Njoftime

Kryetari i KLSH-së viziton Zyrën Kombetare të Auditimit të Kosovës

22.11.2016

Në datën 22 nëntor 2016, Kryetari i KLSH-së, vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKA), i shoqëruar nga një grup prej 12 audituesish të KLSH-së, i ftuar nga Auditori i Përgjithshëm i ZKA, z.Besnik Osmani, për të marrë pjesë në ceremoninë e çertifikimit të audituesve të Zyrës Kombëtarë të Auditimit të Kosovës dhe rinovimit të Marrëveshjes  së Bashkëpunimit të nënshkryar mes të dy institucioneve, lidhur në shkurt të vitit 2012. Mbi bazën e kësaj marrëveshje, të dyja SAI-t kanë realizuar shumë aktivitete të përbashkëta, si trajnime, konferenca e seminare pune, vizita të ndërsjella me qëllim shkëmbimin e eksperiencave më të mira, etj. ZKA ka qenë pjesëtar aktiv në analizat vjetore dhe konferencat shkencore të KLSH për vitet 2012, 2013, 2014 dhe 2015, duke përshëndetur dhe dhënë mendime me vlerë.
Mbështetur në eksperiencën pozitive të marrëveshjes së parë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Z.  Bujar Leskaj dhe Auditori i Përgjithshëm i ZKA, Z. Besnik Osmani nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit dhe Planin e Veprimit për aktivitete të përbashkëta për vitet 2017-2018, në Prishtinë, në datën 22 nëntor 2016.

2 kosova vizite

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Z.  Bujar Leskaj dhe Auditori i Përgjithshëm i ZKA,  Z. Besnik Osmani gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes  së Bashkëpunimit dhe Planit të Veprimit për aktivitetet e përbashkëta 2017-2018 mes Zyrës Kombëtare te Auditimit të Republikës së Kosovës dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prishtinë, 22 nëntor 2016.

Marrëveshja e re përfshin shkëmbimin e përvojave në nivel praktik dhe teknik për zbatimin e plotë të standardeve ndërkombëtare të auditimit publik dhe praktikave të mira evropiane, vijimin e traditës së krijuar midis dy institucioneve për realizimin e seminareve, workshop-eve dhe trajnimeve të përbashkëta, të cilat synojnë forcimin e kapaciteteve të audituesve të KLSH dhe ZKA, sesione edukative dhe këshilluese me qëllim përditësimin e materialeve të metodologjisë në auditim, për fushat me interes të përbashkët, si dhe 6 auditime të përbashkëta në dy vitet në vijim(qëllimi i auditimit dhe çështjet kyçe do të vendosen bashkërisht dhe raportet e auditimit do t’u dërgohen Parlamenteve respektive). Temat e përzgjedhura për t’u audituar do të kenë interes kombëtar dhe rajonal dhe do t’i shërbejnë zhvillimit të strategjive kombëtare të të dy vendeve.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, Kryetari i KLSH-së përshëndeti në ceremoninë e çertifikimit të audituesve të Zyrës Kombëtarë të Auditimit të Kosovës. 
 
Në fjalën e tij, z. Bujar Leskaj theksoi faktin që misioni i KLSH-së dhe ZKA, si institucione supreme të auditimit është që të zhvillohen dhe avancojnë si organizata profesionale, të cilat respektojnë në mënyrë rigoroze standardet e INTOSAI-t dhe udhëheqin nëpërmjet shembullit, duke perfeksionuar performancën përmes respektimit të rregullave etike, integritetit të plotë dhe ofrimit të ekspertizës së specializuar, duke vepruar me ndershmëri, objektivizëm dhe me përkushtim ndaj cilësisë së auditimit dhe interesit publik të qytetarëve dhe taksapaguesve.
Në funksion të rritjes dhe thellimit të dijes në auditim-vijoi z.Bujar Leskaj,  po zhvillohet edhe kjo ceremoni e çertifikimit të audituesve të ZKA, pas një bashkëpunimi të shkëlqyer me Shoqatën e Kontabilistëve dhe të Auditorëve të Çertifikuar të Kosovës. Një aktivitet i tillë është shprehje e zhvillimit intensiv të dijes audituese brenda institucionit më të lartë auditues publik të Kosovës, e rritjes së kapaciteteve të audituesve të ZKA-së në dobi të plotësimit sa më të mirë të detyrave gjithnjë e më sfiduese në kuader të procesit integrues të Kosovës për në BE. Ky proces nuk mund të mendohet pa rritjen e përgjegjshmërisë dhe të kërkesës së llogarisë në administrimin e fondeve publike, kërkesa këto të kahershme dhe të patjetërsueshme të Bashkimit Evropian si për Shqipërinë, Kosovën, ashtu dhe për të gjitha vendet e tjera kandidate apo aspirante për t’u anëtarësuar në BE.        
Në mbyllje, Kryetari i  KLSH-së, z.Bujar Leskaj, edhe në emër të të gjithë audituesve të KLSH-së, shprehu vlerësimin maksimal për nivelin e dijeve dhe përkushtimin e integritetin e audituesve supremë publikë të Kosovës, për gadishmërinë, mirëdashjen, mirëkuptimin, bashkëpunimin vëllazëror dhe të shkëlqyer që na kanë ofruar gjatë këtyre viteve, por sidomos për projektin e ristrukturimit dhe modernizimit të mëtejshëm e të qëndrueshëm të ZKA-së, të cilin e ideoi dhe po e zbaton Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani. Ky projekt jo vetëm që rrit cilësinë e punës audituese të ZKA dhe ndikimin e Zyrës në mirëadministrimin e financave publike të Kosovës,  por kontribuon në një bashkëpunim edhe më dobiprurës për të dy SAI-t tona dhe në nivel rajonal e evropian. Duke shkëmbyer eksperiencat tona në auditim dhe duke kryer auditime të përbashkëta, jo vetëm rrisim kapacitetet tona si auditues, por edhe ndihmojmë më fuqimisht në mirëqeverisjen publike të të dy vendeve tona.
Pas ceremonisë, përfaqësuesit e KLSH-së, z.Xhafer Xhoxhaj, Drejtor Departamenti,  z.Niko Nako, Krye-Auditues dhe audituesit, z.Bledi Dervishaj, z.Hekuran Avdulaj, z.Julian Adili, z.Piro Bregaj, z.Skender Hajdari, zj.Irma Shkupi, z. Dritan Kore, z.Fatmir Iljazi, zj.Eva Leka dhe zj.Sabina Gjinishi, morën pjesë edhe në sesionin tematik “Sfidat e ndërtimit të kapaciteteve institucionale dhe njerëzore të Institucioneve Supreme të Auditimit”,  në të cilën edhe audituesit e KLSH-së diskutuan dhe dhanë mendimet e tyre për këtë cështje. Me interes, u ndoqën diskutimet e Kryeaudituesit, z.Niko Nako dhe auditueses se re, zj.Eva Leka.