KLSH Kallëzon në Prokurori Drejtuesin dhe 7 Specialistë të Komisionit Vendor të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë në Prefekturën e Qarkut Korcë
06.01.2017
Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 729/1 prot, datë 08.7.2016, ka përfunduar auditimin në Prefekturën e Qarkut Korçë me objekt: “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë për periudhën 01.07.2013-30.06.2016”.
Me Vendimin nr. 147, datë 19.12.2016 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresën nr. 729/7, datë 19.12.2016, me qëllim përmirësimin e gjendjes i janë rekomanduar Prefekturës së Qarkut Korçë masa konkrete.
Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e vendimmarrjes të Komisionit Vendor të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë (KVVTP) dhe konkretisht:
Në 57 raste, nuk kanë bërë kalimin në pronësi të shtetit për tokat e përfituara në kundërshtim me ligjin nga persona fizikë dhe juridikë.
Në 57 raste, të kapërcimi të tagreve ligjore, duke marrë vendime mbi deklarimin e përfundimit të procedimit administrativ për shkak të pamundësive të zhvillimit të mëtejshëm të procedurës hetimore, edhe pse ligji nuk i njeh të drejtën e përfundimit të procedimit administrativ pa një vendimmarrje.Në 37 raste, nuk kanë bërë kallëzimin penal në organet e drejtësisë, ndaj komisioneve të ndarjes së tokës, për sipërfaqen prej 8.4 ha, të cilët kanë tejkaluar kompetencat ligjore, duke ndarë tokë bujqësore më shumë se norma për frymë, në dëm të interesave të shtetit.
Në 37 raste, për dorëzimin në mënyrë fiktive të tokave të kaluara në pronësi të shtetit, pasi toka vazhdon të përdoret nga persona të cilët e kanë përfituar në mënyrë të paligjshme.
Në 6 raste, për sipërfaqen prej 43.1 ha, për lejimin e poseduesve të titujve të pronësisë të gëzojnë të pacënuar tokën e përfituar në kundërshtim me ligjin edhe pse Këshilli i Qarkut Korçë ka konfirmuar se Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) janë dhënë brenda vijave kufizuese të qytetit të Korçës, miratuar me vendim të KRRTRSH-së nr. 3, datë 04.02.1994, “Për përcaktimin e vijave kufizuese të qytetit të Korçës” pra nuk janë objekti i ligjit “Për tokën”.
Në 4 raste, për sipërfaqen prej 2200 m2 të lejimit të përfituesve të AMTP-ve të gëzojnë të pacënuar tokën e përfituar në kundërshtim me ligjin, kur toka rezulton në zërin kadastral “Tokë Truall”, “Mal” apo “Gjemb”, pra jo objekt i ligjit “Për tokën”.
Në 2 raste, nuk ka marrë vendim për kalimin në pronësi të shtetit të sipërfaqes së tokës prej 1050 m2, përfituar më tepër se përcaktimet e ligjit “Për tokën”.
Në 2 raste, të lejimit të përfituesve të AMTP-ve të gëzojnë të pacënuar tokën e përfituar në kundërshtim me ligjin, kur toka rezulton në zërin kadastral “Tokë e Pa Frytshme”, pra jo objekt i ligjit “Për tokën”.
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga S.K. me detyrë Drejtues i KVVTP; H.G. E.R. O.G. J.D. L.S. E.Ç. G.H, me detyrë Specialistë të KVVTP, në shkelje të ligjit nr. 9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, VKM nr. 1269, datë 17.09.2008 “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” dhe VKM nr. 224, datë 19.02.2009 “Për procedurat e krijimit të Akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, si pasojë e korrigjimeve të kryera nga Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë”, dhe si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i RSH”, me shkresën nr. 729/8 datë 19.12.2016, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Korçë, për konsumimin e elementëve të figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
V.O. Në WEB-in e KLSH gjendet i plotë Vendimi nr. 147, datë 19.12.2016 i Kryetarit të KLSH-së, në lidhje me këtë auditim.