Kryetari i KLSH-së takon drejtues te lartë të GAO-s në Uashington D.C.
31.01.2017
Në datën 30 janar 2017, Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj takoi në Uashington D.C. drejtues të lartë të Zyrës së Auditimit të Qeverisë së SHBA (GAO), përkatësisht z. James-Christian Blockwood, Drejtor i Planifikimit Strategjik dhe i Marrëdhënieve me Jashtë dhe zj. Janet St. Laurent, Drejtoreshë e Qendrës së Ekselencës në Auditim.
Qendra e Ekselencës në Auditim është një strukturë qendrore e GAO-s që punon me të gjitha institucionet e auditimit dhe llogaridhënies qeveritare në botë, për të përmirësuar dhe shtuar, nëpërmjet trajnimeve të saj, kapacitetet e tyre në auditim. Qendra ndihmon institucionet supreme të auditimit publik (SAI-t) të zhvillojnë dhe zbatojnë korniza të shëndosha të sigurimit të cilësisë në auditim dhe plane strategjike e strategji të zhvillimit të burimeve të tyre njerëzore, duke rritur njohuritë për standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t.
Z. Leskaj dhe dy përfaqësuesit e lartë të GAO-s diskutuan fushat e bashkëpunimit me Qendrën e Ekselencës në trajnime afatgjata e afatshkurtra të audituesve shqiptarë, veçanërisht për Auditimin e Performancës dhe të IT, si edhe në sferën e Planifikimit Strategjik 2018-2022. Kryetari i KLSH shprehu vlerësimin e tij për ndihmën e deritanishme nga GAO dhe vullnetin e strategjinë e KLSH-se në këto vite për thellimin e bashkëpunimit. Ai i informoi drejtuesit e GAO-s për treguesit e institucionit shqiptar të auditimit në këto vitet e fundit, në fushën e kapaciteteve audituese dhe në thellimin e luftës kundër korrupsionit për përmirësimin e qeverisjes publike. Drejtuesit e GAO-s vlerësuan arritjet e KLSH-së, sidomos treguesit e mbulimit me auditime, gjetjet për mirë-administrimin e Buxhetit të Shtetit, kallëzimet penale, indeksin e dobishmërisë në auditim, etj.
Gjatë bisedës u theksua rëndësia që kanë çështjet e etikës dhe integritet për Institucionet Supreme të Auditimit dhe në këtë kontekst, z.Leskaj citoi një pjesë të leksionit, “Etika dhe integriteti në auditim: një parakusht për mirëqeverisje”, të mbajtur nga Audituesi i Përgjithshëm i GAO, z.Dodaro në “Shoqërinë Amerikanë për Administratën Publike”, ku theksohet se “....etika dhe integriteti janë të lidhur pazgjidhshmërisht me auditimin në funksion të transparencës, llogaridhënies dhe mirëqeverisjes. Këto standarte kanë ndikime konkrete tek puna e GAO-s dhe audituesit tanë. Për t’u shprehur më thjesht, etika dhe integriteti janë parësore për GAO-n. Në fakt, integriteti është një nga tre parimet kryesore të GAO-s. Dy të tjerat janë llogaridhënia dhe besueshmëria....”.
Në përfundim, zoti Leskaj shprehu vlerësimin e tij për Zyrën e Auditimit të Qeverisë së SHBA dhe veçanërisht për Audituesin e Përgjithshëm të saj, z.Gene L. Dodaro që përgatitën strategjinë e zhvillimit të INTOSAI-t për periudhën 2017-2022, të cilën e lancuan në Kongresin e XXII të INTOSAI-t, në Abu Dhabi, me synimin për të rritur kontributin e SAI-ve në përforcimin e llogaridhënies dhe transparencës në menaxhimin financiar publik në të gjithë botën.
Zj. St. Laurent, me përvojë të gjatë në GAO, konfirmoi bashkëpunimin e mëtejshëm dhe bëri një pasqyrë të aktivitetit të Qendrës dhe arritjeve të saj, si edhe qasjet bashkëkohore, veçanërisht për përdorimin e teknologjisë së informacionit gjatë trajnimeve. Nga ana e tij, Drejtor i Planifikimit Strategjik dhe Marrëdhënieve me Jashtë, z. Blockwood konfirmoi mbështetjen e GAO-s, edhe nëpërmjet ardhjes së audituesve të GAO-s në Shqipëri për trajnime në fushat e kërkuara nga KLSH.
Te dyja palët ranë dakord për eksplorimin e mundësive për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi me Qendrën për Ekselencë në Auditim.
Takimi u zhvillua në frymën e mirëkuptimit dypalësh dhe përmbushi pritshmëritë e KLSH-së, lidhur me bashkëpunimin mes dy institucioneve.