndjekurve Politikë në periudhën e tranzicionit”, duke theksuar se në këtë material janë trajtuar të gjitha problemetikat që janë hasur gjatë viteve të demokracisë. Njëkohësisht trajtoi dhe punën e dobët të qeverive në lidhje me ritmet e dëmshpërbilimit, moszbatimin e ligjeve dhe akteve nënligjore lidhur në kthimin e pronave, strehimin, punësimin dhe shkollimin e kësaj shtrese. Gjithashtu nënvizoi se për herë të para nga një institucion kushtetues gjatë viteve të demiokracisë është audituar dhe trajtuar një raport kaq analitik dhe kritik në lidhje me gjëndjen aktuale, moszbatimin e ligjshmërisë nga institucionet shtetërore të ngarkuara për rehabilitimin e ish të përndjekurve politikë. Ai shprehu dhe kritika ndaj institucioneve shtetërore në drejtim të ankesave të dërguara nga ky Instituti, ku theksoi dhe indeferentizimin e institucioneve shtetërore, të cilat nuk marrin përsipër zgjidhjen e problemeve të ish –të përndjekurve.

Z. Agron Tufa ,drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, në fjalën e tij u shpreh se KLSH, ka dhënë një kontribut të madh në drejtim të analizës së gjëndjes së kësaj shtrese dhe se ky Raport duhet të botohet për t’u njohur më nga afër me vuajtjet, gjendjen ekonomike, ligjet e dala në drejtim të rehabilitimit të kësaj shtrese dhe zbatimin e tyre, në mënyrë që të njihen jo vetëm ish të përndjekurit politikë, por edhe publiku i gjërë,
Pas prezantimit në mënyrë të p[ërmbledhur të rezultateve të këtij auditimi nga drejtori i departamentit dhe p/grupit të auditimit; diskutuan rreth auditimit dhe problemeve të shtresës së ish të përndjekurve politikë kryetarë të shoqatave kombëtare të ish të përndjekurve, ish të dënuar nga regjimi komunist, etj. ku vlen të përmenden diskutantët e mëposhtëm:

Z. Tanush Mulleti në fjalën e tij u shpreh se nga qeveritë është punuar shumë dobët si në drejtim të kthimit dhe kompensimit të pronave për ish-pronarët dhe ish të përndjekurit politikë, në drejtim të dëmshpërblimit si dhe mungesën e vlerësimit të shtëpive të banimit të sekuestruara gjatë viteve të komunizmit, etj.

Z. Xhaferr Agaraj kryetari i Shoqatës së të Dënuarve Politikë për Integrim me Drejtësi dhe Unitet, në fjalën e tij vlerësoi pa masë Raportin e Auditimit të hartuar nga grupi i punës së KLSH-së, por gjithashtu mbajti një qendrim shumë kritik për punën e qeverive gjatë periudhës së demokracisë. Ai u shpreh se partitë premtojnë para fushatave për zgjidhjen e problemeve të kësaj shtrese, por faktet e tregojnë se nga qeveritë deri tani është bërë vetëm demagogji.
“Ju nuk e keni jetuar burgun e Spaçit, tha ai - nuk i keni parë vuajtjet e të burgosurve në kohën e komunizmit, nuk i keni parë galeritë e këtij burgu, nuk jeni njohur me sasinë e piritit të nxjerrë nga të burgosurit dhe tani në pleqëri të burgosurit nuk kanë marrë pension si ish minatorë, për faktin e mungesës së dokumentacionit, dokumentacion ky që duhet ta administrojë Drejtoria e Burgjeve. Vuajtjet tona nuk paskan patur të sosur. Vuajtje në burg, vuajtje pas daljes nga burgu për të bredhur zyrë më zyrë për të gjetur dokumentacionin përkatës, për të përfituar të drejtat tona, të drejta këto të munguara deri më sot. Çfarë tjetër mund të bëjmë. Shtresa e ish të përndjekurve politikë është shtresa më fisnike e shoqërisë dhe kjo shoqëri nuk po e vlerëson akoma”.

Z. Ndrec Gjoni, ish i burgosur politik, falenderoi punën e bërë nga KLSH, në drejtim të përkrahjes së kësaj shtrese, ku KLSH, tha ai, është i vetmi institucion që ka patur ndjeshmëri ndaj vuajtjeve të kësaj shtrese dhe ky material përfshin gjithë problematikën e kësaj shtrese. Ky material është mjaft i mirë dhe i dakordësuar me të gjithë qytetarët e kësaj shtrese.  Ai bëri  pyetjen retorike: a do të zbatoihen nga qeveria aktuale rekomandimet e këtij auditimi ? Si qytetar, vazhdoi ai, dhe si ish i burgosur politik nuk kam besim dhe jam pesimist për zbatimin e këtyre rekomandimeve. Për rehabilitimin e ish të përndjekurve politikë, kësaj shtrese shumë të vuajtur, nga qeveria duhet të hartohet dhe miratohet një strategji kombëtare,

Z. Gjoç Gjoçi, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Trashëgimtarëve të Pushkatuarve Politikë të Shqipërisë, në fjalën e tij u shpreh se ne kemi vuajtur shumë, më burgime, pushkatime dhe vrasje pa gjyq. Tani kjo shtresë po vuan shumë dhe këto vuajtje, shoqëria shqiptare duhet të bëjë më shumë për këtë shtresë
Ndërsa z. Bedrti Blloshmi, ish i burgosur politik, falenderoi punën e KLSH-së për këtë interesim dhe për auditimin, i cili u shpreh ai, qendron shumë lart dhe ka prekur të gjithë problematikën e shtresës së ish të përndjekurve. Nga ana e Juaj duhet të ndiqet hap pas hapi zbatimi i rekomandimeve.

Në fjalën përmbyllëse Kryetar i KLSH-së, z. Leskaj, duke falenderuar të gjithë pjesëmarrësit e  shtresës së ish të përndjekurve, theksoi punën që do të bëjë ky institucion për ndjekjen me konsekuencë të zbatimit të rekomandimeve të lëna në këtë auditim ndaj institucioneve shtetërore, në ndihmë të ish të përndjekurve politikë, si pjesë e detyrimeve të KLSh-së për  përdorimin me efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet të burimeve dhe fondeve publike, gjë që ka si qëllim forcimin e besimit të qytetarit dhe publikut ne tërësi.